Rezoluta e genocidit, Turqia: Gjermania gaboi rëndë
Kryeministri i Turqisë Binali Ildirim deklaroi se rezoluta e parlamentit gjerman, që e cilëson masakrën e armenëvë në vitin 1915 nga forcat osmane si genocid, është një gabim historik.
Rezoluta gjermane thotë se fati armenëve është shembull i historisë së shfarosjeve masive, spastrimit etnik, deportimeve dhe genocidit që shënuan shekullin e 20-të në mënyrë të tmerrshme.
Ajo gjithashtu pranon se perandoria gjermane, në atë kohë aleate ushtarake e Osmanëve, nuk bëri asgjë për të ndaluar vrasjet. Por, Turqia nuk e pranon idenë se vrasja e armenëve të krishterë gjatë luftës së parë botërore është genocid.
“Rezoluta për incidentet e vitit 1915 që u adoptua nga parlamenti gjerman me presionin e lobit armen, është një gabim historik që bën legjislativi i një vendi aleat”, deklaroi Kryeministri Ildirim. Të enjten, Turqia thirri ambasadorin e saj në Gjermani në formë protestë kundër rezolutës gjermane, e cila miratohet në një kohë kur Europës i duhet ndihma e Turqisë për krizën e emigrantëve.
“Kombi turk nuk do të pranojë kurrë pretendimet për genocid. Kjo rezolutë nuk ka asnjë vlerë për ne. Tani do të diskutojmë se si kjo rezolutë do të ndikojë në raportet tona me Gjermaninë”, deklaroi kryeministri turk.
I pyetur se çdo të bëjë Turqia si reprezalje, Ildirim tha se do të bëjë gjithçka që është e nevojshme, ndërsa shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë dëmtuar rëndë nga kjo rezolutë.