Kronika

Inaugurohet Arkivi Qëndror për regjistrimin dixhital të seancave gjyqësore

Inspektorët gjyqësorë do ta përdorin arkivin qendror për të hetuar ankesat kundër gjyqtarëve, si dhe për të mbështetur me të dhëna vlerësimin e gjyqtarëve për promovim apo marrje masash disiplinore. Ky është objektivi i Arkivit Qendror për Ruajtjen e Regjistrimeve Dixhitale Audio të të gjitha seancave gjyqësore në Shqipëri.

Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm ambasadori i SHBA-së, Donald Lu, Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, dhe kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. USAID-i ka mbështetur procesin e instalimit të teknologjisë së Regjistrimit Dixhital Audio (RDA) në të gjitha gjykatat shqiptare. Tashmë, mbi 80 përqind e të gjitha seancave gjyqësore regjistrohen me anë të sistemit RDA. Ky sistem garanton një procesverbal të saktë të seancave gjyqësore, e rrjedhimisht edhe një sistem gjyqësor më të efektshëm e të përgjegjshëm, që i ofron palëve më shumë transparencë e paanshmëri.

Sistemi RDA është shtrirë në të gjitha sallat e gjyqit, gjithsej 140, të 36 gjykatave shqiptare, ku përfshihen ato në rajonet e apelit të Korçës, Durrësit, Tiranës, Vlorës, Gjirokastrës e Shkodrës, gjykatat e shkallës së parë dhe apelit për krime të rënda, gjykatat administrative të shkallës së parë të Tiranës, Korçës, Vlorës dhe Shkodrës, Gjykata e Apelit Administrativ, si dhe Gjykata e Lartë. USAID-i ka realizuar trajnimin lidhur me përdorimin e sistemit RDA për 740 punonjës të gjykatave, ku përfshihen gjyqtarët dhe stafi administrativ i tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button