Ekonomia

PD: Buxhetit të shtetit i mungojnë 122 milionë dollarë

Partia Demokratike i kërkon qeverisë përgjigje pse Safet Gjici mori 1.5 milionë dollarë për një projekt të pakontraktuar nga qeveria. Kështu deklaroi në një dalje për mediet nga selia e Partisë Demokratike,  Dorian Teliti, këshilltar për Ekonominë pranë kësaj partie.

Sipas Telitit, buxhetit të shtetit i mungojnë 122 milionë dollarë.

“Në 11 muaj, dështimi në mbledhjen e të ardhurave, buxhetit të shtetit i mungojnë 122 milionë dollarë, dëshmi kjo e krizës ekonomike të familjeve shqiptare dhe e abuzimeve korruptive në tatime dhe dogana”, tha ai.

Më tej Teliti akuzoi qeverinë se favorizoi Safet Gjicin me 1.5 milionë dollarë.

“Me aktin e fshehtë normativ, kryeministri i ka shkurtuar investimet në arsim, por i ka dhënë Safet Gjicit 1.5 milionë dollarë për një punë, për të cilën ai nuk ka lidhur kontratë me qeverinë, por me Universitetin e Durrësit. Nëpërmjet kompanisë “Kevin Construction”, Safet Gjici ka lidhur kontratë prej 5 milionë dollarë me këtë universitet, i cili, sipas dokumenteve të tenderit, duhej të financohej plotësisht nga të ardhurat e vetë Universitetit”, tha ai.

Po ashtu Teliti shton se “Në vend që të shlyejë rreth 240 milionë dollarë detyrime të prapambetura, të konstatuara nga FMN, qeveria  i jep Safet Gjicit me 1.5 milionë dollarë për një projekt ku ajo nuk ka asnjë detyrim.

“Në Shqipëri janë me dhjetëra projektet që Universitetet kanë kontraktuar me kompanitë private, por qeveria ka përzgjedhur të financojë vetëm njërin prej tyre, atë të klientit Safet Gjici. Në 5 vitet e qeverisjes Safet Gjici ka marrë rreth 30 milionë dollarë tendera, shumicën e të cilëve pa garë apo me garë fiktive”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button