Kosova

Alex Whiting – ushtrues detyre i Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë

Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, siç njihet Gjykata e Posaçme për krime lufte në Kosovë, njoftoi të premten në mbrëmje se juristi Alex Whiting, është emëruar ushtrues detyre i kryeprokurorit, duke zëvendësuar kryeprokurorin e deritashëm Jack Smith.

Njoftimi u bë publik disa orë pasi Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland emëroi zotin Smith si prokuror të posaçëm për të mbikëqyrur hetimin e Departamentit të Drejtësisë për praninë e dokumenteve sekrete në pronën e ish-presidentit Donald Trump në Florida. Ai do të merret gjithashtu edhe me hetimin e veçantë që përfshin sulmin e 6 janarit 2021 mbi Kapitolin dhe përpjekjet për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Në njoftimin e Dhomave të Specializuara thuhet se zoti Whiting do të ushtrojë funksionet e kryeprokurorit deri në emërimin e një kryeprokurori të ri dhe nuk do të ketë ndërprerje të punës.

Zoti Whiting, 58 vjeç, me kombësi franko-amerikane ka punuar në zyrën e prokurorit nga qershori i vitit 2019, fillimisht si Udhëheqës i Hetimeve, dhe duke filluar nga muaji gusht 2020 si Zëvendësprokuror i Specializuar.

Midis viteve 2010 dhe 2013, ai ishte pjesë e Zyrës së Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Ndërsa në periudhën midis viteve 2002 dhe 2007, kishte punuar në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë. Gjatë asaj kohe kishte qenë kryeprokurori i çështjes në procesin kundër ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, Isak Musliu, dhe Haradin Bala, si dhe kryeprokuror në gjykimet ndaj serbit nga Kroacia Milan Martiç dhe serbit nga Bosnia, Dragomir Milosheviç.

Gjykata e Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili hodhi dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Më shumë se 13 mijë veta besohet se janë vrarë gjatë kryengritjes së viteve 1998-99 në Kosovë, kur ajo ishte ende nën administrimin serb nën presidentin e atëhershëm Slobodan Milosheviç. Lufta mori fund më ndërhyrjen e NATO-s dhe Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Beogradi i mbështetur nga Moska vazhdon ta kundërshtojë shtetësinë e saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button