Opinion

Shën Joan Vladimiri – ura shpirtërore që lidh popujt e Ballkanit

Prof.As.Dr. Raqi Bello

Shën Gjon Vladimiri ose Joan Vladimiri, siç njihet në shqip, nderohet nga të gjithë Ortodoksët, por në veçanti ai është i njohur ndër popujt e Ballkanit. Emri i tij në bullgarisht është Иван Владимир (Ivan Vladimir) ose Йоан Владимир (Joan Vladimir), në serbisht Јован Владимир (Jovan Vladimir) dhe në greqisht ωάννης Βλαδίμηρος (Joanis o Vladimiros). Ai nderohet si martir dhe shenjtor dhe ka ditën e tij më 22 maj (ose 4 qershor me kalendarin e vjetër).

Shenjtori ka lindur rreth v. 990 dhe u bë sundimtari i Diokleas (Mali i Zi i sotëm), principatë e fuqishme e kohës së Mesjetës. Ai sundoi në një kohë kur në kufijtë e principatës së tij të vogël zhvillohej një luftë e ashpër midis dy fuqive të kohës – Perandorisë Bizantine dhe Perandorisë së Parë Bullgare. Vladimiri u njoh si një sundimtar i devotshëm, i drejtë dhe paqësor. Siç e përshkruajnë historianët e kohës ai ishte njeri i drejtë, paqësor e plot virtyte, që në rininë e hershme mësoi artin e luftës por edhe Librin e Shenjtë. Rreth vitit 1010 mbreti i madh Samuel i Bullgarisë (958-1014) e pushtoi principatën e vogël të Vladimirit dhe kjo ngjarje ishte ndoshta ajo që i dha një rrjedhë tjetër jetës së tij të deriatëhershme si princ dhe kthimit të mëvonshëm në martir dhe shenjtor të Ortodoksisë. Princi Vladimir u burgos në Prespë (rezidencën që kish përzemër Samuili) – qytet mesjetar në ishullin „Shën Akili“ në liqenin e Prespës së Vogël, sot në Greqi. Sipas një kronike mesjetare të kohës me këtë të burgosur të njohur ra në dashuri vajza e mbretit bullgar, Theodora-Kosara. Duke qenë se dashuria e saj ishte shumë e madhe dhe duke pasur një karakter të fortë, ajo arriti ta bindë të atin që t’i kthejë lirinë princit. Ky „tregim dashurie“ midis Vladimirit dhe Kosarës, i mbushur me një mirësi të krishterë, është krijuar që në sh. XI dhe është i pranishëm dhe në hagiografitë e mëvonshme dhe në folklorin e shqiptarëve, bullgarëve, malazezëve dhe serbëve.  Në kronikën e priftit të Dukljës thuhet, se „… Vladimiri jetoi me gruan e tij Kosara duke adhuruar Zotin dhe duke i shërbyer atij ditë e natë, dhe ai sundoi njerëzit që iu besuan me drejtësi dhe respekt …“. Kuptohet që martesa e Theodora-Kosarës me Ivan Vladimirin ka dhe karakter politik. Princi i Diolkeas u kthye në zotërimet e tij, por tashmë si një vasal bullgar dhe anëtar i familjes mbretërore bullgare. Ndërkohë lufta midis Perandorisë Bullgare dhe asaj Bizantine kulmoi me betejën e Kleodonit (vend në Bullgari), që u zhvillua më 29 korrik 1014 dhe u fitua nga bizantët. Perandori i madh bizantin Basili II (958-1025), urdhëroi masakrimin e 15 000 ushtarëve bullgarë të zënë robër, duke i qëruar nga sytë dhe duke lënë në çdo 100 nga një ushtar me një sy për të drejtuar të tjerët në rrugën e kthimit për në Prespë, ku ishte rezidenca e mbretit bullgar. Nga ky akt barbar Basili II u bë i njohur në histori si „Vrasësi i bullgarëve“ ose „Bullgarovrasësi“. Kjo betejë shënoi dhe fillimin e rënien së mbretërisë bullgare. Zemra e mbreti bullgar Samuil, kur pa ushtarët e tij të masakruar, nuk duroi dot dhe pushoi së rrahuri. Pasardhësit e mbretit Samuil nuk arritën t’i bëjnë ballë Basilit II i cili me forcë dhe diplomaci arriti ta pushtojë krejt Bullgarinë në vitin 1018. Rezistenca e fundit e Shtetit të Parë Bullgar kundër perandorisë Bizantine ka ndodhur në malin e Tomorrit në Shqipëri.

Pra, katër vjet mbas vdekjes së këtij sundimtari të madh bullgar, vjen dhe fundi tragjik i Mbretërisë së Parë Bullgare, që janë vite tragjike edhe për princin Vladimir. Ai  ra viktimë e një komploti nga Ivan Vladislavi, sundimtarit të fundit të Perandorisë së Parë Bullgare, që kishte marrë fronin nëpërmjet vrasjes së Gavril Radomirit (djali i Samuilit dhe trashëgimtari i ligjshëm i fronit). Ivan Vladimirit iu pre koka para dyerve të kishës „Shën Akili“ në Prespë (22 maj 1016). Ndoshta martirizimi i tij është pasojë e dyshimeve për kontakte me Bizantin, ose edhe sepse, si dhëndër i Samuelit, princi shihej si një rival i mundshëm i mbretit uzurpator Ivan Vladislav.

Princi Ivan Vladimir u varros në kishën mbretërore pranë vjehrrit të tij, mbretit Samuel. Lipsanet e tij shumë shpejt u bënë të famshme si shëruese dhe çudibërëse, duke tërhequr shumë besimtarë në varrin e tij. Për këtë arsye ai u shpall nga kisha si martir dhe shenjtor, duke u përkujtuar në 22 maj. Theodora-Kosara, e cila u bë një ndjekëse e zellshme e jetës së drejtë prej njeriu të shenjtë të burrit të saj, pas një kohe arriti të merrte lipsanet e tij dhe i çoi në Krajë dhe i vendosi në manastirin „Shën Maria“ në brigjet e Liqenit të Shkodrës, rrënojat e të cilit ruhen edhe sot. Ato tërhoqën shumë adhurues të kishës, duke e kthyer atë vend në një qendër pelegrinazhi. Kosara nuk u martua përsëri. Sipas kronistit të Duklës “… Kosara, gruaja e të bekuarit Vladimir, u bë murgeshë dhe mbylli jetën e saj në të njëjtën kishë me devotshmëri dhe asketizëm të shenjtë dhe u varros atje në këmbët e burrit të saj …”.

Lipsanet e Shën Ivan Vladimirit qëndruan në manastir deri më 1215, kur despoti i Epirit Mihal Komneni i transferoi në Durrës. Në vitin 1381, me vullnetin e sundimtarit shqiptar Karl Topia, ato u dërguan në manastirin Shën Gjon në fshatin Shijon, afër Elbasanit. Sipas historianit malazez B. Shekularac, princi i Diokleas mbante vetëm emrin „Vladimir“, ndërsa „Gjon“ iu „atribuua“ atij pas shekullit të 14-të për shkak të qëndrimit të lipsaneve në manastirin pranë Elbasanit, kushtuar Shën Gjon Pagëzorit. Në të vërtetë, disa detaje të martirizimit të princit (prerja e kokës me shpatë) kanë një paralele me historinë mjaft të njohur të prerjes së kokës së Gjon Pagëzorit. Me mbylljen e manastirit në vitin 1967 lipsanet e shenjta të Joan Vladimirit u çuan në kishën e „Shën Marisë“ në kalanë e Elbasanit, ku kanë qëndruar të izoluara deri në vitin 1990 për shkak të sistemit monist të kohës. Në vitin 1995 shenjtori ndryshoi edhe një herë “rezidencën” e tij – këtë herë në katedralen ortodokse „Ngjallja e Krishtit“ në Tiranë. Ikona e paraqet shenjtorin me rroba mbretërore, me një kryq në dorën e tij të djathtë dhe kokën e tij në dorën e majtë. Ikona e tij ndodhet në shumë kisha të Ballkanit.

Lipsanet e shenjtorit mbrohen dhe nderohen nga Kisha Ortodokse e Shqipërisë dhe tërheqin shumë besimtarë, veçanërisht në ditën e festës së tij (4 qershor), kur ato nga Tirana çohen në kishën e „Shën Gjonit“ në fshatin Shijon, pranë Elbasanit. Populli e respekton këtë shenjt dhe e konsideron si çudibërës.

Edhe kryqi prej druri i Joan Vladimirit konsiderohet një relikte e shenjtë. Ai ruhet në kishën e fshatit Velji Mikuliçi në Mal të Zi. Besohet se ky është i njëjti kryq që mbreti Bullgar Ivan Vladislav i dërgoi princit Joan Vladimir. Vladimiri u ftua për të negociuar në Prespë dhe relikti i çmuar, kryqi i drunjtë, që iu dërgua atij, konfirmonte betimin mbretëror të paprekshmërisë. Ishte ky kryq në duart e princit kur u vra nga ushtarët e Ivan Vladislavit i cili u tregua i pabesë.

Ndër popujt e Ballkanit ekzistojnë shumë legjenda për Shën Joan Vladimirin. Ndër më të bukurat është legjenda për dashurinë e pastër midis princit Joan Vladimir dhe princeshës bullgare Theodora  Kosara e cila kalon përtej kufijve kohorë kur është krijuar dhe ka tërhequr vëmendjen e njerëzve të artit duke u bërë motivi dhe subjekti i një sërë veprave letrare dhe muzikore. Nga kjo legjendë janë frymëzuar mjaft shkrimtarë bullgarë, si: poeti Petko R. Slavejkov me poezinë “Samuilka”, Kiril Hristov shkroi legjendën “Vladimiri dhe Kosara” (1903), Ljudmil Stojanov – poezinë “Joan Vladimiri” (1917), romancieri i madh Dimitër Talev risjell dashurinë e pastër midis princit dhe Kosarës në faqet e romanit të tij „Samuili“. Të njëjtën gjë bën dhe poeti kroat Peter Predaroviç në dramën “Vladimiri dhe Kosara” (1852). Vepra dramatike e Predaroviçit është si libreto e operës “Vladimiri dhe Kosara” e kompozitorit serb Stevan Divjakoviç. Tema e dashurisë midis Vladimirit dhe Kosarës është motivi kryesor edhe i operës „Kosara“ e kompozitorit bullgar Georgi Atanasov, krijuar më 1926, bazuar në libreton e Bojan Danovskit. Historia e tyre mbërrin edhe tek Shekspiri i madh dhe gjen pasqyrim tek drama e tij e njohur „Stuhia“.

Shën Joan Vladimiri u bë shenjtor i dashur dhe çudibërës që nderohet nga të gjithë, si nga besimtarët ortodoksë ashtu dhe nga ata myslimanë. Me plot të drejtë mund të thuhet se ai është gjithashtu një urë lidhëse midis popujve të Ballkanit, sepse pavarësisht nga kufijtë shtetërorë, dallimet kulturore dhe politike, përveç besimtarëve nga Shqipëria, të krishterë ortodoksë nga Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Greqia dhe vendet e tjera ortodokse lindore marrin pjesë në festimet për nder të tij. Ballkani më shumë se kurrë ka nevojë për ura të tilla shpirtërore, që mjafton t’i kërkosh dhe i gjen në historinë e tij shumëshekullore.

 

 

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button