20-katëshet te Diga, Lame: Basha po betonizon Tiranën, s’do e lejojmë. Reagon bashkia
Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame ka denocuar sërish dhënien e lejeve për ndërtimin e pallateve shumëkatëshe tek zona e Digës së Liqenit Artificial, duke u marrë qytetarëve të kryeqytetit edhe atë pak hapësirë të gjelbër që ka mbetur. Përmes një deklarate për mediat ditën e sotme, Lame akuzoi kreun e bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha se po betonizon kryeqyetetin me ato që i cilësoi si ‘5 monstra betonarmeje’ të cilat do të shkatërrojnë zonën e gjelbër.
“Sot po denoncoj sërish shkatërrimin e zonës sportive poshtë digës së Liqenit. E kam denoncuar këtë fakt që vjet në prill dhe Bashkia, me paturpësinë më të madhe, publikisht gjithmonë është shprehur se ne po gënjenim. Tani që lejen e dhanë, po përdorin një gënjeshtër akoma më sureale: Na thonë se duke ndërtuar këto 5 monstra prej betonarmeje do të shtohet gjelbërimi në Tiranë!” – tha Lame
Kreu i ALUIZNI-t ka akuzuar bashkinë se vetëm gjatë 6 muajve të fundit ka dhënë 60 leje ndërtimi në zonat më të ndjeshme të kryeqytetit duke shtuar se pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për ta frenuar këtë masakër mjedisore, rrugët ligjore nuk janë të mjaftueshme edhe për shkak të vendimeve, sipas tij absurde të gjykatave kushtetuese apo të apelit.
Lame garantoi se si qytetar do të bëjë gjithçka që të pengojë ngritjen e këtyre kullave shumëkatëshe ndërsa u bëri thirrje edhe qytetarëve që të sensibilizohen me këtë kauzë.
Bashkia e Tiranës: Rama e betonizoi kryeqytetin
Bashkia e Tiranës ka reaguar pas akuzave të artikuluara nga kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame duke akzuar kryeministrin, njëkohësishit ish-kryebashkiak i kryeqytetit, Edi Rama për masakrën mjediore në Tiranë, që sipas saj çoi në betonizimin e Tiranës.
“Edi Rama vazhdon fushatën e shpifjeve dhe mashtrimeve kundër Bashkisë së Tiranës. Edi Rama zhduku lulishte të tëra nga zemra e kryeqytetit dhe betonizoi mbi 65 mijë metra katrorë gjelbërim, vetëm në 4 vitet e tij të fundit si kryebashkiak. Në tre vitet e fundit, Bashkia Tiranë ka shtuar mbi 95 mijë metra katrorë hapësira të blerta dhe ka mbjellë 23 145 mijë pemë dhe bimë dekorative. Plani urban i Tiranës i dha fund sekserëve “alla Lame” dhe arbitraritetit korruptiv “alla Rama”. Vajtimet e sotme të shkatërruesve të djeshëm të Tiranës nuk i beson askush”, thuhet në deklaratën e Bashkisë.