613 kg kokainë nga Kolumbia, zv. ministri i Brendshëm: Ja kush po hetohet, edhe jashtë Shqipërisë
Zëvendës/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, thotë se personat e arrestuar sot për sasinë rekord të kokainës së kapur në Durrës, plot 613 kg kokainë, kanë qenë nën vëzhgim nga policia në bazë të precedentëve që ky grup kriminal ka pasur në shtete të tjera për trafik droge.
I ftuar në intervistën e mbrëmjes në Ora News, ai tha se Prokuroria ka skeduar një listë emrash të përfshirë, një pjesë e tyre edhe jashtë Shqipërisë.
Lamallari: Ishte operacioni i përbashkët i agjencive ligjzbatuese shqiptare, policisë së shtetit, hetimit doganor dhe prokurorisë.Kishte informacione dhe një analizë risku ndaj këtij grupi.U bë e mundur që nga momenti i mbërritjes në port deri në trasnportimin e drogës në magazinë u evidentuan dhe persona të tjerë. Ka një listë me persona të skeduar. Në momentin që u realizuar operacioni ishte i pranishëm dhe prokurori i krimeve të rënda dhe hetimet vazhdojnë.Në operacione të tilla nuk ka vend për rastësi. Ka analizë risku mbi personat, të cilët kanë dënime penale dhe në disa vende të tjera për veprimtari të ngjashme. Në bazë të këtyre informacineve dhe mbajtjes në vëzhgim të vazhdueshëm nga policia. Personat e ndaluar ishin në vëzhgim dhe të tjerë që janë jashtë Shqipërisë.
Ai tha se po bashkëpunohet me partnerët e huaj në shkëmbimin e informacioneve pasi kemi të bëjmë me një trafik transnacional.
Lamallari: Me partenërt e huaj po bashkëpunojmë nga momenti i sekuestrimit. Për ndarjen e informacionit kanë ofruar të gjithë gadishmërinë dhe bashkëpunimin e nevojshëm.Po flasim për një trafik transnacional dhe janë të përfshira dhe vende të tjera.Droga e ardhur nga Kolumbia kishte kaluar tranzit në Itali, më pas në Maltë dhe pastaj në Shqipëri.Kjo sasi e madhe nuk mund të mendohet se do të qarkullonte në Shqipëri por do të qarkullonte më tej në vende të tjera të BE. Me DEA-n, Antimafian italiane dhe Europol kemi bashkëpunim të vazhdueshëm, ka dhe hetime të caktuara por nuk ishte ky rasti. Ka qenë vetëm operacion i agjencive ligjzbatuese shqiptare. Personat e këtij grupi kriminal kanë kryer veprimtari të ngjashme dhe sasi të caktuara droge janë sekuestruar në vende të Amerikës Latine.Me informacionet e marra mjafton që këta persona të mbahen në vëzhgim.Por operacioni ishte produkt Made in Albania.
I pyetur se cili ishte destinacioni i lëndës narkotike, ai dha këtë koment:
Lamallari: Mbetet për tu vërtetuar nga hetime të metejshme.Ka një listë me persona të skeduar, hetimet po vazhdojnë dhe nga prokuroria në bashkëpunim dhe me autoritetet e huaja. Ka edhe persona jashtë Shqipërisë. Nga dijenia që kam llogaritet që një sasi e tillë bashkë me shpenzimet e transportit llogaritet 3-4 milion euro investimi fillestar, por pastaj çmimi në tregun me pakicë do të përkthehet në 180 mln euro.Është një dëm i konsiderueshëmpër krimin e organizuar.
Lamallari shpjegoi edhe vonesën në bërjen publike të operacionit, që edhe pse i zhilluar mbrëmë rreth orës 18:00, media u njoh me të vetëm mesditën e sotme.
Lamallari: Është me rëndësi që në operacione të tilla të ruhet konfidencialiteti. Në këtë operacion janë përfshirë 100 oficerë policie, të cilët përkundër akuzave, kanë dëshmuar se dinë të ruajnë konfidencialitetin dhe të kapin një sasi kaq të madhe droge. Skaneri i portit ka bërë punën e vet.Kapja u paralajmërua mbrëmë dhe nga Ministri i Brendshëm.