Kosova

Blinken: Liderët e Kosovës dhe të Serbisë do të bëjnë kompromise të vështira – përfitimet do të jenë të mëdha

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një urim drejtuar Serbisë për Ditën Shtetërore, ka thënë se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të bëjnë kompromise të vështira në arritjen e një marrëveshje, por shton se përfitimet për qytetarët e të dyja vendeve do të jenë të mëdha.

Ai po ashtu ka përshëndetur “angazhimin konstruktiv” të Serbisë në bisedimet e fundit me pesë diplomatët e lartë që qëndruan në Beograd për dialogun Kosovë-Serbi, raporton Gazeta Express.

“Përshëndeta angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë gjatë një vizite të fundit në Beograd. Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha”, ka theksuar Blinken në këtë letër.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë mbështetëse e fortë e “ambicieve të Serbisë për në BE”.

“Ne jemi të përkushtuar të punojmë me ju dhe partnerët tanë të BE-së drejt këtij qëllimi të rëndësishëm”.

Blinken ka përmendur edhe mbështetjen që Serbia duhet të ketë për Ukrainën.

“Gjithashtu i bëj thirrje Serbisë që të mbështesë Ukrainën kundër luftës së paprovokuar, të pajustifikuar dhe brutale të Rusisë. Shtetet e Bashkuara mirëpritën mesazhet e Serbisë për mbështetjen e Ukrainës në Kombet e Bashkuara – dhe ne duhet të jemi të bashkuar në mbështetjen e të drejtës së popullit ukrainas për të zgjedhur të ardhmen e tyre”.

“Jam i kënaqur që dy vendet tona nënshkruan së fundmi një Memorandum Mirëkuptimi për të krijuar pozicione ndërlidhëse për diplomatët serbë brenda Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Ky program unik jo vetëm që do të nxisë një kuptim më të mirë të synimeve dhe objektivave tona të politikës së jashtme përkatëse, por do të krijojë kanale të reja komunikimi dhe do të ndërtojë partneritete të qëndrueshme”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button