Kronika

Prokuroria apelon sot vendimin për Arben Frrokun

Prokuroria do të dërgojë sot në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda vendimin e shkallës së parë të kësaj gjykate që i dha pafajësinë Arben Frrokut, vëllait të deputetit Mark Frroku. Arben Frroku u lirua të premten nga burgu ku qëndroi për 13 muaj nën akuzën për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Frroku ishte i dyshuari kryesor. Prokuroria kishte paraqitur si provë kryesore një dëshmitar, i cili në dosjen hetimore figuron me emrin Arben Ndoka. Emri i tij i vërtetë, Flamur Vladi, u dekonspirua nga një njoftim i policisë, pasi makinës së tij iu vu një sasi tritoli. Ai mësohet se është larguar nga Shqipëria për arsye sigurie. Një tjetër dëshmitar në këtë ngjarje, një gardist që ishte personi i parë të cilit i kishte telefonuar Vladi pas vrasjes së Lamajt, nuk gjendet. Y. Memia nuk është paraqitur në prokurori edhe pse është thirrur prej saj. Po kështu, edhe Enver Stafuka, i akuzuar si personi që kishte vjedhur makinën e përdorur në atentatin kundër kryekomisar Lamajt, rezulton i zhdukur prej disa muajsh. Ai u arrestua pas ngjarjes, por u lirua për mungesë provash. Stafuka u rrëmbye në shkurt të këtij viti në Fushë – Krujë nga disa persona të veshur me uniforma policie. Rrëmbimi i tij u filmua nga disa kamera sigurie. Megjithatë, prova më e fortë mbetet dëshmia e Vladit. Ai e ka regjistruar atë duke treguar me detaje skenën. Rrëfimi i tij përkon me filmimet e regjistruara nga një kamera sigurie. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Arben Frrokut me burgim të përjetshëm, por Gjykata e shpalli të pafajshëm pak minuta përpara se Gjykata e Lartë të vlersonte si të ligjshëm arrestimin e vëllait të tij, deputetit Mark Frroku, që akuzohet në Belgjikë për vrasjen e Aleksandër Kurtit më 5 mars të vitit 1999.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button