Home / Kosova / Kosovë, zhbllokohet situata politike. Serbët i marrin bujqësinë Pacollit

Kosovë, zhbllokohet situata politike. Serbët i marrin bujqësinë Pacollit

Pas 6 përpjekjeve të dështuara për ta përmbyllur më në fund seancën konstituive të Parlamentit të Kosovës, u vendos që Kuvendi të mblidhej sërish me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të tij si të vetmen pikë të rendit të ditës.
Por, nga ora 11:00 e paradites kur ishte caktuar zhvillimi i saj, u shty për më vonë duke qenë se në sallë nuk u paraqit asnjë deputet i koalicionit PAN dhe AKR-së.
Mbajtja e seancës është rezultat i marrëveshjes së arritur orët e vona të së mërkurës mes liderëve të PDK, AAK, Nismës, AKR, përfaqësuesve të Listës Serbe dhe pakicave të tjera. Negociatat vazhduan për orë të tëra, e në fund, grupi i partive politike i drejtoi kryetarit të përkohshëm të Parlamentit, deputetit më të vjetër Adem Mikullovci, kërkesën e mbledhjes së Parlamentit për finalizimin e një odiseje të nisur në 3 gusht. Përgjatë gjithë ditës kishin qenë kushtet e Listës Serbe ato që e vinin në pikëpyetje thirrjen e seancës konstituive. Përfaqësuesit e saj këmbëngulnin të merrnin tre ministri, përfshirë edhe atë të Bujqësisë, e caktuar fillimisht për Aleancën Kosova e Re.
Raporte në shtypin vendas tregojnë se Pacolli ka pranuar të bëjë kompromis duke u tërhequr nga kjo ministri, të cilën thuhet se do ta drejtojë Nenad Rekalo, aktualisht përfaqësues i Listës Serbe në Komisionin Qendror Zgjedhor.
Zhbllokimit të situatës ia hapi rrugën marrëveshja e arritur në fillim të javës mes koalicionit PAN dhe AKR-së. Në momentin e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar. Më pas, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, i takon koalicionit PDK, AAK, Nisma, AKR dhe pakicat që të nominojnë zyrtarisht mandatarin për formimin e Qeverisë së re. Pritet që ai të jetë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Sipas procedurave, Haradinaj duhet të marrë bekimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i drejtohet Kryesisë së re të Kuvendit me kërkesën për thirrjen e seancës për zgjedhjen e Qeverisë. Pas konstituimit të Kuvendit, votimi për Qeverinë mund të ndodhë që nga sot pasdite apo edhe brenda periudhës kohore prej 15 ditëve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: