Home / Ekonomia / Fierza drejt pikës së krizës. Mbi 80% e energjisë po importohet

Fierza drejt pikës së krizës. Mbi 80% e energjisë po importohet

Gati 80 për qind e energjisë elektrike që hidhet aktualisht në rrjet vjen nga importi. Thatësira e tejzgjatur ka shteruar nivelin e Fierzës, që të hënën zbriti nën kuotën më të ulët të shfrytëzimit dhe po prodhon me kapacitet minimal.

Sipas KESH, niveli në Fierzë aktualisht është 269 metër. Për të mos lejuar rënien e rezervës, Koorporata po përpunon vetëm prurjet natyrale, prej 20 m3/sek.

Kjo sasi energjie shkon për të mbuluar nevojat e OST-së për ruajtjen e parametrave teknikë dhe humbjet në rrjetin e transmetimit dhe shumë pak për furnizimin me energji.

Ndërkohë, OSHEE po përgatit një tjetër procedurë për import për muajin gusht, që synon blerjen e 30 mijë megavat/orë, si pasojë e rritjes së konsumit të energjisë nga temperaturat e larta.

Vetëm për muajin korrik dhe gusht, OSHEE shpenzoi 52 milionë euro në total për blerjen e energjisë elektrike. Por procedura e re pritet të kushtojë më shtrenjtë, për shkak të periudhës aspak të favorshme të çmimeve në bursë.

Burime konfidenciale i thanë Top Channel se, nëse thatësira do të zgjasë, në muajin shtator vendi rrezikon varësi totale nga importi. Në këto kushte, blerja e energjisë do të tejkalojë mundësitë financiare të OSHEE-së, duke kërkuar deri edhe ndërhyrjen e buxhetit të shtetit.

Por ajo që do të ndihmonte në tejkalimin e vështirësisë financiare është kredia prej 22.4 milionë eurosh e Bankës Botërore që autorizon KESH të nisë importin me këtë fond, por që nuk është lëvruar ende nga kjo bankë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: