12 projekte fituese të financuara nga Programi IADSA
Në ambjentet e Ministrisë së Financave, u zhvillua të martën ceremonia e firmosjes së kontratave për financimin e 12 projekteve, me vlerë 4.6 milionë euro. Nënshkrimi u bë nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, Ambasadori italian, Massimo Gaiani dhe nga përfituesit përkatës të projekteve. Të pranishëm në ceremoni ishin, zv/kryeministri, Niko Peleshi, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, kryetarë të bashkive përfituese, OJF etj.
“Është pozitiv fakti që projekt-propozimet e dorëzuara përfshijnë të gjitha fushat prioritare të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit dhe Integrimit, ku një vend të rëndesishëm zënë projektet në fushën e përmirësimit të arsimit bazë në zonat me mangësi të theksuara, përmirësimit të formimit profesional, përmirësimit të shërbimit shëndetësor bazë dhe atij parandalues, iniciativa për të mbështetur integrimin social të grupeve shoqërore më të rrezikuara dhe punësimin e të rinjve”, deklaroi ministri Cani, gjatë fjalës së tij.
Projektet e përzgjedhura si fitues mbulojnë të gjitha fushat prioritare të kësaj thirrje për propozim dhe shpërndarja e tyre gjeografike mbulon pothuajse të gjithë territorin e vendit. Ato njëkohesisht janë projekte me rezultate të matshme dhe konkrete, që do të kenë një ndikim mjaft pozitiv tek përfituesit përkates. Aplikantët fitues janë 5 nga pushteti qëndror dhe 7 nga pushteti vendor, gjë që tregon për rritjen e nivelit të kapaciteteve dhe shkallës së përgjegjesisë së tyre. Projektet fokusohen në sektorin e edukimit, shëndetësisë, zhvillimit agroturistik dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar. Nga 12 projektet e përzgjedhura për t’u financuar, 4 janë projekte në nivel kombëtar, 3 projekte janë në veri të vendit, 3 projekte janë në jug-lindje, dhe 2 projekte janë në jug–perendim. Ky është viti i dytë e shpalljes së projekteve në kuadër të pogramit IADSA, me vlerë rreth 20 milionë euro. Në vitin e parë u shpallën fitues 13 projekte me vlerë, rreth 4.5 milionë euro. Brenda këtij viti do të bëhet thirrja e 3-të e garës.