Ekonomia

Falimenti, Juristët: Ligji siguron mjedis të përshtatshëm për daljen nga tregu

I miratuar pa shumë bujë edhe pse kërkonte shumicë të cilësuar, ligji i ri “Për falimentin” pritet të marrë edhe firmën e Presidentit të Republikës. E më pas do të duhet të botohet në Fletoren Zyrtare për të hyrë në fuqi 6 muaj pas kësaj date. Gjatë kësaj periudhe do të duhet të përgatiten aktet nënligjore që do të miratohen nga Këshilli i Ministrave. Pa fuqi prapavepruese ky ligj i ri ka në përbërje 211 nene dhe fare mirë mund të konsiderohet si një “kod”.

Avokate Ardjana Shehi e studios ligjore Kalo & Associates thotë se ligji i ri, mbi të gjitha, mundëson një mjedis të përshtatshëm ligjor për daljen nga tregu, të të gjithë llojeve të subjekteve, përfshirë edhe personat fizike (individët). Këta persona në një ekonomi tregu duhet të kenë të drejtën e hyrjes, por edhe të daljes nga tregu në mënyrë ligjore me qëllim që t’i mundësohet realisht një ‘fillim i ri’.

“Po kështu, ligji i ri, duke bërë një renditje të re të pretendimeve të kreditorëve të falimentimit, të ndryshme nga renditja e nenit 605 të Kodit Civil, mundëson që prioritet të kenë kreditorët e siguruar për mbi kreditorët e preferuar. Ligji i ri parashikon edhe mundësinë e marrëveshjes jashtëgjyqësore të riorganizimit të përshpejtuar, si dhe parashikon disa hollësi të tjera, që kanë të bëjnë me të drejtat e kreditorëve dhe me procedurë e falimentimit. Edhe në këtë vështrim mund të thuhet se ky ligj i ri kënaq pritshmërinë e aktorëve ekonomikë që performojnë në tregun e lirë’, thotë av.Shehi.

Disa nga nenet e ligjit

Neni 7

Debitori në procedurën e falimentimit

  1. Procedura e falimentimit mund të fillojë ndaj çdo debitori si person fizik ose juridik.
  2. Procedura e falimentimit mund të fillojë edhe pas prishjes së personit juridik që ende nuk është likuiduar.
  3. Procedura e falimentimit nuk mund të fillojë ndaj subjekteve publike, objekt i së drejtës administrative. Shoqëritë me kapital publik ose shtetëror, të organizuara si person juridik privat, janë objekt i këtij ligji.
  4. Ligji nuk zbatohet për shoqëritë e sigurimit, bankat, fondet e pensioneve, fondet e investimeve të letrave me vlerë dhe institucione të tjera që grumbullojnë depozita nga publiku ose institucione të tjera financiare, për të cilat procedura e falimentimit rregullohet në një ligj të posaçëm. Ky ligj zbatohet për institucionet jobankare, sipas parashikimeve të legjislacionit për bankat në Republikën e Shqipërisë.
  5. Në rast të paaftësisë paguese të një subjekti që ushtron veprimtarinë e tij në një sektor strategjik të përcaktuar me ligj të posaçëm, si dhe të një subjekti që kryen një shërbim publik, zbatohet ky ligj nëse nuk rregullohet me një ligj të posaçëm, ose kur rregullohet me një të tillë, por subjektit i është hequr licenca.

Neni 94

Vendimi për riorganizim

  1. Nëse mbledhja e raportimit vendos riorganizim, mund t’i kërkohen administratorit hartimi i një plani riorganizimi, depozitimi i tij në gjykatën e falimentimit dhe bërja publike jo më vonë se 1 muaj përpara datës së mbledhjes së diskutimit dhe votimit të planit, të parashikuar në pikën 2 të këtij neni.
  1. Me marrjen e vendimit për riorganizim gjatë mbledhjes së raportimit, gjykata e falimentimit vendos datën për mbledhjen e diskutimit e të votimit të planit. Kjo mbledhje mbahet jo më vonë se 60 ditë pas mbledhjes së raportimit.

Neni 95

Vendimi për të filluar likuidimin

Nëse në vendimin e mbledhjes së raportimit është caktuar fillimi i likuidimit të masës së falimentimit, gjykata e falimentimit i kërkon administratorit të falimentimit të hartojë një plan për likuidimin e masës së falimentimit të debitorit me përmbajtje dhe afate kohore siç është rregulluar në këtë ligj, në pjesën mbi likuidimin. Plani i likuidimit përfshin shitjen e aktivitetit ose të një apo më shumë aktiviteteve, duke ruajtur vazhdimësinë e tyre, për aq sa është e mundur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button