Kosova

Kuvendi i Kosovës diskuton për procesin e dialogut në prag të takimit Kurti-Vuçiç

Duke iu drejtuar opozitës, kryeministri Kurti tha se “duhet një përmbledhje dhjetëvjeçare e gabimeve të opozitës në dialog, për të mos i përsëritur ato. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar për ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të jenë të barabarta në tavolinën e bisedimeve, duke nënvizuar se procesi i dialogut tash e tutje nuk është vazhdim i punës paraprake.

Duke iu drejtuar opozitës, kryeministri Kurti tha se “duhet një përmbledhje dhjetëvjeçare e gabimeve të opozitës në dialog, për të mos i përsëritur ato”.

Ai, për takimin me presidentin serb Aleksandër Vuçiç që pritet të ndodhë javën e ardhshme, tha se nuk do të jetë “takim i ri i dialogut të vjetër”, por “takim për dialogun e ardhshëm”.

“Është tejet e rëndësishme që palët e përfshira në bisedime të dizajnojnë që në start komponentët e procesit që garantojnë konvergjencën drejt synimit përfundimtar. Kjo duhet të përfshijnë kornizat makro mbi elementet përbërëse të marrëveshjes. Për shembull njohjen reciproke, njohjen nga pesë shtetet e BE-së, anëtarësimin në OKB, mbrojtja reciproke e komuniteteve respektive, mekanizma monitorues, afatet kohore dhe të ngjashme. Palët në tavolinë duhet të ndihen të barabarta në secilën fazë të bisedimeve”, tha Kurti.

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj kritikoi kryeministrin Kurti për “qasje joserioze” ndaj dialogut.

Ai tha se dialogu i ri i kryeministrit Kurti është një fotografi me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

“Sot kur e lexova kryeministrin, duhet ta dinë qytetarët e Kosovës se dialogu nuk është i përgatitur politikisht fare. Sot kur dëgjova kryeministrin, qytetarët e Kosovës duhet ta dinë që dialogu nuk është i përgatitur në rrafshin diplomatik. Ky do të duhej të na tregonte sa letra i ka dërguar në cilat kryeqendra para se të shkojë javën e ardhshme në Bruksel, këtë punë e kemi bërë çdo herë”, tha Hoxhaj.

Ndërkaq edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se Kurti ka ndryshuar radikalisht në secilën kauzë deri më tani.

Sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti po shkon në dialog pa u përgatitur.

“Transparenca në sytë e popullit është domosdoshmëri. Çdo gjë kalon nëpër këtë Kuvend. Sidomos dialogu duhet të kalojë nëpër këtë Kuvend. Prandaj, kryeministri do të duhej sot para qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre të raportojë mbi rundin e ri dialogues ku ai të martën është nisur. Pra, të tregojë për hapat e tij të ardhshëm në këtë proces të rëndësishëm për ecurinë e vendit. Pra, ky çfarë do të bëjë. Për atë se çfarë ka ndodhur deri më tash, e dimë, por ky çfarë do të bëjë. Nuk je më opozitar zotëri Kurti të kundërshtosh. Je njeriu që i ke të gjitha, trego çfarë do të bësh”, i tha Abdixhiku kryeministrit Kurti.

Të martën, më 15 qershor do të mbahet takimi i parë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Vuçiç në Bruksel.

Lajmin për mbajtjen e takimit të parë të kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiç e ka konfirmuar në një takim me gazetarë në Bruksel, Peter Stano, zëdhënësi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian.

Në fillim të muajit qershor për vizitë zyrtare në Kosovë qëndruan Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherësh i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Në një konferencë të përbashkët të mbajtur pas takimeve me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, me udhëheqës të partive opozitare si dhe me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë, Lajçak dhe Palmer ritheksuan mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button