Home / Opinion / Çudira zgjedhore alla shqiptarçe

Çudira zgjedhore alla shqiptarçe

Petro Dhimitri

Nuk ka qenë e thënë nga i madhi Zot që në Shqipëri procesi zgjedhor të zhvillohet normalisht si në të gjitha vendet e rajonit tonë. Si më të zgjuar që janë liderat e partive kryesore, kanë dashur të marrin më shumë vota nga sa u jep populli. Për këtë si PD dhe PS në vite krijuan aq marifete, ndonjëherë të stërholluara, që të merrnin më shumë vota. Përfshinë në listat e votimeve edhe të vdekurit si dhe emigrantët, që votuan pa qenë fare në mëmëdhe?! Ka edhe më. Janë ndërruar komplet kutitë e votimit, duke vënë të reja, të parapërgatitura me qetësi?! Në një rast ekstrem, kur zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës i fitoi ngushtësisht Edvin Rama i PS-së, Berisha që kishte pushtetin luajti të gjithë gurët që të nxirrte fitues Lulzim Bashën. Dhe e nxorri. Në ç’mënyrë? Duke ”ruajtur” më shumë se një javë me njerëzit e tij kutitë e bllokuara të votimit si edhe duke marrë të mirëqëna fletët e votimit që ishin të pavlefshme?! Rezultati: Lulzim Basha dolin ngushtësisht fitues dhe u bë kryetar i Bashkisë të Tiranës?! Tamam demokraci e kulluar e tipit berishjan!

     Këto çudira të lidërve tanë m’u rikujtuan tani kur edhe për të regjistruar partitë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve po dalin ca si yçkla që sa janë për të qeshur aq dhe për t’u pezmatuar. Deri tani, në Shqipërinë ”moniste” të Ramës me grigjën e tij socialiste, janë regjistruar për zgjedhjet vendore të 14 majit 46 parti. Shumë nga ato vetëm se janë regjistruar në Gjykatë. Aktiviteti i tyre thuajse zero. As në media: televizionet, gazetat e portalet e shumta nuk u është dëgjuar zëri, megjithatë parti na qenkërkan. Pse? Paskan mundur të marrin aq firma sa janë dashur për të çuar në gjykatë. Po e pranojmë. Po si është e mundur që Komisioni Qendror i zgjedhjeve, më saktë kryetari i saj Ilir Celibashi,kur ka pranuar të regjistrojë këto parti fantazma pa as edhe një lloj aktiviteti refuzoi të regjistronte Partinë Demokratike me aq reputacion dhe përvojë qeverisëse ?! Cila është arsyeja e këtij refuzimi kategorik? Ai me të drejtë, sipas ligjit kërkon që shkresa përkastëse të jetë firmosur nga kryetari i partisë. Në Gjykatë figuron Lulzim Basha kryetar. Po ai, edhe pse figuron si kryetar, ai në fakt ka dhënë dorëheqjen gadi një vit më parë. Me ç’të drejtë u kërkoka që Basha i cili nuk është kryetar të firmosë shkresën për regjistrimin për zgjedhje vetëm pse e paska emrin në gjykatë?! Për t’i paradalë kësaj pengese ligjore, Basha me prokurë këtë të drejtë ia ka deleguar Alibeajt që është i komanduar në postin e kryetarit. Ai nuk është hiçi. Është deputet dhe kryetar i opozitës në Parlament. Ajo PD merr financimet nga shteti, doemos me firmën e Alibeajt. Atë e njohin si të tillë edhe ndërkombëtarët. Me atë bisedoi edhe ambasadorja e SHBA-së Juri Kim, kur takoi përfaqësuesit e partive kryesore: Gjiknurin e PS-së, Metën e Partisë së Lirisë dhe Alibeajn si kryetar i PD-së. Po ja që për Celibashin nuk na qenka drejtues i regjistruar në gjykatë?! Për këtë regjistrim ose formalitet ai dënon  një parti me aq reputacion që të mos marrë pjesë në zgjedhje! E kuptoj që firma ka rëndësi, po në rastin konkret kur PD-ja është në një situatë anormale, prokura e lëshuar nga Basha për Alibeajn është e barazvlerëshme me regjistrimin në gjykatë. Ajo vërteton se aktualisht këtë parti e përfaqëson Alibeaj. Lind pyetja pse krijohet ky ngërç krejtësisht i shmangshëm,
 kur nuk ka asgjë për të dyshuar? Si mund të quhet normale të kërkohet firma e kryetarit që ka dhënë dorëheqjen dhe të mos pranohet firma e atij që drejton realisht këtë parti?!
      Po qe se edhe apeli ka për të lënë jashtë zgjedhjeve PD-në ligjore, i mbetet Parlamentit  të miratojë një ligj urgjent që jo vetëm PD-ja ligjore të marrë pjesë në zgjedhje, po edhe grupi i Foltores së Berishës. Në qoftë se nuk pranohet Berisha si NON GRATA ndërkombëtar, nuk ka arsye  të privohen nga e drejta e votës pasuesit e tij jo aq të pakët në numur.
        Çudija tjetër edhe më e freskët për këtë proces regjistrimi është shkresa e koalicionit të Partisë të Lirisë, grupit të foltores së Berishës, Partisë Konservatore dhe partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Habia më e madhe është se në atë shkresë nuk përmendet grupi i Foltores, po shkruhet Partia Demokratike kur Berisha nuk është përfaqësues ligjor i saj. Ligji njeh si PD vetëm grupimin e Alibeajt. Mirë Berisha që njihet si manipulator, gënjeshtar, intrigues dhe paranojak, po si ka mundësi që ish Presidenti, ish kryeministri, ish ministri i jashtëm i Shqipërisë dhe ishi i shumë posteve të tjera të larta, zoti Iliri Meta  të dërgojë një shkresë për koalicionin duke përfshirë edhe një parti që ligjërisht nuk njihet?! Këtë u detyrua disa ditë më parë ta pranonte edhe zoti Celibashi i cili tha se grupimin e foltores nuk e njeh ligji,pavarësisht se ” unë e di që Berisha është kryetar i partisë Demokratike”. Pak si e çuditëshme që kryetari me aq stazh të gjatë i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të njohë personalisht Berishën si kryetar, në një kohë që bashkë me familjen ai është shpallur NON GRATA për korrupsion të lartë dhe për zënien për gryke të drejtësisë?! Njeh për kryetar një njeri që abuzivisht prej dy vjetësh drejtësia jonë nuk po e heton  për bëmat e tij korruptive. Një njeri që nuk është i denjë për të shkelur në Amerikë dhe në Angli?!
Me këtë  Berishë vete e bashkohet edhe Meta?! O Zot i madh, cilët njerëz kemi patur Presidentë e Kryeministra?! Të korruptuar,  me para të dyshimta edhe nga Putini, të pasuruar edhe duke mjelë mirë e mirë popullin fukara për të ndërtuar vila tip pallatesh për veten e tyre. Njerëz intrigantë e gënjeshtarë të cilët ende nuk janë ngopur së pasuruari dhe kërkojnë sërish të qeverisin Shqipërinë! Janë po këta që me tërbim janë hedhur për të rrëzuar me çdo mënyrë qeverinë e zgjedhur nga populli. Deri më tani nuk kanë mundur. Po përbetohen se kanë për të fituar zgjedhjet vendore. Në pësofshin disfatë ,justifikimi ka për të qenë i menjëhershëm: NA VODHËN VOTAT. Edhe ky refren, i dëgjuar për një kohë të gjatë pas të gjitha zgjedhjeve, është pjesë e çudirave që pjellin kokat e mëdha të politikanëve ”demokratë” të Shqipërisë. A thua  meritojmë t’i bashkohemi Europës me këta udhëheqës që vetëm udhëheqës nuk janë?! Shpresojmë të hidhen sa më parë në koshin e plehrave që të mos kemi më çudira elektorale.

Leave a Reply

%d bloggers like this: