Shpërdoruan detyrën, arrestohen disa zyrtarë të ARRSH në Durrës!
Për këtë rast janë kryer hetime ndaj të dyshuarve Agron Hasa, Kastriot Braha, Aferdita Basha e Dhurata Lazaj si specialiste inxhiniere të ARSH, Spartak Tarkaj, Astrit Zenelaj, Leke Tushaj me cilësinë e drejtorëve të drejtorive të ARSh-së, anëtarë të Keshillit Teknik, të cilët kanë konsumuar elemente të figurës së veprës penale të “Shperdorimi i detyres”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe të vepres penale të “Dhënia e ndihmës për ndërtimin e paligjshëm”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 199/b dhe 25 të Kodit Penal.
Mbi bazën e këtyre fakteve Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës është drejtuar me kërkesë në Gjykatë për caktimin e masave të sigurimit ndaj tyre dhe me datë 14.10.2020 është bërë ekzekutimi i masave të sigurimit të caktuara ndaj shtetasve Agron Hasa, Kastriot Braha , Aferdita Basha, Dhurata Lazaj, Astrit Zenelaj, Spartak Tarka, Lek Tushaj, Rezart Arkaxhiu, Xhevat Vataksi.
Njoftimi i policisë:
Durrës/ Finalizohet operacioni policor i koduar “BYE PASS”. Ekzekutohen masat e sigurisë ndaj 3 shtetasve dhe shpallen në kërkim 6 shtetas të tjerë. Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, pas një pune intensive hetimore, finalizoi me sukses operacionin policor “BYE PASS”. Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, e cila, bazuar në provat e grumbulluara, ka caktuar masat e sigurisë ndaj 3 personave nën hetim, si dhe u shpallën në kërkim 6 të tjerë, konkretisht:
U ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg” ndaj shtetasve:
L. T., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
K. B., 56 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
Masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasin A. H., 63 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar këtë masë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në vijim të operacionit u bë shpallja në kërkim e shtetasve:
A. B., 48 vjeçe, Dh. L., 55 vjeçe, A. Z., 56 vjeç dhe S. T., 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës iu ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Xh. V., 62 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë ndërtues, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm” kryer në bashkëpunim.
R. A., 36 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë ndërtues, për veprën penale “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm” kryer në bashkëpunim.
Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie, si dhe për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.