Kronika

Balla takim me Sveçla në Morinë: Të zgjidhim çështjen e siguracioneve që krijon radhë në kufi

Në pikën e kalimit kufitar në Morinë gjatë ditëve të fundit në drejtimin Shqipëri – Kosovë ka pasur radhë të gjata të emigrantëve që kthehen me pushime. Këto radhë krijohen sepse makinat me targa të huaja, me përjashtim të mjeteve me targa të Shqipërisë, duhet të paguajnë siguracion për të hyrë në Kosovë.

Bazuar në vendimin e Ministrisë së Financave të Kosovës është i nevojshëm regjistrimi, për të përfituar rimbursimin e siguracionit. Nga ana tjetër, shoqatat e siguracioneve deklarojnë të dhëna që janë të dyshimta. Por ky vendim ka krijuar radhë në kufi.

Për të zgjidhur shpejt problematikën, ministri i Brendshëm, Taulant Balla i ka kërkuar prej javës së kaluar homologut Xhelal Sveçla, të lehtësohet kthimi i qytetarëve nga Kosova me makinat e tyre në këtë sezon pushimesh.

Për këtë çështje, Balla zhvilloi sot në Morinë një takim me homologun e tij të Kosovës, ku kërkoi t’u lehtësohet në maksimum rruga këtyre qytetarëve për në atdhe, e jo t’u vështirësohet.

Në një prononcim për mediet, ai vlerësoi se “është një gjë e mirë që ka një shkëmbim shumë të madh në të dy anët e kufirit, mes Shqipërisë dhe Kosovës”.

“Ne do të takohemi shumë shpesh, sepse kemi shumë marrëveshje të firmosura tashmë të cilat duhet të zbatohen. Por konkretisht ka një rritje të numrit të mërgimtarëve e jo vetëm, edhe udhëtarëve të tjerë nga vende të ndryshme, të cilët udhëtojnë nga Shqipëria për në Republikën e Kosovës, e për shkak se për të gjitha targat me përjashtim të targave të Shqipërisë do të duhet të pajisën me siguracion, kjo merr një kohë të caktuar”, tha ai.

Balla u shpreh se sa kohë që mërgimtarët bëjnë me orë të tëra udhëtim nga gjithë Europa e jo vetëm për t’u kthyer, duhet të gjenden të gjitha mundësitë që gjatë kthimit të tyre në Kosovë përmes pikës së kalimit të Morinës, koha të jetë shumë e shkurtër.

“Ose të gjejmë modalitetet se si t’i japim një zgjidhje që pajisjen me siguracion mos ta bëjnë më në pikën e kalimit kufitar, por, një propozim ka qenë, ta bëjnë brenda një kohe të caktuar, sapo hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, ose brenda një distance të caktuar. Në shumë vende p.sh., ka një model që brenda një distance, 50-100 km, ke kohën ose mundësinë për t’u pajisur me këtë siguracion. Mendoj që një prej arsyeve të këtij niveli të lartë të këtij trafiku është pikërisht kjo. Këtu është fjala për një çështje, do ta quaja administrative, dhe kam shumë besim që do ta zgjidhim”, tha ai.

Nga ana e tij, Sveçla u shpreh se “kemi vullnetin më të mirë të mundshëm që emigrantëve t’iu shërbejmë shpejt, me efikasitet dhe po mendojmë disa variante se si të tejkalohen këto vështirësi”.

“Ne kemi shumë marrëveshje, të cilat janë të nënshkruara mes dy Ministrive dhe po punojmë intensivisht që të gjitha ato marrëveshje të implementohen edhe në realitet. E keni parë që si rezultat i marrëveshjes për kalim të lehtësuar në pikat kufitare, tashmë nuk kemi shtetas të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, me targa të këtyre vendeve, të cilët presin në radhë. Problemi apo vështirësitë që kemi tash, është me mërgatat tona, të cilët vijnë, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, për pushimet e tyre. Ne kemi vullnetin më të mirë të mundshëm që mërgatave tona, t’iu shërbejmë shpejt, me efikasitet dhe po mendojmë disa variante sesi të tejkalohen këto vështirësi. Biseduam edhe me ekipet tona, zgjidhje ka. Patjetër që ka një vullnet të jashtëzakonshëm politik dhe unë besoj se shumë shpejt do të vërehen ndryshime të rrënjësishme”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button