Opinion

25 vjet shërbim kryepriftëror, me përkushtim ndaj Zotit dhe njeriut!

24 Qershori i 2017 është një ditë festive për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sepse që nga data historike e 24 Qershorit 1992 u mbush një çerek shekulli, që të krishterët orthodhoksë udhëhiqen me përkushtim atëror, me vizion dhe hir apostolik nga Fortlumturia e tij Kryepiskopi + Anastas. Ky përvjetor plot suksese, vërteton katërcipërisht se përzgjedhja e Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës Ekumenike me propozimin e Patriarkut Ekumenik Vartholomeu I, që ekzarku patriarkal,  të zgjidhet me vota unanime si Kryepiskopi Kanonik i Tiranës, Durësit dhe gjithë Shqipërisë, ky një fakt i kryer kishtar ,i mirëpritur nga të gjitha Kishat Orthodhokse në botë, ishte vendimi  më i drejtë dhe i mundshëm që u mor i kushtëzuar nga rrethanat ku ndodhej kisha, kleri dhe populli orthodhoks në Shqipëri mbas atij regjimi ateist, më totalitar në të gjitha vendet e ish kampit komunist.

Ai përpara se të merrte këtë detyrë kishte shërbyer në Kishën Orthodhokse si  dhjak (1960), prift (1964), pastaj Episkopi i Andrusës (1972) ,Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë dhe Mëkëmbësi i Mitropolisë së Shenjtë të Irinupolit në Afrikën Lindore,në Kenia, Tanzani, Uganda( 1964,1981-1990) duke çelur rrugën për rigjallërimit e Misionit Orthodhoks në botë,profesor i Historisë së Feve në Universitetin Kombëtar Kapadostrian të Athinës, si Dekan i Fakultetit të Teologjisë, i zgjedhur në shumë poste të rëndësishme të organizma fetarë mbarë botërorë, autor i  dhjetra monografive shkencore dhe mbi 240 studimeve dhe artikujve me përmbajtje teologjike ose fetarologjike të përkthyera në 12 gjuhë të huaja, ligjërues i spikatur në shumë tribuna ndërkombëtare në lidhje me dëshminë e sotme të krishterë të dialogut ndërfetar, solidaritetin dhe paqen botërore, i mbushur me dhuntitë e hirit të Shpirtit të Shenjtë. Kjo përzgjedhje nuk ishte thjesht nga vullneti njerëzor, por nga vullneti i Kryepriftit të madh Zotit Jisu Krisht, që ju tha nxënësve të tij apostuj;“Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve” (Joani 15:16) dhe i urdhëroi; “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15).

Kryepiskopi Anastas si një apostull i ri, duke imituar dhe ecur në gjurmët e apostullit të madh të kombeve Pavlit që tha për vete;“me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e Ungjillit të Krishtit” (Rom. 15:19) edhe Anastasi mbasi predikoi ungjillin e Krishtit në Europë, në Afrikë, më në fund providenca Hyjnore e drejtoi në Shqipërinë postateiste në 17 korrik 1991 si Ekzark Patriarkal. Ai thotë në kujtimet e tij;“gjatë udhëtimeve për një vit në mbarë Shqipërinë, konstatova shkretimin e frikshëm dhe shpërbërjen e plotë të Kishës Orthodhokse të shkatërruar nga persekutimi i egër, por njëkohësisht edhe farat e besimit orthodhoks që kishin qëndruar të fshehur në mijëra shpirtra duke pritur kushtet e përshtatshme për t’u zhvilluar përsëri”.

Pavarësisht ngurimit të tij njerëzor për të mos guxuar të ngrejë këtë kryq kaq të rëndë, i të qenit Kryepiskopi i një kishe inekzistente dhe mendimit të shumë njerëzve skeptikë për ringjalljen e Kishës në Shqipëri, ai mbas shumë lutjesh, bëri bindje në fjalët e Zotit;“Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Luka. 9:23) dhe që nga ai moment  ecën pa ndalur në këtë rrugë përkushtimi dhe sackrifice  për 25 vjet.

Shumë mund të flasin për besimin në Zot, por për kryepiskopin Anastas janë të përshtatshme fjalët që thotë apostull Jakovi; Po dikush do të thotë: “Ti ke besimin, dhe unë kam veprat, më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia”(Jakovi 2:18).

Kjo vepër 25 vjeçare shumë dimensionale ia vlen të kujtohet me një retrospektivë të shkurtër në këtë përvjetor.

1.Në dimensionin kishtar me përkujdesjen e tij kryepriftërore nga 12 priftërinj dhe 3 dhjakonë të moshuar dhe të sëmurë, të mbetur gjallë nga diktatura ateiste komuniste, sot KOASH ka mbi 150 klerikë me nënshtetësi shqiptare të të gjitha gradave, me arsim të lartë, të studiuar në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” Shën Vlash Durrës. Sot Sinodi i Shenjtë i Kishës ka në përbërjen e tij prej 8 anëtarësh, 3 mitropolitë i Korës, Elbasanit, Apollonisë (Fierit) dhe një episkop titullar i Bylisit, janë me origjinë dhe nënshtetësi shqiptare, po ashtu edhe sekretari i sinodit. Sot janë në funksion 460 enori orthodhokse në qytet dhe në fshat ku zhvillohen veprimtari liturgjike dhe ku i predikohet popullit fjala e Ungjillit, për të dashur Zotin të afërmin dhe vendin.

2.Në dimensionin ndërtues janë riparuar 160 kisha dhe janë ndërtuar 150 kisha të reja, janë ndërtuar 5 kisha katedrale, ku spikat katedralja “Ngjallja e Krishtit”në qendër të Tiranës si një aset i ri turistik. Janë blerë dhe rikonstruktuar 70 objekte për kopshte, shkolla, qendra rinore, selitë Mitropolitane, shtëpi pritjeje, punishte, mensa për të varfërit, të gjitha këto bëjnë 250 objekte. Funksionojnë 50 qendra rinore, në qytet e fshatra ku edukohet rinia me vlerat e larta morale.

3.Në dimesionin human dallohen Qendra Diagnostikuese me 23 specialistë me shërbime bashkëkohore mjekësore si dhe Qendra Diagnostikuese Okulistike ORL ku bëjnë analiza dhe vizita mjekësore shtetas shqiptar pa dallim fetar. Qendra të kujdesit parësor shëndetësor që funksionojnë në Kavajë, Korçë, Jorgucat(Gjirokastër) dhe Lushnjë. Nuk duhet të harrohet  pa u përmendur ndihma humanitare në shpërndarjen e mijërave ton ushqime, veshmbathje dhe ilaçe, që Kisha Orthodhokse në përkujdesjen e Kryepiskopit ka dhënë gjatë krizave të ndryshme të vendit në1992, 1994, 1997. Ndihmën që iu dha 33.000 refugjatëve nga Kosova me fonde të mbledhura nga vendet skandinave të Konferencës së Kishave Europiane. Në vitin 2008 u ndanë ndihma humanitare për të dëmtuarit e tragjedisë së Gërdecit, në 2015 për familjet e dëmtuara nga përmbytjet.

4.Në dimensionin arsimor janë ndërtuar dhe funksionojnë 21 kopshte në 19 qytete, Shtëpia e Fëmijës “Shpresa” Shën Vlash Durrës, Shkolla 9-vjeçare “Protagonistët” Tiranë dhe Durrës, Shkolla 9-vjeçare Shqiptaro – Greke “Frymë Dashurie” Gjirokastër, dhe 5 shkolla të mesme “Kryqi i Nderuar “Gjirokastër dhe Sukth, Kolegji “Platon” Korçë, Kompleksi Arsimor Shqiptaro-Amerikan  “Protagonistët” Tiranë, Kolegji “Frymë Dashurie”pranë Kishës “Apostull Pavli” Mesopotam, “Shkolla e Muzikës Bizantine” Tiranë,“Konvikti i Shkollës së Mesme” Bularat, Kolegji Universitar “Logos” Tiranë.

  1. Në dimensionin kulturor, në ruajtjen e  trashëgimisë kulturore janë restauruar 600 ikona me vlera të rralla artistike, restauruar 60 kisha e manastire, monumente kulture me një vlerë gati 11 milion euro.

  2. Në dimensionin ekonomik, në Kishën Orthodhokse janë punësuar më shumë se 800 punëtorë të siguruar.

  3. Së fundi me fonde të mbledhura nga Kryepiskopi  u ndërtua Hidrocentrali Rapun, Librazhd, kjo vepër e madhe hidroenergjitike, një ndihmë për ekonominë dhe për vazhdimësinë e veprës ndërtuese të Kishës, por edhe një aset ekonomik për vendin.

E gjithë kjo vepër që duket si maja e një ajzbergu është e pamundur të përshkruhet ,sepse  më e madhja është e padukshme, ajo është puna shpirtërore që Kisha Orthodhokse e Shqipërisë bën prej 25 vjetësh me njerëzit, duke ringjallur shpresën e humbur për jetën, duke riformuar karaktere  të prishura nga egoizmi, lakmia, urrejtja, kotësia, duke shëruar plagët e mëkatit, duke e ngritur njeriun në maja marramendëse në ngjashmëri me Krishtin, një bir Perëndie.

Kjo statistikë nuk është një propagandë elektorale, por një vepër reale me themele të forta, që do të mbetet përjetë në të mire të besimtarëve dhe të vendit.

Kur i shikon të gjitha këto të duket se kështu ka qenë gjithmonë, por nuk ka qenë kështu, madje për Kryepiskopin që mban peshën dhe kontributin  më të madh ka qenë një udhëtim i lodhshëm, si një rrugë kalvari duke mbajtur çdo ditë kryqin. Për këtë rrugë kryqi ai ishte informuar nga vetë providenca Hyjnore. Në kujtimet e tij thotë se;“sipas traditës së Kishën, në Patriarkanën Ekumenike kur dikush merr detyrë episkopale, ai e hap ungjillin rastësisht dhe faqja që lexohet merret si një njoftim i Perëndisë”. Dhe Kryepiskopit Anastas i ra për të lexuar në faqen që flet për kryqëzimin e Krishtit dhe lexohet të Premten e Madhe në Kishë. Prandaj froni kryepiskopal në të cilin ai u ul: “nuk ishte një fron kryepiskopal për t’u ngjitur, por vetëm një stol i thyer plot me gozhda që e kishte lënë persekutimi ateist” thotë ai.

Qëndrimi i tij plot fisnikëri dhe durim përballë sulmeve të pandërprera gjatë këtyre viteve, që i janë bërë atij si kryepiskopi kanonik i popullit orthodhoks, me shpifje, intriga, fyerje, denigrim, nga armiq me urrejtje të pa shkak si; ateistë, nacionalistë paranojak, kundërshtarë të krishtërimit, shtetarë të keqpërdorur,që nuk i dhanë deri më sot nështetësinë shqiptare,ashtu siç e kanë marë shumë të tjerë të huaj me kontribut modest për shqipërinë dhe shqiptarët, po ashtu nga njerëz naivë të pa informuar, të mahnit!?

Por të gjitha këto sulme dashakeqe ai i duroi dhe i duron duke zbatuar porosinë e Krishtit “doni armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që iu keqtrajtojnë dhe ju përndjekin”(Mateo. 5:44). Shprehjet e tij kanë mbetur lapidare si;“me gurët që na qëllojnë ne ndërtojmë kisha”. Shumë “dashamirës” bëjnë çudi si ky njeri qëndron akoma në këmbë, por forca e kryepiskopit me gjallëri rinore, qëndron në fuqinë e Krishtit si apostull Pavli thotë; “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon”(Filipiave 4:13). “Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.” (II Kor. 12:10).

Nuk mjafton vetëm durimi për të udhëhequr një kishë, por duhen siguruar fonde për të gjitha këto vepra ndërtuese të domosdoshme për mbarvajtjen normale të institucionit kishshtar. Fondet për këtë ringjallje shumë dimensionale të Kishës janë siguruar nga kryepiskopi së bashku me shumë miq dhe dashamirës për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët i përgjigjen lutjes së tij për mbështetje ekonomike dhe ndërtimin e këtyre veprave jo vetëm me karakter kishtar, por edhe publik, ai thotë; “jam kthyer në një lypës ndërkombëtar”.

Por mbas kryqit ka ringjallje dhe triumf. Në këtë 25 vjetor Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka të drejtë të festojë me triumf sepse është vërtet një Kishë e ringjallur me të drejta të barabarta me Kishat Orthodhokse si motra në të gjithë botën, me një zë të fortë konstruktiv dhe vendimarës, për përballimin e vështirësive të të krishterëve dhe njerëzve në këtë botë të trazuar me probleme globale, një faktor i rëndësishëm dhe frymëzues me ndikim për harmoninë fetare në vend dhe në botë, një ngushëllim dhe përkrahje sociale për ata që janë në nevojë dhe të lënë mënjanë nga shoqëria, një   “ambasadore” e Shqipërisë dhe shqiptarëve në organizma evropianë dhe ndërkombëtarë ku Kisha Orthodhokse e Shqipërisë është prezente dhe me rol drejtues, një faktor paqeje në rajon.

E gjitha kjo ringjallje e Kishës korespondon dhe me emrin Anastas të Kryepiskopit, që në shqip përkthehet ngjallje. Por Kryepiskopi Anastas edhe pse është i ndërgjegjshëm se është munduar më shumë se gjithë të tjerët me përulësi thotë; “Por me hirin e Perëndisë jam ai që jam; dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë,… jo unë, por hiri i Perëndisë që është me mua”( I Kor. 15:10), duke e nxitur popullin orthodhoks të besojë dhe pohojë se “Zoti është me ne dhe ne me Zotin”.
Në këtë përvjetor panagjirik për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, urimi i sinodit, gjithë të krishterëve, klerik, laik dhe dashamirësve të veprës së tij në Zotin, është  i bashkuar njëzëri; “Për shumë Vjet o Kryezot”. Sepse sa më shumë të rrojë ky njeri i Perëndisë mbushur me dashuri për Zotin dhe të afërmin, aq më shumë do mendojë dhe do realizojë vepra më të mëdha për lavdinë e Zotit, në dobi të Kishës, në shërbim të njerëzve edhe të vendit tonë.
Miron Çako;Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit, KOASH

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button