300-vjetori i arbneshëve në Zarë, përpjekje për ruajtjen e gjuhës
Tre shekuj pas shpërnguljes nga Shkodra dhe rrethina e saj, arbneshët e Zarës vazhdojnë të ruajnë gjurmët e identitetit dhe trashëgimisë së tyre kulturore, ndonëse sot kanë mbetur të paktë në numër dhe gjuha arbnisht po rrezikon të zhduket.
Me rastin e 300-vjetorit të vendosjes së tyre në Zarë, janë organizuar “Ditët e Kulturës Arbneshe”, një manifestim që mblodhi figura të rëndësishme të arsimit, kulturës dhe studiues nga të gjitha hapësirat shqiptare. Aktiviteti u mbajt me iniciativën e Shoqatës së Prefekturës së Zarës dhe në organizim të institucioneve lokale.
Në lagjen “Arbanas”, ku arbneshët jetojnë prej shekujsh, banorët tregojnë se dikur gjuha shqipe flitej pothuajse në çdo familje, ndërsa sot ajo dëgjohet shumë rrallë.
“Këtë vit bëhen 300 vjet prej kur të parët tanë kanë ardhur këtu. Familja ime janë arbneshë, por sot flasim shumë pak arbnisht”, tha Nino Stipçeviq.
Edhe Leon Qurkoviq thotë se gjuha është duke u humbur nga brezi në brez.
“Prindërit e mi kanë qenë arbneshë dhe në familje është folur arbnisht. Fëmijët tanë nuk dinë më ta flasin. Gruaja ime e kupton, por nuk di ta flasë”, u shpreh ai.
Ndërsa Albino Mikoliq thekson se sot janë vetëm disa familje që ende mund të komunikojnë në arbnisht.
“Pak kemi mbetur. Shumica janë martuar me komunitete të tjera dhe gjuha po humbet. Ndoshta vetëm tri shtëpi ende flasin pak arbnisht”, tha ai.
Në akademinë solemne kushtuar këtij jubileu morën pjesë edhe përfaqësues institucionesh dhe studiues nga Kosova e trevat shqiptare, të cilët ngritën shqetësimin për ruajtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor të arbneshëve.
Studiuesi, dr. prof. Isak Shema, tha se ky jubile duhet të shërbejë si moment reflektimi për të ardhmen e arbneshëve në Zarë.
“Këtu është dhënë një vizion për ruajtjen e gjuhës, zakoneve dhe identitetit të arbneshëve të Zarës”, tha ai.
Ndërkaq, studiuesi dr. prof. Bardh Rugova vlerësoi interesimin institucional në Kroaci për trashëgiminë arbneshe, por tha se nevojiten hapa konkretë për ruajtjen dhe revitalizimin e arbnishtes.
“Nuk mjafton vetëm ta quajnë arbnishten pasuri kulturore. Duhet të ndërmerren veprime konkrete për ruajtjen e saj”, tha Rugova.
Në përpjekje për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe tek brezat e rinj, profesor Vesel Lekaj dhe Shoqata e Shqiptarëve në Qarkun e Zarës po organizojnë mësim plotësues në gjuhën shqipe për nxënësit arbanas./RTK




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.