20 mijë viktima nga tërmeti në Turqi/ Shpresat fillojnë të zbehen për të gjetur njerëz të gjallë
Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të nxjerrin trupa nga rrënojat e ndërtesave të shembura, por shpresat po fillojnë të zbehen për gjetjen e më shumë njerëzve të gjallë, ndërsa tërmeti shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë hyri në ditën e tretë, duke vrarë më shumë se 20 mijë njerëz.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në përditësimin e fundit tha se 16,546 njerëz u vranë në vendin e tij dhe më shumë se 66,000 u plagosën. Në anën siriane të kufirit, janë raportuar 3,577 të vdekur dhe më shumë se 6,300 të plagosur.
Tërmeti që rrafshoi mijëra ndërtesa ishte një nga më vdekjeprurësit në mbarë botën në më shumë se një dekadë, me vdekjet që tejkalojnë edhe numrin e tërmetit të vitit 2011 në Fukushima, Japoni, që shkaktoi një cunami, duke vrarë më shumë se 18,400.
Ekspertët thanë se dritarja e mbijetesës për ata që janë bllokuar nën rrënoja ose përndryshe të paaftë për të siguruar nevojat bazë po mbyllet me shpejtësi. Në të njëjtën kohë, ata thanë se ishte shumë herët për të braktisur shpresën.
“72 orët e para konsiderohen si kritike,” shprehet Steven Godby, një ekspert i rreziqeve në Universitetin Nottingham Trent në Angli. “Raporti i mbijetesës natyrore mesatarisht brenda 24 orëve është 74%, pas 72 orësh është 22% dhe në ditën e pestë është 6%.
Risklayer, e cila e përshkruan veten si një “firmë transparente dhe e pavarur bashkëpunuese e rrezikut të katastrofave në Gjermani dhe Australi”, parashikon që numri i të vdekurve mund të arrijë në 45,000.
Ndërkohë të enjten në mëngjes mbërritën kamionët e parë me ndihma të OKB-së që hynë nga Turqia në Sirinë veriperëndimore të kontrolluar nga rebelët. Organizatat më të vogla të ndihmës kanë dërguar dërgesa, por OKB-ja është e autorizuar të dërgojë ndihma vetëm përmes një kalimi kufitar dhe dëmtimi i rrugëve e ka bërë të vështirë këtë mision. Shefi i OKB, Antonio Guterres ka kërkuar nga forcat rebele më shumë hapësira dhe liri për të dërguar ndihma.
Në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë, mijëra njerëz të mbetur pa shtëpi, janë strehuar në një kamp, ndërsa moti nuk është treguar bujar me temperaturat nën zero. Ndërkohë mijëra turq po largohen me shpejtësi nga zonat e goditura duke shkaktuar trafik të rënduar.