Opinion

Një shuplakë tjetër për Berishën

Petro Dhimitri

GODITJEN E PARË të madhe Sali Ram Berisha ose doktori, siç e thërrasin, e mori kur më 1913 për zgjedhjet parlamentare, populli nuk e votoi. Deshi nuk deshi dha një dorëheqje formale, duke e drejtuar PD-në pas kuintave. GODITJA E DYTË edhe më e trishtueshme për të ishte kur SHBA-të, që e ndihmuan të vinte në pushtet, e shpallën person NON GRATA. Ai, bashkë me familjen e tij, nuk kanë të drejtë të shkelin në tokën e bekuar të përtejdetit. Pse? Për korrupsion të nivelit të lartë bashkë me familjen si dhe për ndikimin e tij mbi drejtësinë. Kaq shumë zullume do t’i kenë vërejtur ata doktorit sa nga beniamin tani e kanë shpallur armik. Jo vetëm si NON GRATA. Ishin amerikanët që detyruan Lulzim Bashën të merrte një vendim tejet të vështirë: po mbajtët Berishën në parti edhe PD ka për të qenë NON GRATA. Kjo ishte SHUPLAKA e TRETË për Berishën. Mbeti edhe jashtë grupit parlamentar të asaj partie që e konsideronte pronë të patundëshme të tij.  Duke qenë nën këtë akuzë të rëndë  mendimi i tij nuk mund të ishte i kthjellët. Ai u davarit jo pak. Në vënd që ta mbyllte gojën, me të gjitha forcat u hodh në kundërsulm ndaj SHBA-së. Krijoi edhe Foltoren. Edhe pse jashtë forumit të PD-së, vetë krijoi një PD të dytë, po që ai e quante të parë?! Krijoi PD-në e vërtetë, sipas tij. Prirja e saj, doemos antiamerikane. Kundër sekretarit të shtetit  Blinken dhe tërë ambasadorëve të SHBA-së, që na paskan vepruar kundër udhëzimeve të Washingtonit?! Një pjesëz jo e vogël kjo e marrëzisë së tij.

           GODITJA e KATËRT i erdhi kur apeli rrëzoi vendimin e Gjykatës së shkallës së parë që i la atij të drejtën e vulës, duke e njohur Foltoren si PD-në zyrtare. Megjithatë ai vazhdoi të pretendonte se është zyrtarisht kryetar i PS-së, sepse i referohej  vendimit të gjykatësit Zukri?! Avokat Ngjela e spjegoi mirë këtë situatë. Është pak a shumë njësoj që një shtetas nga gjykata e shkallës së parë është dënuar me 10 vjet burg, po qe se apeli e nxjerr të pafajshëm, ai u dashka të vazhdojë të mbahet në qeli?! Kjo mëndësi jo pak, po si shumë e çoroditur e çoi të parin e Foltores të vazhdonte t’i binte fyellit si lider legjitim i PD-së dhe i tërë opozitës. Kërkoi bashkëpunim me zotin Ilir Meta  për të ripërsëritur koalicionin e viteve të mëparshme me të. Nuk kishte ku të shkonte më mirë. Dy komunistë dhe dy amtiamerikanë të mirënjohur ,duke u bashkuar, kishin për të fituar ndaj properëndimorëve. Hartuan edhe listën e koalicionit. Përfshinë dhe konservatorët bashkë me partinë e të drejtave të njeriut dhe drejt  shkresën në KQZ! Doli që dardha na i kishte bishtin mbrapa. Berisha me Foltoren e tij  nuk figurojnë të jenë rregistruar në gjykatë. Firmën për PD-në në dokument si kryetar e ka Basha. Alibeaj ka prokurën e tij, prandaj atë dhe vetëm atë njeh ligji. Berishistët nuk mund të futen në zgjedhje me logon e PD-së. Kjo ishte GODITJA E PESTË e madhe për këtë njeri që në këto 32 vjet si kryetar partie, 5 vjet si President dhe 8 vjet si Kryeministër  i ka shkaktuar Shqipërisë më shumë të këqia se të mira.
         Po të ishte njeri me mëndje të kthjellët doktori, sapo e përjashtuan nga PD-ja, ashtu siç nisi rrugëtimin e Foltores, krahas saj të dërgonte në Gjykatë dokumentin për krijimin e një partie të re. Fjala vjen ta quante Partia Demokratike e Reformuar , Partia Demokratike e Vërtetë, Partia Demokratike e së Ardhmes, etj, etj. Në të kundërt ai këmbënguli si mushka që, edhe pse ligjërisht nuk ishte kryetar i PD-së, t’i imponohej drejtësisë ashtu si bënte kur kishte pushtetin. Harroi që koha ka ndryshuar. Ai ka rënë nga kali. Kalin e drejtësisë shqiptare aktualisht po e drejton me dinjitet SHBA-ja.
            Pavarësisht se Berisha është NON GRATA dhe si i tillë është mirë të hetohet nga drejtësia jonë, nuk ka pse tërë pasuesit e tij ( nuk e di me numur sa mund të jenë) të mbeten pa votuar. Këtë të drejtë atyre ua garanton kushtetuta. Nuk do të ishte keq që Parlamenti ose Presidenti të gjenjë një mënyrë ose modus vivendi që edhe grupimi anti-SHBA i Foltores të mund të marrë pjesë në zgjedhje. Jo si koalicion, po si grupim   politik më vehte. Kur janë regjistruar Partia Komuniste dhe shumë parti të tjera që pothuaj nuk njihen fare nga populli nga që figurojnë vetëm se janë regjistruar në gjykatë,pse t’i mohohet kjo e drejtë Foltores. Në fund të fundit, duke marrë pjesë në zgjedhje pa koalicion Berisha me pasuesit e tij, Shqipëria ka për të mësuar saktë se sa shtetas kemi antiamerikanë dhe antiperëndimorë. Është mirë të dimë numurin e atyre që duan të mbështetemi te Lindja e kuqe, te Putini dhe Xi Jinpingu i Kinës. Kjo sepse Shqipëria si shumica e shteteve të Botës ka një pavarësi relative. Vetëm SHBA,KINA,RUSIA e ndonjë shtet tjetër janë 100 për qind të pavarura. Bota tjetër nuk e gëzon dot këtë privilegj. Shtetet më të vogla janë të detyruara të veprojnë sipas grupimit që kanë përzgjedhur. Ballkani dhe Europa janë me Amerikën. Vendimet e qeverive të këtyre vendeve patjetër që duhen harmonizuar me ato të liderit të kësaj aleance. Ashtu si , Kina, Korea e Veriut e së fundi dhe Rusia pipëzat i kanë ujdisur bashkë.Duan nuk duan nuk mund t’ia prishin njeri tjetrit. Këtë linjë kanë për të ndjekur dhe antiperëndimorët tanë . Sytë dhe veshët ata që tani i kanë drejtuar andej nga prej gjysmë shekulli shqiptarët vuajtën të zezat e ullirit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button