Opinion

Kufiri që ndan shtetin ligjor nga shteti i së drejtës

Kico Blushi

Pas zgjedhjeve nuk po dëgjohet më kryeministri aktual të premtojë se, më në fund, udhëheqësi i shënjuar nga historia “do të na bëjë me shtet!”

Rama tani nuk hakatet të ngjajë kordhëtar, kokorroç e nofkëqar, por komunikon me popullin votonjës me zë grykor, paqësor, të qetë, të sigurt e të shtruar… Flet për certifikatat, për tepsinë e pushtetit, të cilën në bashkëpunim (në partneritet) me ne, qytetarët e zakontë, do t’a çojë për skrap. Premton paqe me opozitën, pastrimin përfundimtar të administratës nga qelepirxhinjtë dhe zuzarët, (këta “burokratë” pararendësi  i tij, M.Shehu i quante “rrufjanë politikë”…), por nuk e zë më në gojë fjalinë me rëndesë historike se do të “na bëjë me shtet”.

Ndoshta pse beson se tani që e ka timonin tërësisht vetë, themelet e shtetit janë hedhur.

Janë hedhur themelet e shtetit ligjor, pasi tani nuk sheh më “policë barkderra që hanë fara kungulli nëpër udhëkryqe” e të kërkojnë dy mijë lekëshin “për lalën”, por police simpatike me bllok në dorë që të vjelin gjobën me delikatesë, sipas spotit që shfaqi kryeministri gjatë fushatës, veshur tebdil polic… Jetojmë në një shtet ndryshe, jashtë standardeve e klisheve, por ama me rregull, me vija të bardha dhe mbi të gjitha, ligjor!


Duke dëgjuar programin  e ri qeveritar, shqiptarët duhet të binden se, edhe mbas sodit, do të ndërtohen “pedonalet” e do të lyen fasadat e komunikimit qytetar-qeveri, jo sipas “kazanit mediatik”, por sipas modelit të TV ‘Rama’…. Që shteti të mos ngjajë “si katund” ballkanik, që të krijohet përshtypja te ndërkombëtarët që venë-vijnë në Tiranë se tani kemi të bëjmë me një shtet tjetërsoj e allasoj, më serioz, më të fisëm, më autoritar, ndonëse ballkanik, më tepër evropian e më me klas se shtetet e fqinjëve që paraqiten me zyrtarë demode, të kollarisur, si policë province të veshur civilë…

Atletet dhe tishërtet, me të cilat kanë nisur të sfilatojnë edhe vartësit deputetë e ministra nuk janë e nuk duhen gjykuar si trill artistik i një ish- bohemi, po si stil e tipar themelor i shtetit antikomformist e modern që synohet të projektohet. Ky, me sa duket është e do të mbetet qëllimi programor e parësor i qeverisë së quajtur “Rama dy”.


Nuk ka të drejtë kurrkush të dyshojë se tani që Rama e ka timonin vetë, shteti do të bëhet edhe më ligjor, dmth edhe më i rreptë e më i fortë. Shtet i fortë do të thotë të ketë polici të fortë. Kurse sa për nivelin e administratës, të zyrtarëve, mjekëve, hipotekarëve, gjyqtarëve, prokurorëve, gazetarëve, mësuesve, etj., madje edhe të diplomatëve, gjendja është, si ka pohuar vetë Rama nëpër dëgjesat publike: “Ku thërret qameti!”… Por, edhe këta do të ndryshohen për hir të ndërtimit të shtetit të ri, ligjor, të “Shqipërisë që duam”, pa “ferrat e LSI”-së nëpër këmbë.

Shembuj të shtetit të fortë me polici të fortë jepen përditë kur arrestohen skamnorët, pa dallim feje, krahine e ideje (jo partie), ata “kriminelë” që nuk paguajnë dritat, se janë të papunë… Shteti ligjor kap ata që kapen me disa gramë drogë, ata që kanë pirë alkool teksa vozitin me makinë, ata që bllokojnë rrugët në shenjë proteste, ata ambulantë që shesin rraqe e barishte nëpër trotuare… Të gjithë këta “keqbërës të rrezikshëm” e kanë vendin në birucat e komisariateve…

Por ama ky shtet ligjor që nuk tregohet tolerant me varfanjakët e më të pambrojturit e shoqërisë, me ata që, kur i zë halli e lipset të paguajnë një avokat duhet të shesin shtëpinë, nuk e ka ndërgjegjen të zbatojë parimin themelor të demokracisë: barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit… Mjafton kjo për të kuptuar se edhe premtimi për shtet ligjor po përdoret si fasadë e lyer, por jo si funksion publik.

Ky shtet ligjor i “Shqipërisë që duam” nuk përballet kurrë me bosët e trafikantët e drogës, aq më pak me oligarkët e kompanive monopoliste, që kanë fatura disamilionëshe pa paguar në taksa e në OSSHE… Shtet ligjor do të thotë që të gjithë qytetarët, pavarësisht nga fuqia financiare dhe pushtetërore, të jenë të barabartë para Ligjit. Shteti me polici të fortë e me institucione të dobëta, të korruptuara, të varura nga partitë, me nëpunës të keqpërdorur, është automatikisht shtet i padrejtë.

Në një shtet të tillë qytetarët janë të destinuar të katandisen si personazhet e përrallës së famshme “Princi dhe i varfri”, ku shërbëtorët dhe badigardët e mbretit rrihnin fëmijën e një varfanjaku, shok me djalin e mbretit, që princi orekspakët të detyrohej të hante më shumë…

Shembulli më i freskët i shtetit të fortë me polici të fortë u dha të nesërmen e betimit të qeverisë, kur disa banorë të kryeqytetit, të cilëve do t’u shembeshin shtëpitë e ndërtuara pa lejë, e zunë rrugën që çon kryeministrin në shtëpinë e tij Surel… 153 familje bllokuan urën e Shkozës, duke kërkuar drejtësi dhe dëmshpërblim  nga shteti… Nëpër disa portale u shfaq një video amatore, që kishte filmuar një fëmijë që lebetitej e lutej, pse “policia e shtetit” po e tërhiqte nënën e tij zvarrë për t’a rrasur në burg….

Po atë natë në darkë, në një “kazan” televiziv, kryeministri deklaronte se do të ndërtonte “partneritetin me qytetarët”, duke u dhënë këtyre të fundit, të drejtën të kërkojmë interpelancë me ministrat e deputetët, sa herë të kenë ndonjë pakënaqësi… Ishte policia e shtetit që e zhbllokoi situatën, paçka se burrat e gratë kërkonin komunikim me zyrtarët e lartë, me kryebashkiakun Veliaj, me Tahirin dhe një deputete të zonës, të cilët u paskëshin premtuar gjatë fushatës zgjedhore se do të legalizoheshin (me kusht që t’u jepnin të gjithë timonin…), dhe se ata, po të ishin në vend të tyre, nuk do të lëshonin shtëpitë, edhe po të vinte me dhunë policia e “shtetit ligjor”…

Ngjarje të tilla, kur shteti ligjor bie ndesh me shtetin e së drejtës, shohim përnatë. Të nesërmen e njëjta situatë u përsërit në Ujë të Ftohtë të Tepelenës, në Vlorë para ca ditësh, në një fshat të Sarandës, në Himarë e nëpërkudo, pa përmendur policitë bashkiake që gjëmojnë, si zagarë, katundarët që shesin nëpër trotuare. Por asnjë nga këto kronika të zeza me gra që ulërijnë dhe thonë se do të vrasin veten, përballë ca policëve të ftohtë që “bëjnë detyrën” e “zbatojnë ligjin”, nuk na bëjnë përshtypje, sa kohë që nuk e kemi pësuar vetë. Pse?

Sepse edhe pas një çerek shekulli (edhe pse na thuhet se jetojmë në demokraci), nuk është rrafshuar e nuk është bjerur sadopak marrëdhënia e përçudnuar, e dyshimtë, e paqëndrueshme, pse jo edhe e pabesë e qytetarit me shtetin dhe me qeveritë, edhe kur këto i ka zgjedhur me “vota të lira dhe demokratike”. Pavarësisht në quhen të majtë a të djathtë, njëlloj si në monizëm, dhe në këtë kinse demokraci qeveritë nuk konsiderohen nga qytetarët aleatë, partnerë, mbrojtës, përfaqësues, “shërbëtorë të popullit”, po grabitqarë e hileqarë, ca miq-armiq të pabesë që tjetër thonë e tjetër bëjnë…

Sepse, po qe për shtet të fortë dhe ligjor, ky i sotmi, edhe pse quhet “demokratik”, është karikaturë para atij të diktaturës, i cili edhe ai, si ky i Ramës,  e quante veten “shtet ligjor”. Madje, edhe demokratik e popullor, ngaqë me ligj, me “shtet ligjor”, me Kushtetutë e me gjykatë të rraste në burg e të pushkatonte për një fjalë goje, për një kundërshtim, për një mospajtim, natyrisht jo me veting, po “në emër të popullit!”.

Sepse kur shteti ligjor nuk është i drejtë, kur nuk të jep e nuk garanton barazi para ligjit për të gjithë qytetarët, në mos është diktatorial, është i prirur të jetë kriminal, antikombëtar, korruptiv, i urryer. Këtë lloj shteti qytetarët nuk e quajnë të tyrin, nuk e pranojnë si administrator, nuk e ndihmojnë, mund të detyrohen t’i japin votën, por nuk i japin mirëbesim, pasi sillet më keq se një pushtues, më zi se një armik i shpallur… Qytetari, kur nuk përballet dot me një shtet të tillë “ligjor”, ose e saboton, ose bëhet refugjat, si  e vetmja zgjidhje që i mbetet për mbijetesë…

Një nga banorët e Shkozës na drejtoi nëpërmjet kamerave afërsisht këtë pyetje retorike: Po shteti a ka ndonjë përgjegjësi që na lejoi të ndërtojmë shtëpi pa lejë dhe na la të qetë për mbi njëzet vjet të jetojmë këtu, me shpresë se do të legalizohemi? Meqë e ka dëgjuar përgjigjen e shtetit ligjor, banori u përgjigj vete: Qeveritarët e sotëm mund të justifikohen: ju  kanë lejuar qeveria e Saliut, e Nanos, kurse ne të Ramës nuk mbajmë përgjegjësi, sepse ne do të ndërtojmë shtetin ligjor… Por po qe kështu, pyeti banori, përse dëmshpërblehen ish-të burgosurit nga diktatura, kur për burgimin e tyre nuk janë përgjegjës rilindasit e Ramës?

Përgjigja është e thjeshtë: me të burgosurit politikë shteti ligjor detyrohet të sillet si shtet i së drejtës, kurse me qytetarët që ju prishen shtëpitë, sillet si shtet policor. Si shtet i së padrejtës. Një shtet normal ka të drejtë, për interes publik të shpronësojë, të kompensojë, të largojë të palegalizuarit, n’daç edhe me polici, kur nuk zbatohen vendimet e gjykatës.

Por kjo nuk do të thotë që brenda natës t’u prishen shtëpitë me buldozer e të hidhen familjet e vobekta në mes të katër rrugëve… Shteti i së drejtës e ka për detyrë kushtetuese të sigurojë jetesën e qytetarëve të vet, duke iu dhënë asistencë të papunëve, duke u solidarizuar me shtresat në nevojë, duke iu siguruar strehim të braktisurve, të papunëve, të sëmurëve, duke u paguar qiratë e banesave sociale, duke iu siguruar jo vetëm kafshatën e gojës…

Kjo është Shqipëria që duam, ky është shteti që presim, kjo është qeveria që na mungon që kurse është krijuar shteti shqiptar e tëhu…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button