Arrestohet farmacistja dhe administratori, shisnin ilaçe kontrabandë
Administratori dhe punonjësja e farmacisë janë vënë në pranga në Tiranë nën akuzën e kontrabandës së produktesh farmaceutike.
Ndërkohë është shpallur në kërkim edhe drejtuesja teknike e farmacisë.
Sipas policisë Julian Ll., 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator farmacie dhe E. P., 29 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë punonjëse farmacie u vunë në pranga, ndërsa u shpall në kërkim shtetasja A. P., 66 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë drejtuese teknike e farmacisë.
Shtetasit e mësipërm në një pikë farmacie në rrugën “Kongresi i Manastirit”, tregtonin dhe shisnin produkte farmaceutike kontrabandë.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit”, parashikuar nga nenet 178, 180 dhe 149/a të Kodit Penal.