Meta takon Shpend Ahmetin: Nxitje bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë në nivel vendor
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti të mërkurën kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin bisedoi rreth bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në nivel vendor, si dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon.
Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, Meta shprehu mbështetjen e tij për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe në nivel vendor, duke u ndalur tek rëndësia e forcimit të bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Komunës së Prishtinës.
Në përfundim, kryetari i Kuvendit u shpreh se Shqipëria mbështet progresin social dhe ekonomik, si dhe forcimin e jetës institucionale e demokratike të Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë e një klime sa më bashkëpunuese e konstruktive politike në interes të mirëqenies së qytetarëve dhe të integrimit euro-atlantik të vendit.