Opinion

Mbroje nusen nga Bregoviçi!

PELLUMB KULLA 

Trishtohem fort, kur një djali i ri, apo burrë i vjetër kosovar, mes një numrit të shumtë, tek ndihet që janë  të organizuar të më shkruajnë, pa qenë miqtë e mi në faqe të fejsbukut, hyjnë në faqen time, shajnë, mallkojnë dhe më kërcënojnë. E bëjnë pasi dy ditë të shkuara, ngrita zërin për absurditetin e konfliktit të ri e të turpshëm mes shqiptarëve, për një artist të mrekullueshëm bosnjak, i cili ka  kënduar në kohën që shumë serbë, poshtërsisht, dhunonin në truallin e Kosovës dhe ndërkohë i pëlqenin këngët e tij, sikurse i pëlqeja unë.

Kjo është afria e vetme që kam unë me ata kriminelë.

Meqë e dijnë serbishten, më mirë le të na i përkthejnë fjalët që ka kënga me kallashnikov, se mbase  mësojmë që me atë armë ai fton të vriten shqiptarët… Që ne pastaj, me të drejtë, ta përbuzim e t’i kthejmë kurrizin Bregoviçit.

Këngë me armë kemi edhe ne plot: “O djem rrëmbeni pushkët”, “Topi bam e ti, po tutje!” “Do marr çiften”  “Topa mitroloza rrahin pa pushim”… Po ato na sjellin emocione të mira.

Ne, “tradhtarët” shahemi, se artisti jugosllav ato kohë këndonte aq bukur, sa frymëzonte invazorët e trojeve kosovare…

Po mirë, more djem të Kosovës së sotme, ne duhet të shajmë dhe urrejmë artistët turq, italianë, grekë dhe gjermanë, ngaqë ca bashkatdhetarë të tyre me uniforma e vezme me fishekë në brez, na patën vrarë e prerë shekullin që shkoi?!

Një (djalosh?) me emër Ersan Jashari, që nuk ka faj shumë që nuk më njeh, (se që ai nuk më njeh është faji im), më shkruan:

“Tradhtia ndaj kombi nuk asht ndryshe mos vall e ke pas familjar Esat pash Toptani ruje nusen se bregoviqi ta merr por nashta se kije dert se bregoviqi ka emer te madh se me te vertet ai asht nji Patriot i madh per kombin e vet nuk asht tradhtar si ju…”

Nuk e trishton njeriun një shkrim i tillë? Ka kundërshtar më të vështirë për një shkrimtar, (që ka shkruar dhe për Toptanin, pale!), se një djalë (burrë) që në vend të shkojë edhe ca javë më shumë në shkollë, ku do t’i jepnin edhe një trastë me pika dhe presje, shkon në një tubim, ku e udhëzojnë të mbrojë çështjen kombëtare nga ne, tradhëtarët?

Po e mbyll këtu e nuk shkruaj dot më gjatë, se tani jam edhe më i ngarkuar e më i zënë, se “po e ruj dhe nusen time, Xhuljetën, “nga Bregoviqi”

Na ndihmoftë, Zoti! Sidomos sot, që me këtë nuse kam edhe 52 vjetorin e martesës! Nuses i  ka hyrë frika, po ne, burrat, mbahemi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button