Ekonomia

Kompania e njohur amerikane që kërkoi të hynte në Shqipëri, hap fabrikën në Maqedoni

Maqedonia fiton garën rajonale edhe për një tjetër kompani, pas Johnson Control dhe Capcon…

Kompania amerikane Lear Corporation ka hapur fabrikën e saj të parë në Zonën Industriale të Tetovës në Maqedoni dhe të dytën në vend, pas asaj të Gostivarit që ka 300 të punësuar.

Prodhuesi amerikan i tekstileve në industrinë e automobilave ka investuar 15 milionë euro në këtë fabrikë dhe fillimisht ka punësuar 520 persona, ndërsa synon të punësojë deri në 3,000 persona.

Lear Corporation është një  nga kompanitë që ka shfaqur interes edhe për të hyrë në tregun shqiptar, por më pas vendosi të hyjë në Maqedoni, ndonëse Shqipëria ka pozicion më të favorshëm gjeografik.  Mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore në Shqipëri, por edhe tërheqja e zonave të lira industriale në Maqedoni  duken arsyet kryesore që e bindën Lear Corporation të investonte në shtetin fqinjë. Edhe dy kompani të tjera, Johnson Control dhe Capcon, që punojnë për industrinë mbështetëse të makinave, ndonëse kanë parë me interes edhe Shqipërinë,  kanë zgjedhur Maqedoninë për investimet e tyre.

Konkurrenca në rajon është  pranuar dhe nga zyrtarë të lartë maqedonas.

“Për Tetovën kjo është një ditë historike, por edhe për të gjithë rajonin e Pollogut. Ne ishim në konkurrencë me vende të tjera për të tërhequr këtë investim dhe për ta sjellë këtu kompaninë amerikane. Ne jemi shumë optimistë për planet që ka kompania për të arritur së shpejti maksimumin e kapacitetit të punonjësve, mes 2,500 – 3,000”, tha Vele Samak, një nga ministrat e qeverisë i ngarkuar për Lehtësimin dhe Hyrjen e Investitorëve të Huaj.

Fabrika e re e ndërtuar në Zonën Industriale të Tetovës ka sipërfaqe prej 12,0000 metër katrorë dhe mundësi për të punësuar 2,00 persona. Në të janë të instaluar pajisjet më të fundit të teknologjisë. Një zgjerim i mundshëm do ta rriste numrin e punëtorëve në rreth 3,000.

Përfaqësuesi i Lear, Sven Damm tha se kompania parashikon të prodhojë tekstile në vlerë totale  nga 40-50 mln euro në fabrikën në Tetovë, që do të shkojnë për disa makina të markave të mirënjohura, si Jaguar dhe Land Rover.

“Lear është një markë që nënkupton perfeksionizëm. Ne presim që këtë ta zbatojmë edhe këtu në Tetovë”, tha Damm.

Zyrtarët e lartë që morën pjesë në ceremoninë e inagurimit ishin presidenti i VMRO-DPMNE Nikola Gruevski dhe presidenti i DUI Ali Ahmeti. Gruevski tha se hapja e kësaj fabrike do të ndikojë në të gjithë rajonin, duke mbështetur mijëra familje.

“Hapja e vendeve të reja të punës dhe zhvillimi i ekonomisë është ajo çka zgjidh problemet e qytetarëve. Ky është një investim tejet i rëndësishëm në kohën e një krize të vështirë politike. Kjo provon se ne nuk ndalemi për të bërë të mundur krijimin e vendeve të reja të punës”, tha Gruevski.

Kompania me qendër në Miçigan ka marrëveshje me më shumë se 350 shtëpi prodhimi makinash dhe ka të punësuar 140,000 persona në 36 shtete. Në listën e Fortune 500 renditet e 154-a.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button