Home / Kryeartikull / Është bukur të mos jesh derr në fermën tonë të kafshëve

Është bukur të mos jesh derr në fermën tonë të kafshëve

Mustafa-NanoMustafa Nano

Në shkrimin e fundit të publikuar në ‘Shqip’, në atë me titull ‘Policia mes show-t e suksesit’, nënvizoja me tone përshëndetëse, mes të tjerash, disa përpjekje që po bëhen nga policia shqiptare për trajtimin e “derrave” në mënyrë të barabartë me “kafshët” e tjera, duke krijuar kështu një thyerje apo ndarje me një praktikë të moçme, sipas së cilës, derrat, d.m.th. njerëzit e nomenklaturës sunduese, kanë qenë gjithnjë më të barabartë se kafshët e tjera, d.m.th. vegjëlia e sunduar.

Sa më sipër, d.m.th. thyerjen me këtë traditë orwell-iane, nuk e kam nxjerrë nga sondazhet apo statistikat. Sondazhe nuk ekzistojnë, ndërsa statistikat, edhe pse mund të ekzistojnë, unë nuk i kam në duar; pastaj, nuk do guxoja gjithsesi t’u referohesha për shkak të mosbesimit që ekziston për to. Këtë tezë pra të thyerjes me këtë traditë, e mbështes thjesht te vëzhgimet e mia e te një perceptim që është krijuar tek-tuk. E prandaj, kjo tezë e imja ka, në teori, të njëjtin legjitimitet që ka dhe teza tjetër, sipas së cilës derrat vijojnë të jenë më të barabartë, në mos edhe më të barabartë se sa më parë, se kafshët e tjera. Përveç kësaj, unë jam duke folur në këtë mes për një dukuri (nëse e shihni edhe ju) që ndodhet në një fazë embrionale. Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe. Një traditë disa qindravjeçare e pushtetarëve arrogantë që dalin mbi ligjin nuk mund të mposhtet as nga disa dhjetëra policë të mirë (nëse këta policë të mirë ekzistojnë), as në harkun e treqind ditëve.

Përpara se t’ju them atë që unë kam vënë re, por ju tregoj atë që më ndodhte deri më 23 qershor (kuptohet, ajo që ndodhte deri më 23 qershor nuk ka lidhje veç me pushtetin paraardhës). Dhe nuk është se po them gjëra të reja. Janë gjëra që i kam thënë dhe herë të tjera. I kanë thënë dhe të tjerët tok me mua, e ndonjëherë përpara meje e më fort se unë.

Deri më 23 qershor, unë kam qenë një “derr” i privilegjuar. Me fjalë të tjera, sa herë që më ndalnin policët në rrugë, skenari ishte i njëjtë deri në mërzi. “Ah, zoti Nano, qenkeni ju?”, ia bënte polici i radhës. “Po, urdhëroni”, thoja unë. “Jo, nuk ka asnjë problem, nuk e dinim që ishit ju; mund të vazhdoni; ju kërkojmë ndjesë”, dhe me këtë biseda mbyllej. Unë vijoja rrugën.

Mund të kem qenë me dhjetëra herë personazh i kësaj fabule. Policët kanë qenë gjithëherën të sjellshëm me mua. Kurrë nuk më kanë gjobitur, edhe pse në ndonjë rast, sidozot kur më kanë kapur duke ecur me shpejtësi në superstradë, e kam pasur hak të gjobitem. Ka qëlluar që të gjobitem, por në mungesë ama; fjala vjen për ndonjë parkim në vendin e gabuar, apo për parkim paralel me linjën e parkimit të lejuar. Ndërsa gjoba “sy më sy” nuk më janë vënë. Kuptohet pse. Në një botë dystopike, si kjo ku jetojmë prej kohësh që s’mbahen mend, një “derri” nuk mund t’i vihen gjoba e nuk mund t’i jepen ndëshkime. Ligji pra nuk mund të veprojë kundër një “derri”, çfarëdo që të bëjë ky “derr”. Ligji mund të veprojë vetëm kundër “kafshëve” të tjera.

Një herë, vetëm një herë, jam ndodhur edhe në një situatë krejt tjetër, dhe për këtë kam bërë një artikull të fortë. Në Murriqan, teksa kthehesha nga Mali i Zi, më del përpara, në një kthesë, një togë policësh, dhe njëri prej tyre, ai që më ndali, sapo më njohu, ia bëri: Ah, shih kush na qenka! Dhe pas kësaj, m’u drejtua me fjalët: Kur del fytyra jote në TV, unë ndërroj kanal. Unë u shock-ova, por nuk u çudita. Nuk kish arsye të çuditesha. Gjesti i tij ishte në logjikën e regjimit orwell-ian, në të cilin jetonim. Në atë rast konkret, për atë polic konkret, unë nuk bëja pjesë tek derrat që vlenin më tepër se sa ligji. Përkundrazi, unë isha një nga kafshët e tjera, madje jo një kafshë që duhej të gjurmohej për t’u kapur në gabim a kundërvajtje, por një kafshë, së cilës i duhej gjetur se s’bën kundërvajtja. E më e bukura ishte se unë kundërvajtjen e kisha qysh në fytyrën time, që atij polici të Republikës, të Republikës që ish dhe e imja, ia sillte zorrët te goja.

Përsëris, ky ka qenë një rast i rrallë. Rëndom, unë kam qenë prej kohësh pjesë e nomenklaturës së paprekshme të derrave. Mirëpo – tani po kthehem tek argumenti i fillimit – ka ca muaj, që nuk e gëzoj më këtë status të derrit. Të paktën, kështu më duket. Nuk ka ndodhur më të më ndalin e të më thonë “ah, jeni ju zoti Nano? Ok, ju kërkojmë ndjesë”. Gjatë gjashtë muajve të fundit, mua më ka qëlluar vetëm një herë të më ndalin. Donin të verifikonin, nëse kisha gjoba pa paguar, dhe më bëri përshtypje se, ndonëse e kishin të qartë se kishin të bënin me një “derr”, e çuan deri në fund atë që kishin nisur. Më çuan deri tek një oficer që ishte disa metra më tutje, brenda makinës së vet, me një kompjuter mbi gjunjë. Ishte një djalë i ri rreth të tridhjetave. U soll me shumë korrektesë me mua, ndonëse nuk lëvizi fare prej vendit. E nuk dha asnjë shenjë se e kish kuptuar se përpara syve kish një “derr”. Bëri verifikimin në kompjuter, dhe në fund m’u drejtua me fjalët: Zotëri (nuk m’u drejtua me “zoti Nano”, dhe ky ishte një ndryshim kolosal), puna e parë që duhet të bëni është të shkoni të paguani gjobat; ju figuroni tanimë si një person që jeni paralajmëruar se duhet të paguani gjobat, e nëse ju gjejmë sërish me gjoba të papaguara, do të ndëshkoheni me penalitete të tjera”. “Si urdhëron!”, i thashë, dhe u largova. Bëra atë që më tha, shkova në një pikë postare, dhe pagova gjobat e prapambetura. Por ndërkohë, isha në një gjendje ngazëllimi. Ishte hera e parë që dikush nuk më shihte si një “derr”.

E di, ky oficer i ri, emrin e të cilit nuk e mësova dot e fytyrën e të cilit e kam harruar, mund të jetë një rast i rrallë. Nga ana tjetër, në ndryshim nga unë, kolegë të mitë, “derra” të tjerë pra, mund të kenë provuar përvoja të ndryshme nga kjo e imja, e në këtë kuptim, rasti në fjalë, mund të mos jetë fare përfaqësues. Por mua më ka mbetur në mendje, megjithatë. Ngaqë ishte hera e parë që unë u trajtova si një kafshë e zakonshme e Fermës sonë të Kafshëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.