Home / Ekonomia / Lodzi, gërmadha tekstile që u kthye në hirushe

Lodzi, gërmadha tekstile që u kthye në hirushe

Ka një si ndjesi të njohur, që i vjen vetvetiu çdo njeriu të lindur në Europën Lindore, teksa i afrohet qytetit të Lodzit, 100 km në jugperëndim të kryeqytetit polak Varshavë. Kjo ndodh ngaqë rrethinat e trajtuara thjesht, të lëna pak pas dore dhe rruga që ngushtohet shumë drejt qytetit urban, të krijojnë zhgënjimin e zakonshëm të predispozitës së punës. Pak si gërmadhë moderne. Kuptohet se njeriut para se truri t’i diktojë arsyen i rikthen kujtesën, që në këtë rast i thonë se: Lodz, nuk mund të jetë Varshava. Vendasit e shqiptojnë Uuuxhhh, një fjalë krejt larg shqiptimit tonë.

Lodzi, gjithsesi me kohë, ka filluar të bëjë pavarësinë e vet të lidhjes. Aeroporti i vogël e ka lidhur direkt deri me Çikagon dhe Nju Jorkun, kurse fluturimet e mbetura derdhin pasagjerë nga të gjithë kryeqytetet e Perëndimit. Grishja ime: Si mundi Lodzi që ngërthen shpirtin e komuniteteve polake, hebreje, gjermane dhe ruse prej shekullit XIX ta bënte këtë vend qendrën kontinentale të industrisë së tekstilit. Përndryshe Mançesteri polak, referuar industrisë së përparuar tekstile, është sipas fjalëve të Pawlikowski-t, një emri të madh të kulturës vendase, “vend melankolik, por me bukuri të madhe”.

Melankolia të kap vërtet kur i afrohesh qytetit në muzg dhe i drejtohesh pjesës më urbane të tij. Ani, pështjellimi davaritet, kur hedh sytë nga pjesa e rinovuar. Personalisht, të vetmen qasje me Lodzin e kam me Wajda-n dhe Roman Polianski-n, regjisorët e mëdhenj, që janë shkolluar këtu, ata që e bënë të njohur qytetin përmes filmit. Siç ndodh zakonisht, bashkëbiseduesit e momentit të japin përshtypjet e para. I marr në konsideratë. Ajo çka duket prej skajit të hotelit janë ende do fabrika të vjetra, ku dominon materiali me tullë të kuqe, e që s’u ka ardhur ende koha e rinovimit. Njerëzit që bënë qytetin gjykohet se patën vizionin e qyteteve gjermane përgjatë Rinit, por kjo pjesë i ngjan vërtet Lindjes.

Qyteti lulëzoi në kohën e perandorisë ruse, pjesë e së cilës ishte, por me frymën borgjeze vendase shumëkombëshe. Këta i dhanë identitetin si një qytet i denjë i revolucionit industrial europian. Beata, shoqëruesja ime, një grua tejet e përgatitur dhe pak si shumë skolastike, mundohet të më tregojë çudinë Lodz dhe realisht çfarë përbën sot ky qytet për Poloninë. Monotonia e rrëfimit e shton misterin, që e merr me vete perëndimi i dielli, ndërsa ulet ngeshëm këtë ditë vere. Po çfarë mund të më thuash atëherë për Varshavën, Krakovin dhe Gdanskun?-i them. “Është një gjë tjetër, krejt tjetër. Takohemi për pak!”.

Një booklet në recepsion, ku pres gruan, më sqaron indikacionet. U bë “një tokë e premtuar” gjatë Revolucionit Industrial. Andrzej Wajda, që u shkollua këtu duke shfrytëzuar librin e nobelistit Wladyslaw Reymont po “Tokë e Premtuar” e bëri film. Në të njëjtin qytet studiuan edhe Krzysztof Kieslowski, Krzysztof Zanussi dhe pak më vonë edhe legjenda Roman Polanski. Artur Rubinshtain, një nga pianistët më të mëdhenj të shekullit XX, gjithashtu lindi pak qindra metra më tutje. Sa shumë, i them sportelistes, por pa dashur të futem në bisedë. “Po. Merre, më thotë shpërfillas-për bookletin”. Detyrimi?! Duhet të shikoj pra, rrugën “Piotrkowska”, Manufaktura-n, Geton e Lodzit, Varrezat hebreje, Muzeun e Tekstilit, atë të Artit Modern, disa nga ato atraksione që pretendohet të mbledhin tetë milionë turistë në 2022.

 

Lodz 6 - 791Lodz sot

Ashtu si edhe u mendua, fabrikat e para dhe drejtimi i tyre drejt tekstileve shënjoi përgjithmonë ndryshimin e qytetit. Kulmi ndodhi pak para Luftës së Parë Botërore. Siç mund të përfytyrohet, kasaphana e Europës, sidomos okupimi nga Gjermania naziste, pati një ndikim pa kthim te Lodzi dhe banorët e tij. Humbi gjysmën e popullsisë në Luftën e Dytë Botërore, që u rigrupua shpejt për shkak të lëvizjeve të migrimit. Brenda pak kohësh, Lodzi u kthye sërish si qendra kryesore e tekstilit në vend dhe u bë qyteti i dytë më i madh. Çuditërisht, pas rënies së komunizmit, industria në Lodz u zhduk ngadalë, duke e lënë qytetin me probleme të shumta sociale, disa syresh të zymta, derisa një brez i ri idealistësh në qytet, duke u frymëzuar nga e kaluara e tij industriale menduan ta kthejnë në një qendër alternative të Polonisë!!

Lodz është një qytet i zakonshëm, por më të zakonshëm e bën nata në periferinë ku ndodhem dhe ku gjendet një pjesë e kuarterit të qytetit të vjetër, ende e patrajtuar si duhet. Peizazhi natyror urban pothuaj i trajtuar. Kjo zgjat shumë pak. Beata do më zhvendosë në atë pjesë që i ka dhënë kuptim qytetit, fill pas darkës. “Do ikim te Manifaktura, më thotë. Është 4 kilometra prej këtej. Unë për vete eci. Ti? Duhet ta shijojmë duke ecur”. Bindem. E kam fiksuar nga booklet-i. Po ka të drejtë. Lodz përshfaq ngadalë hiret e veta. Këtë e shikon nga ndërtesat, që duken nga të dy anët e udhës dhe ideja e konceptimit drejt pjesës së rinovuar, ku fabrikat e vjetra janë kthyer në qendra tregtare dhe galeri arti. Pa ndryshuar fasadat. Ndërtesa moderne dhe fabrikat e reja rriten pranë bulevardeve me modelin e atyre të Europës Qendrore, blloqe të betonit socialist ndryshe nga parafabrikatet tona, e tutje pallatet e lirisë në qendër të qytetit. Pak orë më vonë, do të më shpjegojnë një nga legjendat urbane lokale, sipas të cilave blloqet e apartamenteve të ndërtuara për ushtarakët gjermanë në lagjen Stoki duhej të formonin një svastikë.

Lodz 3 - 791“No way, çfarë nuk shkruajnë”- më thotë një burrë me buzë të mbledhura, që flet qartë anglisht. Qyteti, nga ku kalojmë në një rrugë që ka atribute pedonale, në njëfarë kohe po kalon në procesin e restaurimit të madh, duke u dhënë godinave pamje dhe bukuri të mrekullueshme. Surpriza është vërtet Manufaktura, që Beata ma tregon pas ekskursionit sfilitës disa kilometrash.

Kombinati i madh i tekstilit, fabrikë e konsideruar e stilit kinse gargantuan gotik, tashmë është kthyer në një qendër komerciale dhe argëtuese më e madhja në Europën Qendrore. Beata pati të drejtë. Ish-kompleksi që me dritat e natës merr një okër të bukur është shumë mahnitës, kurse grupëza njerëzish luzmojnë ngado.

Kur u hap në 2006, nuk u mendua se edhe të 260 dyqanet e saj nuk do mjaftonin. Ndaj, pak më vonë, ajo ofroi kinema, muze, një hotel luksoz dhe një shesh të madh publik, i cili përmban një burim dhe krijon shumë ngjarje në natyrë. Qoftë edhe prej kësaj iniciative, qyteti është në radarët e turizmit prej gjithë botës. Por, jo vetëm kaq. Diku, e ashtuquajtura Fabrika e Bardhë, Muzeu Qendror i Tekstileve; Księży Młyn (së bashku me rreshtat e shtëpive për punëtorët) ose stacioni elektrik EC1 (ku ndër institucionet e tjera gjendet edhe studioja filmike e David Lynch), formojnë komplekse të tjera të mrekullueshëm.

 

Lodz 5 - 791Intermexo

Të gjitha godinat, përveç fabrikave të rindërtuara dhe rikonceptuara do ishin hiç nëse nuk do të ishte arti i mrekullueshëm i rrugës. Është qyteti i parë polak që ka sfiduar duke promovuar muralet e mëdha. Qysh në vitin 2009, Fondacioni lokal Urban Forms kuptoi mrekullinë e këtij arti, kur filloi të promovojë artin e rrugës, duke ftuar artistë ndërkombëtarë si ROA nga Belgjika (i njohur nga artet e rrugës në Berlin) ose Inti nga Kili (mund t’i kundrosh veprat e tij në Kosice, Sllovaki), apo artistët me famë botërore, si ETAM crew, të pikturonin. Falë tyre, apartamentet në pesë kilometrat e Rrugës Piotrkowska, të japin idenë se je në një galeri arti të hapur.

Kjo rrugë s’është vetëm zemra e Lodzit, por edhe një nga rrugët më të gjata tregtare në botë. Ajo shtrihet midis Sheshit të Pavarësisë (Plac Niepodleglości) dhe Sheshit të Lirisë (Plac Wolności), dhe përgjatë rrugës mund të gjesh restorantet, baret dhe dyqanet më shik të qytetit. Kjo rrugë gjithashtu strehon Muzeun e Industrisë Tekstile të Lódz, por dhe disa statuja të mrekullueshme me përmasa natyrale të figurave të famshme, që kanë lindur këtu si poeti Julian Tuwin dhe Artur Rubinshtein, pianistit të njohur klasik.

Metamorfoza

Kam një ndjesi tjetër disa orë më vonë, kur shoqëruesja është një vajzë e re, që ndryshe nga polakët e ftohtë disi, nuk i ndahet një buzëqeshje dhe një tis humori i pafundëm. Është e imët, kurse një fustan i hollë blu, e bën më të lirshme. Ka diçka prej zogu të gëzuar. Fillojmë nga stacioni dhe përfundojmë tek vendi nga ku deportoheshin hebrenjtë. Flet shumë. Dëgjon. Asnjë qytet tjetër polak nuk mund të mburret si yni me trashëgiminë postindustriale. Qesh. Më shikon në sy. Paçka se godinat në fabrikën e Scheibler janë ende të paplota kurse qendra shkencore e EC1 është ende në fazën e organizimit, mund të thuhet se qyteti e meriton promovimin e të kaluarës. Aprovoj.

Kurse arkitektët vizionarë të tillë si Virgile & Stone dhe Sud Architects, kanë krijuar habinë. Por edhe këtu s’kanë pushuar debatet. Vetë Manufaktura, një nga projektet më të mëdha të revitalizimit të Europës, ka gjeneruar aq shumë polemika, saqë vetë kompleksi është viktimë e suksesit të vet. Vërtet Fabrika e pronarit Poznański doli të jetë një magnet dhe realisht është kthyer në qendër të qytetit, por ajo ka vdekur ndërkohë trafikun e rrugës qendrore Piotrkowska. Arsyeja: kontribuoi në rrëzimin e shumë dyqaneve, e vetëm në këto kohë, qyteti, si të thuash po e gjen ekuilibrin mes qendrave të reja dhe të vjetra.

Sfida

Ky është edhe problemi im, të gjej mënyrën sesi filloi ky projekt. Më është fiksuar një takim në Bashkinë e qytetit, por si ndodh rëndom, shefi urbanistik s’është. Një nëpunës i ri shumë i sjellshëm, por që nuk flet anglisht, më tregon një plan fondesh dhe ndërhyrjesh, që kanë bërë rivitalizimin, rivalorizimin, modernizimin, ciklimet e zonave të qytetit. Ai flet polonisht-unë i gjegjem serbisht. M’i përsërit aq shumë një tjetër, që flet pak më shumë anglisht, por që m’i tregon përmes një materiali shumë të mirë, saqë jam i bindur që vendasit i dinë mirë ato që po bëjnë. Falë këtyre proceseve, gjatë disa viteve të fundit në veçanti, qyteti ka ndryshuar krejt. Tregon me gisht: Ndërtesat monumentale u rinovuan me kujdes për të theksuar tiparet karakteristike të arkitekturës, ku janë evidentuar shkallët, portat zbukuruese, detajet arkitekturore etj.

Në vitin 2013, disa ndërtesa janë konvertuar në selinë e Zonës Ekonomike Speciale të Lodzit. Edhe pse disa fabrika në Lodz janë shndërruar në dyqane, zyra apo hotele, qyteti ka treguar gjithashtu se këto hapësira post-industri po i shërbejnë më së miri edhe kulturës. Për shembull: Qendra kulturore dhe sipërmarrëse Art_Incubator u hap në vitin 2014 dhe përmban studio arti, dhoma konferencash, dhoma të prodhimit të artit, një auditor dhe galeri, një kafene dhe një klub.

Ngjashëm, fabrika e mëparshme e Franciszek Ramisch, e njohur më së miri si OFF Piotrkowska, strehon studiot, dyqanet e projektuesit, galeritë, zyrat, klubet në modë dhe restorantet. Shumë aplikacione të ndryshme të artit dhe shkencës janë planifikuar për ish-centralin elektrik pranë Fabryczna Station, në qendër të qytetit. Kurse EC1 – një termocentral historik – ka qenë fokusi në investimet e mëdha në vitet e fundit. Ndërtesat post-industriale janë modernizuar këtu dhe zgjeruar jashtëzakonisht për të akomoduar një kinema 3D, një qendër shkencore, planetar, studio, punëtori dhe laboratorë, një galeri, teatër me zë, vend për seminare dhe dhoma konferencash. Dizajni për metamorfozën e kompleksit u përgatit në vitet 2007-2013 nga studiot e Shtëpisë së Shtëpisë Rafał Mysiak dhe Zyra e Investimeve Fronton.

Ekspozitat janë ndërtuar rreth temave të mbyllura si kimia dhe astronomi, por shfaqjet inkurajojnë vizitorët të prekin, luajnë dhe mësojnë në proces. Ka një tunel kozmik, lojëra lazer dhe iluzione optike për t’i mbajtur gjërat në lëvizje. Një djalë i shpjegon qartë, kurse unë përfitoj nga miqësia e tij me guidën time, që s’i ndahet gazi. Gjithsej, mësoj se qyteti ka 172 ndërtesa që do rinovohen, 139 hapësira do revitalizohen, 25 rinovime te Ksiezy Mlyn, 923 banesa, 43 shtëpi sociale, 102 zyra, 32 studio arti, 7 zyra OJQ. Në një letër shoh disa vlera. ZONA I POWIERZCHNIA: 7,964 HA, Kosto Totale e KOSZIT (CAŁKOWITY): 53 286 608 €, Financimi nga ERDF I DOFINANSOWANIE Z EFRR: 23 537 762 €. Qyteti është i ndarë me disa syresh.

Planifikimi Urban dhe rivitalizimi

Vërtet zëvendësimi i hapësirave industriale me muze, shtëpitë rezidenciale, zyrat, qendrat tregtare dhe objektet kulturore u bënë veçanërisht në modë në fillim të shekullit XX dhe XXI, por Lodz mund të mburret me një projekt të ndërmarrë shumë më herët. Që në fillim të vitit 1955, u mor vendimi për të shndërruar Ludwik Geyer Biała Fabryka në një hapësirë për Muzeun e Historisë së Tekstileve. E ndërtuar në vitet 1835-1837 në stilin klasik, kompleksi u vendos në dikur fabrikën e parë mekanike të tjerrjes dhe përpunimit në Lodz. Tani, për më shumë se gjysmë shekulli, ka strehuar Muzeun e Historisë së Tekstileve dhe që nga viti 2009, është edhe Muzeu i Hapur i Arkitekturës së Lodrave të Lodzit.

I gjithë ky peizazh industrial i transformuar tregon ndryshimin e qytetit. Tashmë inovacioni është kibernetika dhe materialet aliazhe, jo si dikur avulli dhe energji elektrike, paçka se ato revolucionarizuan ekonominë botërore dhe ndryshuan fytyrën e qyteteve. Anipse, Lodzi në një pjesë të madhe është ende i vjetër dhe disi i dalë jashtë loje. Bash këtë kapën njerëzit e bashkisë së Lodz dhe pushteti qendror, duke e rivitalizuar Vjetërsinë, në mënyrë që të tregonin sfidën e modernitetit për hapësirën post-industriale. SHBA, Franca, Anglia, Italia dhe Gjermania, Japonia e përballin me shqetësim këtë fenomen. Kurse vendet si Shqipëria si tragjedi. Dhe, si filloi? Duke menduar të gjendeshin mënyra për të ruajtur dhe për të rishikuar ndërtesat e tyre të fabrikës. Tek e fundit, edhe sikur të mos hynë në punë për asgjë, ato janë trashëgimia jonë dhe moderniteti ynë i arkitekturës industriale së shekullit XIX dhe XX dhe reliket e rëndësishme të një epoke të kaluar, më thotë vajza tejet energjike.

 

Lodz 2 - 791Lodz për “Expo 2022”

Është kjo përpjekje dhe kjo sfidë që e bëri qytetin polak të Lodzit të nisë përgatitjet për një ofertë të mundshme për Expo ndërkombëtare, llogaritur të mbahet në vitin 2022 ose 2023. Termi Expo përdoret për të treguar dy lloje ekspozitash ndërkombëtare. Çdo pesë vjet, mbahet eventi kryesor i njohur si Expo Botëror. Midis periudhave të World Expos, organizohen ngjarje të specializuara të quajtura thjesht International Expos. Këto zgjasin deri në tre muaj dhe përqendrohen si në këtë rast në një temë specifike.

Oferta kryesore polake bazohet rreth temës “Rishpikja e qytetit”, që mendohet si pjesë e një projekti afatgjatë për zhvillimin e Qendrës së Re të Lodzit. Expo polake do të ofrojë përdorimin e mjediseve ekzistuese në zonën e përfshirë nga Grand Teatri i qytetit, qendrën EC1 dhe kampusin e Universitetit të Lodz. Polonia, vërtet, nuk ka organizuar asnjë ekspozitë, por ka marrë pjesë në shumë ekspozita botërore dhe ndërkombëtare.

Ekspozitat janë ngjarje të mëdha botërore, të organizuara ciklike dhe bëjnë paraqitjen e arritjeve kulturore, shkencore dhe teknike të vendeve, kombeve, shoqërive dhe komuniteteve të botës. Ndaj, shumë qytete supremacinë e zhvillimit e kërkojnë përmes saj. Panairi i parë botëror u organizua nga Bureau International des Expositions (BIE) në 1851, në Londër…Kandidatura e Lodz, bashkë me Miniapolis dhe Buenos Aires, për të pritur International Expo 2022 do të vendoset në fund të vitit të ardhshëm. U kënaqe, më thotë vajza, që më përcjell dhe më fton sërish, duke më kujtuar: Kontribuo për Lodz!

Nuk kam shumë kohë. Pas disa orësh më duhet të jem në Varshavë, kurse pas vetes lë kujtimin dhe mbresat nga një qytet, ngritur jo nga propaganda por nga mrekullia e punës dhe vullnetit të njeriut. Polakët nuk vegjetojnë, por kërkojnë natyrshëm udhën e tyre. Këtë kujtoj, kur lëmë rrugët e gjëra dhe i afrohemi periferisë së Lodzit, që këndellet me imazhin e një hirushe në një pasdite të freskët. I bukur vullneti i njerëzve të Lodz. E mrekullueshme shpresa e tyre. Fryma e tyre. Verë 2017.

Leave a Reply

%d bloggers like this: