Opinion

Kjo nuk ështe demokraci përfaqësuese.

Nga FATOS TARIFA

Qytetarë shqiptarë!

Këtyre deputetëve që shajnë me fjalë banale, fyejnë si rrugaçë, ulërasin si shtazë dhe qëllojnë me grushta si vagabondë e gangsterë në sallën e parlamentit, ju dhe të gjithë ne, qytetarët që punojmë në këtë republikë, me taksat tona u japim çdo muaj 3 milionë lekë rrogë, benefite të tjera dhe u garantojmë një pension disa herë më të madh se sa pagat që marin sot pjesa më e madhe e punonjësve dhe pensionet që marin shumica e pensionistëve në këtë vend.

Këtyre deputetëve, që shumica prej nesh nuk i njohim se ç’janë, ç’përfaqësojnë (por që e sigurt është se nuk përfaqësojnë asnjërin prej nesh), ju dhe të gjithë ne, qytetarët që punojmë në këtë republikë, me taksat tona u japim çdo muaj 3 milionë lekë rrogë, benefite të tjera dhe u garantojmë një pension disa herë më të madh se sa pagat që marin sot pjesa më e madhe e punonjësve dhe pensionet që marin shumica e pensionistëve në këtë vend.

Këtyre deputetëve, shumica e të cilëve kurrë nuk kanë marrë mundimin të vijnë t’ju shohin atje ku jetoni e punoni dhe t’ju japin dorën qoftë edhe një herë pasi j’u kanë marrë votën e jo më t’ju pyesin se ç’halle keni apo t’ju zgjidhin qoftë edhe një hall të vogël, ju dhe të gjithë ne, qytetarët që punojmë në këtë republikë, me taksat tona u japim çdo muaj 3 milionë lekë rrogë, benefite të tjera dhe u garantojmë një pension disa herë më të madh se sa pagat që marin sot pjesa më e madhe e punonjësve dhe pensionet që marin shumica e pensionistëve në këtë vend.

Këtyre deputetëve, që veç interesave dhe mirëqenies së tyre e të familjeve të tyre as duan t’ia dinë për mirëqenien tuaj dhe të fëmijëve tuaj, edhe nëse shumë nga ju mezi ia dilni të plotësoni nevojat bazë dhe të jetoni denjësisht, siç do të duhej në këtë shekull të 21-të progresi ekonomik e teknologjik dhe bollëku material, me taksat tona u japim çdo muaj 3 milionë lekë rrogë, benefite të tjera dhe u garantojmë një pension disa herë më të madh se sa pagat që marin sot pjesa më e madhe e punonjësve dhe pensionet që marin shumica e pensionistëve në këtë vend.

Këtyre deputetëve, që pa i njohur shqetësimet tuaja dhe mendimet tuaja, si bartësit e vërtetë të pushtetit e të legjitimitetit të parlamentit e të qeverisë dhe që, “në emër të popullit”, votojnë ligje që jo gjithnjë janë në ineteresin tuaj, ju dhe të gjithë ne, qytetarët që punojmë në këtë republikë, me taksat tona u japim çdo muaj 3 milionë lekë rrogë, benefite të tjera dhe u garantojmë një pension disa herë më të madh se sa pagat që marin sot pjesa më e madhe e punonjësve dhe pensionet që marin shumica e pensionistëve në këtë vend.

Këtyre deputetëve, një pjesë e mirë e të cilëve kanë një arsim më të varfër dhe një formim kulturor më të ulët se një pjesë e madhe e juaja dhe se shumica e fëmijëve tuaj, ju dhe të gjithë ne, qytetarët që punojmë në këtë republikë, me taksat tona u japim çdo muaj 3 milionë lekë rrogë, benefite të tjera dhe u garantojmë një pension disa herë më të madh se sa pagat që marin sot pjesa më e madhe e punonjësve dhe pensionet që marin shumica e pensionistëve në këtë vend.

A s’duhet– individualisht e kolektivisht–të reflektojmë për këtë realitet dhe të reagojmë demokratikisht për ta ndryshuar atë?

Mund të përpiqemi të krijojmë një shtet ligjor, por ideali dhe synimi ynë duhet të jenë një SHTET I SË DREJTËS, një shtet në të cilin gjithkush t’i japë shoqërisë sa di e sa mundet dhe të shpërblehet prej saj për meritat dhe kontributet që ka dhënë e jep për të mirën publike në cilëndo fushë të veprimtarisë ekonomike e shoqërore.

A s’duhet të reflektojmë e të reagojmë? Apo duhet të vazhdojmë të votojmë (pa pasur mundësi të zgjedhim) deputetë të të njëjtit soj, që nuk janë deputetët tuaj dhe deputetët tanë, as deputetë të partive për të cilat votojmë, por deputetë të zgjedhur me dorën e kryetarëve të partive dhe për interesat personale të tyre.

Kjo nuk ështe demokraci përfaqësuese. Kjo nuk është as partitokraci. Kjo është kryetarokraci, e kundërta e demokracisë, pasi partitë janë shndërruar në çifligje të kryetarëve dhe funksionojnë (duke mos lejuar kurrfarë kontestimi brenda partisë) për interesat e kryetarëve./dita

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button