Greqi: Dhunë e re e ekstremistëve të djathtë
Agresorët ende kërkohen
Duket se nuk ka dyshime, që ishin ekstremistë të djathtë ata që e sulmuan gazetarin, Thomas Jacobi. Por nëse ata kanë qenë edhe anëtarë të “Agimit të Artë”, kjo nuk është e qartë, për shkak se policia nuk ishte në gjendje të ndërhynte menjëherë dhe të kapte autorët. Thomas Jacobi i tha Deutsche Welles, se një grup djemsh e kanë sulmuar duke i thënë, se e kanë njohur, që ishte ai, që ka xhiruar një dokumentar për “Agimin e Artë”. Bëhet fjalë për filmin “Agimi i Artë – një çështje personale”, film që është nderuar edhe me çmim. Së bashku kolegen franceze, Angelique Kourounis, Jacobi e ka xhiruar filmin për t’i bërë publike strukturat kriminale të partisë. Aktualisht ata punojnë për ta vazhduar këtë dokumentar.
A po marshojnë në Greqi ata që jetojnë përjetësisht me të shkuarën? Politologja, Vasiliki Georgiadou që hulumton mbi ekstremizmin e djathtë thotë për DW, se “nuk ka të dhëna që flasin për një forcim të Agimit të Artë.” Por kjo parti është ende forca dominuese brenda lëvizjeve ekstremiste të djathta. Ka një spektër të gjerë të pozicioneve ekstremiste të djathta, që nuk përfaqësohen nga “Agimi i Artë”. Zakonisht këta aktorë janë në konkurrencë me njëri-tjetrin, pro kjo nuk përjashton vendosjen e kontakteve, shpjegon Georgiadou. Së bashku me studiuesit kostas Roumanias dhe Lambrini Rorri ajo ka dokumentuar aktivitetet e grupimeve ekstremiste të djathta në Greqi. Konkluzioni: “Pika kulmore e dhunës ekstremiste të djathtë u arrit në vitin zgjedhor 2012, kur “Agimi i Artë” për herë të parë arriti të hyjë në parlament. Menjëherë pas fillimit të procesit gjyqësor në vitin 2014, ra dukshëm numri i akteve të dhunës ekstremiste të djathtë, por në vitet e mëvonshme shënojmë një rritje tjetër të këtyre akteve të dhunës dhe në mënyrë të vazhdueshme deri në vitin 2018.”
Shqetësuese është rritja e dhunës esktremiste të djathtë në disa ishuj të Egjeut, ku mbërrijnë refugjatë dhe migrantë. Për identitetin e saktë të autorëve të këtyre akteve vetëm mund të spekulohet. Vitet e kaluara, “Agimi i Artë” ka bërë thirrje të hapur për dhunë. Kjo ka ndryshuar tani “Në disa raste mediat lokale raportojnë për simpatizantë të “Agimit të Artë” që veprojnë kundër refugjatëve”, thotë Georgiadou. Por vetë partia hesht për këto sulme. Sipas ekspertes, “ose në spektrin e djathtë janë aktive grupime të reja ekstremistësh, ose anëtarët e “Agimit të Artë” duan ta fshehin identitetin e tyre.”