Home / Kosova / Kosovë, nënshkruhet koalicioni paszgjedhor – pritet të formohen institucionet

Kosovë, nënshkruhet koalicioni paszgjedhor – pritet të formohen institucionet

Koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, nënshkruan sot koalicion paszgjedhor me Aleancën Kosova e Re të afaristit Behgjet Pacolli. Nënshkrimi i marrëveshjes së koalicionit u bë vetëm disa orë pas largimit të AKR-së nga koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Marrëveshja pritet t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja, pasi që tashmë koalicioni fitues pritet t’i ketë 63 deputetë, të mjaftueshëm për të formuar qeverinë.

Aleanca Kosova e Re ka fituar katër mandate në parlamentin e Kosovës. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare kur kishte konkurruar e vetme, kjo parti nuk kishte arritur të kalojë pragun zgjedhor.

Nënshkrimi u bë nga udhëheqësit e Partisë Demokratike, Kadri Veseli, udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, udhëheqësi i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj dhe udhëheqësi i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Me këtë marrëveshje, Aleanca Kosova e Re pritet që në qeverinë e ardhshme të përfaqësohet me Zv/kryeministër, pesë ministri dhe me shtatë zëvendësministra.

Po ashtu me këtë marrëveshje përfshihet edhe posti i Presidentit të Kosovës, pas përfundimit të mandatit nga ana e Hashim Thaçit.

Në marrëveshje thuhet se “PAN dhe AKR-ja dakordohen që posti i presidentit të Kosovës t’i takoj AKR-së në mandatin e ardhshëm, pavarësisht mënyrës së votimit, qoftë përmes votimit në Parlament, qoftë përmes votimit të drejtpërdrejtë nga populli. Kështu partitë që përbëjnë koalicionin PAN dakordohen që të mos kenë kandidat të tyre për president të vendit duke u obliguar që ta mbështesin kandidatin e AKR-së”, thuhet në marrëveshje.

Në marrëveshje përfshihen edhe postet e ambasadorëve dhe agjencive qeveritare të cilat thuhet se duhet të ndahen në mënyrë “dinjitoze dhe profesionale”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli tha pas nënshkrimit se marrëveshje është në të mirë të të gjithë qytetarëve.

“Është një marrëveshje për qytetarët e Republikës tonë, për drejtimin tonë perëndimor, për Kosovën e zhvilluar ekonomikisht dhe për perspektivën e të rinjve dhe të rejave tona. Të njëjtën kohë besojmë shumë se do të zbatojmë obligimet që I kemi përballë integrimeve euro-atlantike. Drejtimi jonë drejt Bashkimit Evropian është i palëkundshëm dhe drejtimi për miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë përparësi e jona në katër vitet e ardhshme. Në të njëjtën kohë edhe fqinjësia e mirë, por fuqizimi I shtetit dhe integritetit tonë do të jenë përparësi e punës sonë. Kjo është e mirë për të gjithë qytetarët tanë, ky koalicion është në shërbim të çdo qytetari dhe në shërbim të vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e 11 qershorit”, tha zoti Veseli duke nënvizuar se formimi i qeverisë së re është çështje ditësh.

Ndërsa, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli tha se çuarja përpara e sfidave me të cilat përballet Kosova e ka shtyrë atë të drejt koalicionit paszgjedhor.

“Me këtë koalicion do t’i shtyjmë proceset përpara. Kemi sfida për të tejkaluar, ato tejkalohen vetëm me mirëkuptim, energji pozitive dhe punë,” tha zoti Pacolli.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se shpreson që të çojë përpara reformat e nevojshme.

“Ky bashkim, jam i bindur që i mundëson Kosovës nisjen shumë të nevojshme. Përgjegjësitë ne i kemi organizu sipas specifikave dhe vlerave që sjellim në qeverisje. Është një periudhë jo shumë e lehtë para nesh, jemi të vetëdijshëm, jemi të bindur se do t’ia dalim”, tha zoti Haradinaj.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj tha se nga sot hapet rruga e krijimit të institucioneve.

“Nga sot Kosova ka një koalicion me shumicë të konsoliduar dhe përfaqëson shumicën e vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe nga ky moment mund të llogaritet që është fillimi i ndërtimit të institucioneve të vendit tonë që besoj janë shumë pritur nga qytetarët e Kosovës dhe shpresoj që kjo qeverisje të jetë në shërbim të reformave dhe sfidave që na presin”, tha zoti Limaj

Arritja e marrëveshjes pritet t’i jap fund pritjes për formimin e institucioneve gati tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 qershorit.

Isa Mustafa: Kosova brenda gjashtë muajsh në zgjedhje të reja

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës tha të hënën në mbrëmje se koalicioni aktual nuk do të mund të zgjasë qeverisjen më shumë se gjashtë muaj qeverisjen.

Në një postim në rrjetin social Facebook, zoti Mustafa tha se “presioni i çdo ditshëm mbi z. Pacolli e bëri të veten. E bëri të veten edhe oferta tepër gjeneroze ndaj biznesmenit Pacolli. Ajo çfarë është e qartë nga ky koalicion është se nuk fitoi askush, as Pacolli me megaministritë e tij, as Ramushi me një qeveri asimetrike, as sekserët e “Listës Rugova” dhe më së paku fitoi Kosova, e cila më së shumti për gjashtë muaj do të shkojë në zgjedhje të reja nacionale. Sepse, një qeverisje, me numra në margjinën e shumicës së nevojshme, nuk mund ta zhvilloj asnjë seancë normale të parlamentit dhe të miratojë ligje e lëre më të marrë vendime të mëdha”,thuhet në reagimin e zotit Mustafa.

Zoti Mustafa thotë se janë “shumë shqetësuese pazaret kaq të mëdha për të qeverisur me çdo kusht. Prapa saj mund të fshihen interesa të mëdha ose frikë e madhe?!”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: