Ekonomia

30 barnat e reja që futen në listën e rimbursimit për 2017

Vendimi për zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme u mor në mbledhjen e fundit të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimeve dhe Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor dhe pritet të miratohet në Këshillin e Ministrave, teksa lista do hyjë në fuqi më 1 maj 2017

 Nga Pranvera Kola

Pacientët që vuajnë nga sëmundjet tumorale, ato të zemrës, diabetit, si dhe shëndetit mendor do jenë përfituesit kryesorë të barnave të reja të rimbursimit që shtohen në listën e hartuar për 2017-n.

Konkretisht, bëhet fjalë për një zgjerim të listës me 30 medikamente të reja, teksa janë bërë ndryshime edhe në dozat e barnave që do të rimbursohen për një sërë sëmundjesh të tjera, barna të cilat janë aktualisht në listën e rimbursimit.

Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në mbledhjen e radhës miratoi listën e barnave të rimbursimit që do të shpërndahen përgjatë 2017-ës, për të gjitha kategoritë që mbulon skema.

Autoritetet e Fondit bëjnë me dije se ndarja e re e barnave sipas listës së miratuar së fundmi, do të nisë përgjatë muajit maj.

Barnat që shtohen

Referuar ndryshimeve të bëra, autoritetet e Fondit bëjnë me dije se në listën e këtij viti janë shtuar 2 barna antidiabetikë, 1 ilaç kundër obezitetit në pacientët që vuajnë nga diabeti dhe sëmundjet kardiologjike, 1 medikament për mukopolisakaridozë tipi VI për shërbimin e Pediatrisë, 6 barna për shërbimin kardiologjik, të cilët mundësojnë trajtimin e pacientit nga monoterapia në terapi me kombinime të ndryshme, si dhe 4 barna për shërbimin e nefrologjisë.

Gjithashtu, konfirmohet se në listën e barnave të rimbursuara për 2017-n, janë shtuar dhe 3 barna në doza të ndryshme për shërbimin e Psikiatrisë, ilaçi për trajtimin e sklerozës së shumëfishtë recidive remitente, medikamenti për shërbimin e Reumatologjise/Dermatologjisë për sëmundjen e psoriazes, si dhe 3 barna onkologjikë me rëndësi për pacientët që vuajnë nga sëmundje tumorale, të cilët shkurtojnë kohën e hospitalizimit të tyre.

Gjithashtu janë shtuar edhe disa barna për trajtimin e sëmundjeve të tjera kronike, veçanërisht për moshat e treta, të cilat janë edhe përfituesit kryesor të skemës së rimbursimit.

Niveli i rimbursimit të çdo medikamenti

Sikundër ka ndodhur edhe përgjatë viteve të shkuara, masa e rimbursimit të barnave do të jetë e përshkallëzuar, nga 50 deri në 100 për qind të çdo medikamenti, referuar kategorisë në të cilën bën pjesë personi që përfiton nga skema e rimbursimit.

Kështu, përfitimi me rimbursim në masën 100 për qind i këtyre barnave shkon për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, sklerozë multiple, talasemisë major.

Gjithashtu, do të mbulohen në masën 100 për qind, barnat e listës për fëmijët 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët, për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës. Ndërsa për pjesën tjetër, barnat do jepen me rimbursim të pjesshëm, por jo më pak se 50 për qind të çmimit.

Por, në çdo rast për të përfituar këto barna, pacientët duhet të jenë pajisur më parë me recetën e rimbursimit nga mjeku i tyre i familjes. “Lista e barnave këtë vit është vlerësuar dhe në aspektin kosto efikasitet, janë mundësuar kështu barna më cilësor me një kosto më të ulët, duke zgjeruar dhe më tej gamën e barnave të rimbursueshme.

Zgjerimi i listës së barnave do të thotë mbulim me barna të rimbursuara për pjesën më të madhe të sëmundjeve, në parim të mbulimit universal me shërbim shëndetësor të popullatës. Lista e re parashikohet të hyjë në fuqi me datën 1 maj 2017”, bëjnë me dije burimet zyrtare të Fondit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor.

Paketat e shërbimeve që do të mbulohen nga shteti në spitalet publike dhe private

Edhe përgjatë 2017-s, Fondi do të vijojë të sigurojë mbulimin e paketave të kujdesit për një sërë sëmundjesh, si në strukturat spitalore publike, ashtu edhe në ato private.

Duke ndjekur sistemin e referimit, të gjithë pacientët që do të marrin aprovimin e strukturave të QSUT-së dhe Fondit, do të mund të vijojnë realizimin e ndërhyrjeve të zemrës, problemeve me veshkat, apo dëgjimit, si dhe trajtimeve të tjera të nevojshme në spitalet publike dhe private kundrejt tarifave zero. Paralelisht me miratimin e listës së re të rimbursimit, gjatë mbledhjes së zhvilluar, Këshilli Administrativ i Fondit ka miratuar edhe paketat e shërbimeve, të cilat janë rishikuar.

Me ndryshimet e bëra në këto paketa, përcaktohet shtimi i numrit të pacientëve që do të mund të përfitojnë këto trajtime të rimbusruara nga shteti.

Kështu, Këshilli ka miratuar paketën e shërbimit të dializës, përmbajtja e paketës së shërbimit të dializës (protokolli) ku përcaktohen vizitat, ekzaminimet, trajtimet mjekësore si dhe çmimet përkatëse të llogaritura në zbatim të Vendimit të Këshillit Administrativ nr. 52, datë 10.12.2013, “Për rregullat e funksionimit të komisionit teknik të paketës së shërbimit të dializës”.

Po ashtu është miratuar edhe paketa e shërbimit të implantit koklear, ku u rishikua përmbajtja e paketës së shërbimit të implantit koklear duke përcaktuar vizitat, ekzaminimet, trajtimet mjekësore, si dhe çmimet përkatëse të llogaritura në zbatim të vendimit të 2014-ës.

E njëjta procedurë rishikimi është ndjekur edhe për paketën e shërbimit të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, ku janë bërë ndryshime në protokolle, duke përcaktuar vizitat, ekzaminimet, trajtimet mjekësore si dhe çmimet përkatëse në përputhje me rregullat e parashikuara në vendimin e mëparshëm.

Gjatë këtij viti do vijojë të financohet edhe skema e  transplantit të veshkës, për pacientët që do të përmbushin kushtet e përcaktuara. Financimi dhe realizimi i këtyre ndërhyrjeve kryhet fillimisht në sektorin publik.

Por, për shkak se sëmundjet e  veshkave dhe ato kardiokirurgjike  janë me përhapje të lartë, edhe nevojat e popullatës për këto ndërhyrje nuk arrijnë të plotësohen nga spitalet publike, për këtë arsye, për rastet që janë përtej kapaciteteve të institucioneve shëndetësore publike, Fondi i financon këto paketa edhe në spitalet jopublike që kanë kontratë me Fondin.

Pacientët e përfitojnë shërbimin sipas një listë pritje me rregulla të përcaktuara, ndërkohë që nuk kanë asnjë kosto për të paguar, pasi i gjithë shërbimi mbulohet nga shteti.

Si mund të përfitoni nga këto paketa

Rruga që duhet të ndjekë pacienti nis nga zbatimi i sistemit të referimit, për të pasur konsultën e shërbimit përkatës (të nefrologjisë, kardiologjisë, kardiokirurgjisë ose ORL-së).

Vendimin, nëse pacienti ka nevojë për një paketë shërbimi, e merr pikërisht shërbimi përkatës në QSUT. Më pas pacienti drejtohet në zyrat e Fondit ku bën regjistrimin dhe verifikohet lista e pritjes, çka përcakton edhe institucionin konkret ku do të bëhet ndërhyrja.

Pacienti fillimisht regjistrohet në institucionet shëndetësore publike në përputhje me kapacitetet e lira të raportuara pranë zyrës së Fondit, dhe në rast se në datën e përcaktuar, nuk ka vende të lira në institucionin shëndetësor publik, atëherë nëpunësi i autorizuar i sektorit bën regjistrimin e pacientit në mënyrë të barabartë në institucionet shëndetësore private të kontraktuara nga Fondi.

Pacientit i merren të dhënat anagrafike dhe adresa, për t’u kontaktuar më pas nga Fondi në momentin e krijimit të mundësisë për marrjen e shërbimit.

Financimi është në masë të njëjtë, pra 100%, si në institucionet shëndetësore publike, ashtu dhe në ato jopublike – e thënë më thjeshtë, pacienti nuk paguan asgjë shtesë.

Edhe spitali jopublik, që ka kontratë me FSDKSH-në, është i detyruar të trajtojë pacientët e referuar nga Regjistri Kombëtar i Paketave të shërbimeve dhe nuk aplikon pagesë ndaj pacientëve të referuar nga Fondi.

  • Me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit, janë zgjeruar dhe përmirësuar të gjitha paketat shëndetësore që mbulohen nga sigurimet shëndetësore, si në spitalet publike ashtu edhe ato private. Rishikimi i protokolleve të mjekimit të paketave shëndetësore, është në funksion të lehtësimit të pacientëve dhe zgjerimit të shërbimeve që mbulohen brenda paketave që financohen 100 për qind nga fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
  • Përfitues janë pacientët që vuajnë nga dializa, të cilët do të përfitojnë dy paketa të reja, atë të fistulës dhe graftit, të cilat do të financohen plotësisht nga Fondi si në shërbimin publik ashtu edhe në atë privat. Gjithashtu janë shtuar disa ekzaminime të reja në paketën e dializës, në mënyrë që shërbimi i ofruar në paketë të jetë i plotë dhe tërësisht në sinkron me protokollet evropiane të këtij shërbimi.
  • Ndryshime të rëndësishme kanë pësuar edhe paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë. Përpos interventit, nga dy ditë qëndrim në terapi intensive të parashikuar në paketat e mëparshme, tashmë janë tetë ditë qëndrim në terapi intensive për interventet e kardiokirurgjisë, që do të mbulohet financiarisht nga Fondi si në shërbimin publik ashtu edhe atë privat. Gjithashtu, për të gjashtë paketat që përfshihen brenda këtyre dy shërbimeve, janë shtuar ekzaminime të tjera, duke ofruar kështu një shërbim të plotë dhe cilësor për pacientët.
  • Gjithashtu janë bërë ndryshime edhe në paketën e shërbimit që shteti do të mbulojë për fëmijët që kanë probleme të rënda me dëgjimin. konkretisht, bëhet fjalë për paketën e implantit koklear për fëmijët me probleme dëgjimi. Paketa që financohet nga Fondi do të përfshijë rishtazi përpos ndërhyrjes kirurgjikale edhe pajisjen e implantit koklear. Përzgjedhja e pacientëve që do të përfitojnë këtë trajtim do të bëhet sipas listës së pritjes së miratuar nga QSUT.

Lista e re 2017 përfshin këto barna:

  • Anti-diabetikë.
  • Kundër obezitetit në pacientët që vuajnë nga diabeti dhe sëmundje kardiologjike.
  • Për shërbimin e Pediatrisë për Mukopolisakaridozë tipi VI.
  • Për kardiologjinë, të cilat e çojnë trajtimin e pacientit nga monoterapia në kombinime të terapive të ndryshme.
  • Për shërbimin e Nefrologjisë.
  • Për shërbimin e Psikiatrisë.
  • Për Sklerozën e shumëfishtë recidive remitente.
  • Për shërbimin e Reumatologjise/Dermatologjisë për sëmundjen e psoriazis.
  • Për onkologjinë, me rëndësi për pacient ët që vuajnë nga sëmundje tumorale, të cilat shkurtojnë kohën e hospitalizimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button