Ekonomia

Eksportet rriten 17% në nëntor, rënia vjetore ngadalësohet në 1.6%

Eksportet kanë shënuar një ecuri pozitive në nëntor, duke u rritur me 17% në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, çka ka bërë që rënia vjetore për 11 mujorin të ngadalësohet ndjeshëm në 1.6%, nga rreth 7% që ishte deri për 6 mujorin.

Mineralet, lëndët djegëse dhe energjia, grupi që çoi eksportet në pikiatë në pjesën e parë të vitit ishin ato që u rritën ndjeshëm në nëntor (me 28.5%), duke kthyer performancën e gjithë eksporteve.

Për 11 mujorin, grupi më i eksportuar ka vijuar të jetë tekstile dhe këpucë, që u zgjerua me 20% në 98 miliardë lekë. Ky grup ka pasur ecuri pozitive këtë vit, si rrjedhojë e rigjallërimit të kërkesës nga partnerët italianë, ndryshe nga viti I kaluar kur ai ishte në rënie.

Pavarësisht ecurisë së mirë në nëntor, eksportet e minerale, lëndë djegëse e energji për 11 mujorin kanë shënuar një rënie prej 32.2% me bazë vjetore, në 41.1 miliardë lekë. Ky grup ka vuajtur përgjithësisht çmimet e pafavorshme të konjukturës ndërkombëtare të naftës dhe kërkesën e ulët për naftë shqiptare, që është e një cilësie të ulët (e rëndë).

Në nëntor, burime nga kompania Bankers Petroleum, prodhuesi i naftës dhe eksportuesi më i madh në vend, pohojnë se eksportet kanë qenë më të larta, pasi është bërë një dërgesë që fillimisht ishte planifikuar të bëhej në tetor. Pozitivisht në nëntor kanë ndikuar dhe eksporte e energjisë, të favorizuara nga reshjet e bollshme. Sipas të dhënave nga KESH, eksportet e energjisë në nëntor kanë qenë mbi 4 milionë euro.

Grupi i tretë më i madh, ai i materialeve të ndërtimit dhe metaleve ka shënuar një rënie me 14% me bazë vjetore, në 28.6 miliardë lekë. Gjithsesi, edhe ky grup muajt e fundit është kthyer në pozitiv, pasi Kurum, kompania e çelikut që shpalli falimentin për efekt ristrukturimi në shkurt e ka kaluar një pjesë të aktivitetit te kompania tjetër, Albametal. Në nëntor, ky grup u rrit me 13% me bazë vjetore.

Ecuri pozitive kanë shënuar këtë vit edhe eksportet e ushqimeve pijeve dhe duhanit, që u rritën me 22%, për të arritur në 23 miliardë lekë.

Grupet e tjera janë relativisht të vogla dhe nuk kanë shënuar ndryshime të mëdha në 11 muajt e vitit.

Grupi kryesor i eksporteve për të dytin vit radhazi janë tekstilet dhe këpucët, me 44% të totalit, të ndjekur nga lëndë djegëse, minerale e energji me 19%, materiale ndërtimi e metale me 13% dhe ushqime pije e duhan me 10%.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button