Opinion

14 maji për shkodranët e mij

Petro Dhimitri

Shkodranët që më njohin me të drejtë kanë për të thënë se ku na doli Petro vlonjati edhe shkodran?! Po përpiqem të bëj sa më shkurt sqarimin: Familja ime kishte kumbar barnatorin,  zotin

Risto Tomiqi. E shoqja e tij Janica çdo vit vinte e rrinte nja një javë te ne, edhe kur ramë nga gjëndja… Kur regjimi mizor komunist arrestoi dhe gjykoi priftërinjtë e pafajshëm katolikë, babai im, avokat Kol Dhimitri mbrojti padër Damjanin. Ai u tha të vërtetën komunistëve se armët në kishë nuk i kanë vënë priftërinjtë, po i keni vënë ju për të akuzuar përfaqësuesit e nderuar të klerit katolik. Ju do t’i dënoni me ekzekutim këta misionarë të lartë, po nuk keni për të bërë gjë tjetër, veçse keni për të shtuar numrin e martirëve të Kishës Katolike. Pas këtyrë fjalëve fërshëllima nga komunistët që kishin mbushur sallën. Kur donte të kthehej për në Tiranë, babanë e ndaluan. Tetë ose dhjetë orë ishte si në gjendje para arresti. Më në fund erdhi urdhëri nga Tirana që avokatin ta linin të lirë. Ishte si të thuash një liri me kusht. Si familje na përjashtuan motrën Aleksandra dhe vëllain Stefan nga të gjitha shkollat e Shqipërisë si armiq të shtetit dhe partisë pa bërë as dhe një veprim?! Na hoqën edhe triskat e Frontit. Babait nuk i dhanë leje për të ushtruar profesionin. Për 3 vjet juristi i diplomuar në La Sapienca të Romës punoi me lopatë në ndërmarrjen Rruga-Ura të Tiranës. Komunistët nuk mundën të gëlltisnin mbrojtjen e guximshme profesionale të një avokati! Shkaku:Shkodra. E dinim, e mendonim, po as nuk guxonim ta përflisnim qoftë brënda mureve të shtëpisë me hyrje të prëbashkët?!
               Edhe kjo lidhje indirekte me Shkodrën nuk më jep të drejtë që t’ju quaj ju  vëllezërit e mi. Pas 23 vitesh, fati e deshi që unë të martohesha me një vajzë nga familje shkodrane. Quhet Lidja Igniac Sahatçia. Axha i saj ishte Dom Ndoc Sahatçia, dergjur burgjeve për 24 vjet?! Del se fëmijët e mi janë 50 për qind shkrodranë. Unë e quaj veten 100 për qind, sepse jam nga fshati i gruas. Të paktën kështu thotë populli.
        Tani kam të drejtë të dal te 14 Maji 2023. Kjo ditë më kujton si në ekran historinë e dhimshme të qytetit tuaj gjatë regjimit komunist. Priftërinj të pushkatuar dhe arrrestuar. Në fund fare, të gjithë ata që ishin gjallë, edhe pse kishat qenë prishur, i futën në burg.Po sa familje katolike shkodranë vuajtën nga lufta e klasave?! Një qytet gadi i tërë doli si me njolla në biografi. Kjo ishte arsyeja që ju vëllezër shkodranë iu bashkuat Partisë Demokratike që u bë varrëmihësja e PPSH-së vrastare. Ju u bashkuat me PD-së dhe pse kryetarin e saj e ngrakoi me atë detyrë diktatori Ramiz Alia. Edhe pse dihej që ai ishte një komunist nga më të zellshmit. Ai nuk u bë urë e vig për Ramiz Alinë. Kjo është e vërtetë. Ama ai nuk ishte as diplomat, as jurist, as ekonomist, po një mjek shumë i aftë, i cili njihte vetëm mësimet e PPSH-së. Shumë shpejt ai ato filloi t’i zbatonte me zell, sidomos eleminimin e kundështarëve brenda partisë. Mbi 200 intelektualë të përjashtuar nga ai njeri! Megjithatë, bravo që ju mbetët bastioni më i vendosur i idealeve antikomuniste dhe pro PD-së edhe kur qytetet e tjera të mëdha nuk e votuan më dhe ai ra nga pushteti. Nuk mund t’ju them as edhe një fjalë për këtë se ishte njeriu më i adhuruar, shpresa e të gjithëve.Ai ende nuk e kishte hequr krejtësisht setrën blu për ta zëvendësuar me një jelek të kuq. Edhe më shumë për të bashkuar jelekun e tij me atë të komunistit Ilir Meta. Përsëri disa mund ta kapërdijnë këtë simbiozë, se nuk ju duket edhe shumë shkatërruese. Kjo vlente deri në ditën kur njeriu shpresë i Shqipërisë filloi luftën e tij edhe si anti amerikan. Ai ka shkuar thikë e brisk me të gjithë anbasadorët e Washingtonit. Ai  hodhi në gjygj në Paris edhe sekretarin e Shtetit Antoni Blinken , kur edhe budallenjtë e dinë se Franca për këtë çështje nuk mund të gjykojë Washingtonin. Këtë veprim  e bëri për t’ju hedhur hi syve të gjithë shqiptarëve. Doemos i doli bllof ashtu si 21 janari, si Gërdeci, si rebelizmat e tij  për të rrëzuar kryeministrin e një qeverie të zgjedhur nga populli. Ka shumë e shumë për të thënë për të. Për aktin e tij më të freskët si anti amerikan çdo shkodran i ndershëm duhet të thotë: NDALU BEG SE KA HENDEK! Si mund të dalim ne kundër SHBA-së, Anglisë dhe Perëndimit dhe të mbetemi të vetmuar në mes ujqërve që na rrethojnë, sidomos nga Veriu?!  Po të mos ishte NATO a thua se Serbia nuk kishte për t’i trazuar keqas urat në Kosovë? Ajo vetmi dyshen komuniste të koalicionit ”Bashkë Fitojmë” ka për t’i hedhur në prehërin e Putinit dhe Pekinit. Atëhere lamtumirë NATO! Edhe procesi për bashkimin me Europën kishte për t’u davarit. ”Mos o Zot!” kishte për të thënë me të drejtë çdo shkodran i ndershëm. ”Mos o Zot!”, sepse nuk është Shkodra që po tradhëton prijësin e adhuruar të saj, po është ai që tradhëtoi idealet demokratike që  ju i ruani me fanatizëm në zemrat tuaja.Prandaj duke mos votuar për njerëzit e Rithemelimit ose ” Bashkë Fitojmë”, ju keni mbrojtur me dinjitet idealet pro Perëndimore të Shkodrës, këtij bastioni fantastik të fesë, kulturës, artit dhe politikës. Dikush nga ju mund të mendojë që unë po ai fus pak si kot, sepse kandidati është djalë shumë i mirë. Është i ndershëm, korrekt dhe me vizion. E pranoj. Veç ama nuk duhet të harroni se kryetari i Rithemelimit është ai që vendos, dhe jo një ushtar i tij, sado i mirë që të jetë. E mirëdi që jeni njerëz jo vetëm të vendosur, po edhe pak si romantikë. Në kapitalizëm, kam parasysh SHBA-në, Kanadanë, Anglinë, etj. njerëzit të gjitha ëndërrat e tyre i lidhin me zhvillimin. Ama ecjen përpara e bën të mundur vetëm paraja. Do t’ju thoja të mos shikoni se i cilës parti është kandidati për kryetar Bashkie. Të shikoni se cili nga ata i afron Shkodrës zhvillim më të madh. Lulishtet, rrugët, uji, kanalizimet dhe buka që blejmë nuk janë as blu dhe as rozë apo violet. Pak rëndësi ka për ju se cila parti e bëri lulishten. Rëndësi ka vetëm që u bë. Pastaj ka vënd për të diskutuar në u bë shumë mirë apo fondet hupën rrugës.
             Pse i them këto? Sepse në qoftë se shteti po ju ndërton rrugë dhe ura, që do ta bëjë aq të afërt komunikimin me Malin e Zi përmes Bunës, edhe Bashkia duhet të jetë në një vijë me shtetin. Kam dëgjuar, mos qoftë e vërtetë, se Bashkia e njerëzve blu nuk po don që ujin t’ia sjellin njerëzit e Ramës, edhe pse gjyshen e kishte shkodrane?! Shikoni si dhe sa është zhvilluar Tirana. Në shumicën e viteve ajo ka qenë në një linjë me qeverinë. Po Korça si është bërë? Mos harroni dhe Vlorën! Asnjë rëndësi nuk ka se cila parti i lulëzoi këto qytete. Dua me gjithë shpirt që shkodra juaj dhe e gruas sime të ringrihet në piedestalin që i takon.
          Në qoftë se dikush mendon se e kam shkelur, sinqerisht i kërkoj të falur, doemos për hir të SHKODRËS. Një hollësi e vockël. Të vetmen fotografi nusërie të nënës sime që kam  është me kostum shkodran nga MARUBËT E FAMSHËM.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button