Te ndryshme

Si ekonomia e suksesshme e Zambias u shkatërrua nga thatësira

Pavarësisht thatësirës që kishte kapluar Afrikën, Zambia kishte rezerva ujore të qëndrueshme. Diga e saj e madhe e Kariba-s arrinte të kishte ujë mjaft, e për pasojë prodhonte një sasi të madhe elektriciteti, të cilën e eksportonte me çmim të lirë

Edhe pse thatësira dhe efektet e ngrohjes globale ishin të dukshme në këtë tokë, prapë diga Kariba ishte gjithnjë një burim i qëndrueshëm dhe në dukje i pafundmë i diçkaje të rrallë në Afrikë: elektricitetit aq të lirë dhe me tepricë, sa Zambia përveçse e shfrytëzonte për vete, mund t’ia shiste atë edhe fqinjëve.

Fuqia e prodhuar nga hidrocentrali i Kariba-s, që ka një nga digat më të mëdha të botës, në një nga liqenet artificialë më të mëdhenj të botës ndihmoi në stabilitetin politik të vendit dhe e ktheu Zambian në një nga ato shtetet ku vendet afrikane e merrnin si pikë referimi.

Por në ditët e sotme, ndërsa thatësira e kombinuar me ndryshimin klimatik ka bërë që niveli i ujërave të ulet në nivele rekord, ky hidrocentral po prodhon aq pak energji, sa ikja e dritave i jep një goditje të fortë bizneseve të vendit, që sapo lanë pas një moment të vështirë. Pas një dekade që Zambia paraqitej si udhëheqësi i zhvillimit ekonomik afrikan, me të shpejtë ra në një gjendje kritike. Tani po përpëlitet të gjejë të ardhurat që të paguajë punonjësit e saj dhe i ka kërkuar ndihmë Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Koordinatori kombëtar për qeverinë i sekretariatit të ndërmjetëm të ndryshimit klimatik të qeverisë, David Kaluba, tha se diga “Kariba” ishte një lloj konfirmimi se një problem i madh mund të vijë nga ndryshimi klimatik.

Në një kontinent që gjithnjë ka hasur në vështirësi, rënia e shpejtë e Zambias, tregon se fenomeni kërcënon zhvillimin ekonomik përgjatë Afrikës. Për më tepër, që me lehtësi i konsumon edhe fitimet e arritura me mund vitet e fundit.

Ndërsa rënia globale e çmimeve të lëndëve të para i ka shkaktuar Afrikës humbje të mëdha, ndryshimi i klimës dhe i thatësirës i ka krijuar jo pak probleme ekonomive më të mëdha të kontinentit, nga Nigeria në perëndim, në Etiopi në “Bririn e Afrikës” deri në Afrikën e Jugut në fund.

Në dekadat e ardhshme pritet që Afrika të ngrohet më shpejt se sa mesatarja në vendet e tjera të globit. Në dhjetorin e shkuar u arrit marrëveshje nga liderët botërorë, në bazë të së cilës do të ulen edhe më shumë shkarkimet e gazrave të dëmshëm, prapë ngelet e paqartë se sa investime do të bëjnë në lidhje me këtë gjë vendet afrikane për të ulur disi pasojat e ndryshimit klimatik dhe për t’u përshtatur me të.

Zambia varet shumë nga ndihma e të huajve për të menaxhuar ndryshimin e klimës dhe është treguar e ngadaltë në planifikimin për t’i bërë ballë pasojave nga ky fenomen.

“Për fat të keq, ajo çfarë po ndodh në Zambia, po ndodh pak a shumë edhe në të gjitha vendet e tjera afrikane”, tha Danny Simatele, një ekspert për ndryshimet klimatike në Universitetin e Witwatersrand-it në Johanesburg.

Për shumë banorë të Zambias, kjo krizë energjetike e ka çuar vëmendjen në ndryshimin e klimës në një mënyrë, ndryshe, krahasuar me vitet e mëparshme. Tani njerëzit ndjekin me vëmendje ndryshimet e nivelit të ujit në digën Kariba, njësoj sikur të ndiqnin ekipin e tyre të preferuar.

Në dyqanin e mishit në kryeqytetin, Lusaka, korrenti sapo erdhi sërish, pas një mungese prej 8 orësh. Dhe një situatë e tillë sigurisht që nuk është ideale për mishin që ruhet në frigorifer për të mos u prishur.

Joe Mulenga, 28 vjeç, me profesion kasap, tha se në fillim ai dëgjoi për ndryshimet klimatike në televizion, e më pas bëri kërkime të tjera në internet. “Tani e kemi këtu mes nesh dhe është situatë shqetësuese”.

Francis Ndilila, i cili drejton komitetin energjetik në Dhomën e Tregtisë dhe të Industrisë së Zambias tha se mungesa e energjisë ka pasur një efekt të drejtpërdrejtë duke e ngadalësuar zhvillimin ekonomik.

Në dekadën e shkuar, deri në 2015, rritja vjetore mesatare ka qenë 7%. Por pas nisjes së krizës, rritja është përgjysmuar.

Problemet në digë, janë rrjedhojë e motit të krijuar nga uragani El Niño, më i keqi në dekadat e fundit në kontinentin afrikan. Fermerët që mbështeteshin vetëm te reshjet për të korrat e tyre, u goditën rëndë. Por po ashtu edhe vendet prodhuese të energjisë si Zambia, Zimbabve, Mozambik, Tanzani dhe Malaui.

Rreth 95% e energjisë në Zambia vjen nga hidrocentralet. Ai i Kariba-s që prodhonte 40% të sasisë totale të vendit, tani prodhon vetëm çerekun e sasisë së dikurshme.

Ekspertët energjetikë kanë shpresë se situata do të përmirësohet, pasi në pjesën veriore të shtetit ka rënë shi. Të gjithë janë me sytë nga qielli, nga ku varet rimëkëmbja e vendit.

Ndërmjet viteve 1960 deri në 2003, temperatura e Zambias u rrit me 1.3 gradë, kurse niveli i shiut u ul me 2.3% në çdo dekadë. Sezoni i shirave është bërë më i shkurtër dhe periudhat e thatësirave më të shpeshta.

Liderët afrikanë thonë se duhet që të ndërtohen kanalet vaditëse, ato të mbledhjes së ujit si dhe duhet investuar në energji të rinovueshme.

Ekonomitë e mëdha të botës janë zotuar se nga 2020, do të shpenzojnë rreth 100 miliardë dollarë në vit, që të mund t’i japin zgjidhje ndryshimit klimatik.

Por në Zambia bizneset e mëdha dhe të vogla sytë i kanë nga qeveria dhe projektet e saj për të ardhmen, që stabiliteti të rikthehet. Në një vend të mësuar me tepricë energjie, të mos kesh korrent është goditje e madhe. Shumë investues të huaj janë bllokuar dhe nuk po zbatojnë planet për zgjerim në vend. Dhe zërat e tyre drejtuesit e vendit duhet që t’i dëgjojnë nëse nuk duan që të kthehen nga frymëzim ekonomik, në shembull për të mos t’u marrë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button