Kronika

Ushtari shqiptar i ISIS u përdor si “mish për top”, pistat e vrasjes

Nga Mariglen Mullai

Ish-imami i Leshnicës, që kërcënoi shqiptarët me video, është përdorur si “mish për top” nga shefat e ISIS, derisa gjeti vdekjen në frontet më të vështira të luftës. Kur kanë kaluar pak ditë nga mësimi i lajmit për vdekjen e Almir Dacit, tanimë po dalin në dritë edhe rrethanat e tërthorta të ngjarjes, teksa familjarët më kot presin ardhjen e trupit të pajetë të 33-vjeçarit. Nga fillimi i prillit e deri më tani, agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri, kanë mundur të vjelin informacione të rëndësishme për rrethanat e vrasjes, ku më kryesorja është ajo e përdorimit të pogradecarit për misione tepër të vështira. Që në krye të herës, duket se Daci ishte tepër i sigurt që ishte ngritur në përgjegjësi dhe kishte fituar besimin në radhët e shefave të ISIS, porse gjithsesi nuk duhet të harronte se mbetej gjithnjë nën urdhrat e tyre, sepse komandimi dhe menaxhimi i Kalifatit është e drejtë ekskluzive e vendasve, pra sirianëve dhe irakianëve. Daci bënte pjesë tek të huajt, pra ishte mes armatës së xhihadistëve që kishin shkuar për të luftuar në tokat e Shamit (Siri dhe Irak). Kësisoj, besohet se Daci është dërguar me mision luftimi në frontet më të ashpra të luftimeve, ku ka gjetur vdekjen.

Pistat e vrasjes

Edhe pse nuk është e qartë vendndodhja, kur bashkëshortja e tij që tashmë besohet se ndodhet në Siri bashkë me dy fëmijët, telefonoi familjarët në Leshnicë të Pogradecit se “mbaroi gjithçka”, kishin kaluar disa orë që Dacin nuk e kishte parë askush dhe më vonë bashkëluftëtarët i kishin thënë asaj se i shoqi ishte vrarë. Burime konfidenciale nga njohjet e Dacit në Shqipëri pohojnë për gazetën “Shqip” se ka të dhëna të besueshme që të bëjnë të besosh se ai është përdorur si “mish për top” nga ISIS, ashtu si mijëra luftëtarë të huaj që përdoren nga vendasit për misionet më të vështira ndërsa vetë vendasit merren me administrim, kompjuterë dhe punë të tjera zyre. Kjo ironi e fatit për “martirin” Almir Daci nga Leshnica e Pogradecit, i cili edhe pse me funksione drejtuese të caktuara në Shtetin Islamik, vritet në frontin e parë të luftimeve, si këmbësori e thjeshtë, është tregues i qartë për të imagjinuar se sa e vështirë mund të jetë gjendja për xhihadistët e tjerë shqiptarë, militantë të ISIS-it, të cilët duket se janë nisur drejt një fati të parashkruar, atë fat që 19 familje shqiptare në Shqipëri po e vuajnë aktualisht, humbjen e fëmijëve të tyre në një konflikt që s’ka lidhje me ta. Të njëjtat burime thonë për gazetën se po analizohen luftimet e fundit në Siri dhe sulmet e koalicionit botëror antiterror, për të mësuar nëse ka pasur shqiptarë të tjerë të vrarë, përveç Dacit, pasi 27 shqiptarë ishin aktivë në luftime. Javën e fundit, vetëm nga goditjet ajrore, janë vrarë 170 xhihadistë në Siri. Vetëm avionët britanikë RAF, kanë lëshuar raketa vrastare në territorin e Kalifatit, duke u shndërruar në tmerrin e xhihadistëve. Burimet shtojnë se Daci mund të jetë mes 30 të vrarëve nga ushtria siriane, e cila raportoi një sulm të befasishëm në zonën Mayadeen, ku janë rifituar disa territore të pushtuara nga ISIS, të cilat prej muajsh janë në vështirësi serioze për mbajtjen e pozicioneve dhe hapësirave të pushtuara. Të braktisur në mëshirën e fatit, me apo pa dëshirën e tyre, janë familjarët, veçanërisht fëmijët ata që për shkak të “devotshmërisë ndaj Allahut dhe Islamit” të babait, do të vuajnë të gjitha pasojat, duke filluar nga largimi nga një vend europian me paqe në zona të rrezikshme lufte, ku askush nuk e di se për çfarë lufton dhe kundër kujt lufton.

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button