Kronika

KQZ shtyn regjistrimin e PD-së, Celibashi: 48 orë afat për plotësimin e dokumentacionit nga Basha

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi sot mbledhjen për regjistrimin e disa partive politike dhe shqyrtimin e dy kërkesave për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit.

Në fjalën e tij, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi tha se “jemi përballë dy kërkesave për regjistrimin e partisë politike “Partia Demokratike e Shqipërisë”.

“KQZ ka dy kërkesa. Një kërkesë vjen nga Berisha, që thotë, jam kryetar i PD dhe kërkon të regjistrohet. Kemi dhe një kërkesë tjetër nga Basha, përmes përfaqësimit ligjor. Ne jemi në shqyrtim të kërkesës për të regjistruar PD. Në këtë shqyrtim do të shohim se i kujt është tagri për të përfaqësuar këtë parti. Nëse është tagër i Berishës apo i Bashës. Nuk do të vendosim në këtë moment asgjë. Është natyrshëm që nga pikëpamja procedurale do dëgjojmë kërkesën. Në vlerësimin e kësaj dëgjese do themi se kush është ai që ka tagrin për të paraqitur kërkesën”, -tha ai.

Përfaqësuesi ligjor i kreut në detyrë të PD-së, Enkelejd Alibeaj, Idrit Sefa tha se dokumentacioni është i rregullt, është marrë vendimi nga gjykata dhe ai është përfaqësues i PD.

Ndërsa, përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit të PD-së të drejtuar nga Sali Berisha, Ledion Nuraj tha se “ne jemi këtu në bazë të kërkesës së paraqitur më 5 mars në bazë të të gjithë normave ligjore dorëzuar nga kryetari Sali Berisha në të cilën ka kërkuar regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor”.

“Ne kemi depozituar kërkesën për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit dhe kemi depozituar të gjitha dokumentet siç e kërkon Kodi Zgjedhor”, tha ai.

Përfaqësuesi ligjor i Alibeajt, Idrit Sefa i kërkoi Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve një kopje të kërkesës së Sali Berishës për t’u regjistruar në zgjedhje.

“Dokumenti që ka sjellë Sali Berisha është një vendim gjykate i cili nuk përmbush kushtet themelore për të qenë i tillë, që do të thotë nuk ka shënim nga Gjykata e Tiranës, nuk ka as pullë as vulë. Në vendimin e gjykatës nuk thuhet se Berisha është kryetar”, tha ai.

Në arsyetimin e tij, Celibashi tha se “është dokumenti që vjen nga Gjykata e Tiranës që përcakton se kush është drejtuesi i një partie politike dhe kjo është e qartë dhe është e kotë të vazhdojmë diskutimet”.

“Në Nenin 9 për partitë politike thuhet se regjistrimi i partive politike bëhet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësorë Tiranë e cila mbanë regjistrin e partive politike. E më tej, dispozita vazhdon: Në regjistrin e partive politike shënohet numri rendor i regjistri dhe emërim i plotë i partisë, emri i kryetari”, tha Celibashi duke cituar ligjin për partitë politike.

Celibashi tha se të drejtë për të kërkuar regjistrimin e Parisë në zgjedhjet e vitit 2023 bazuar në dokumentet zyrtare të cilat janë vënë në KQZ e ka Lulzim Basha ai figuron kryetar i PD-së në pikëpamje të ligjit.

Po ashtu, Celibashi argumenton se kërkesa për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit duhet të ishte paraqitur nga Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në fund të shqyrtimit të kësaj kërkese i la kohë prej 48 orësh palës së përfaqësuesit Indrit Sefa për dorëzimin e plotë të dokumentacionit autorizues në KQZ nga Lulzim Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button