Home / Ekonomia / Në bursa energjia u shtrenjtua në 248 euro, Shqipëria e shet me 80 euro

Në bursa energjia u shtrenjtua në 248 euro, Shqipëria e shet me 80 euro

Në mes të krizës energjetike të shpallur nga vetë qeveria dhe një plani për të vendosur një fashë 800 kilovat për familjet që shpenzojnë më shumë energji, KESH shiti sot energji shumë më lirë seç e bleu atë pak ditë më parë.

Për shkak të prurjeve të mëdha nga reshjet e ditëve të fundit, KESH ndali importin dhe eksportoi të hënën 8040 megavat/orë energji elektrike me një çmim mesatar 80-100 euro/megavat orë.

Por, çmimi i shitjes nga KESH ishte 3 herë më i lirë se çmimi që e importoi javën e kaluar, mesatarisht për 228.3 euro/megavat orë. Por edhe më lirë se sa çmimi që është sot në bursë, rreth 248 euro për megavat ose gati 4 herë më pak.

Por, fatura e blerjeve të energjisë sa vjen e rritet, edhe për shkak të shtrenjtimit të fortë të çmimit të energjisë në bursa. Prej fillimit të vitit e deri më 20 nëntor janë shpenzuar rreth 430 milionë euro për importin e energjisë për mbulimin e nevojave të furnizimit në vend.

Kjo shifër po shkon gati dyfish më e lartë se vitin e kaluar, kur në total për gjithë vitin fatura e importit të energjisë ishte 285.5 milionë euro.

Megjithatë, ajo mund të rritet më tej në kushtet kur ka mbetur ende më shumë se një muaj nga mbyllja e këtij viti dhe gjithçka do të varet nga kushtet e motit.

Reshjet e shiut së fundmi kanë sjellë përmbytje dhe dëme në shumë zona të vendit, por po përmirësojnë situatën në lidhje me energjinë elektrike duke bërë që të ndalet blerja në import, e ndoshta edhe një tjetër shtyrje e vendosjes së fashës 800 kilovat, përmes të cilës çdo familje që shpenzon mbi këtë nivel do të duhet të paguajë energjinë 4.4 herë më shtrenjtë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: