Paraqitja më e mistershme në E3 2016
Një burrë zgjohet i zhveshur në një breg plot me balena e peshq të ngordhur, dhe pranë sheh një foshnje të sapolindur që po qan.
Kështu fillon traileri më i mistershëm i paraqitur në panairin e video-lojërave E3 2016, nga Hideo Kojima, një nga krijuesit më të famshëm që ka punuar me Konamin për kaq shumë vite.
Traileri është krijuar duke kapur në 3D lëvizjet e aktorit të Walking Dead, Norman Reedus, dhe Kojima thotë në Twitter se “lindja dhe vdekja janë thelbi i kësaj loje që nuk do të jetë as lojë tipike ‘aksion’, as ‘RPG’, por një zhanër i ri”.
Kojima e la Konamin pas shumë vitesh bashkëpunimi për të krijuar kompaninë e tij, dhe videoja në fjalë është për lojën e parë të tij, që do të jetë ekskluzive për Playstation 4. Loja titullohet “Death Stranding” dhe sapo ka nisur të punohet, ndaj nuk pritet të dalë së shpejti.