A do t'i marrin pagat me rritje?
Ndonëse gjatë fushatës zgjedhore kishte premtime për rritje pagash për punëtorët e sektorit publik, një gjë e tillë nuk do të ndodhë nga janari i vitit të ardhshëm, thonë njohës të çështjeve ekonomike dhe zyrtarë të qeverisë në largim.
Sipas tyre, vonesat eventuale të krijimit të institucioneve të reja, për shkak të rivotimit në disa komuna, çojnë në shtyrjen e miratimit të buxhetit për vitin 2011.
Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, thotë:
“Kjo ka ndodhur edhe në fillim të vitit 2008. Me Ligjin për menaxhimin e financave është e paraparë gjithçka strikt. Në muajin janar dhe në muajin shkurt, pagesat realizohen nga 1/12 e buxhetit të vitit 2010”, thotë Shahini.
Edhe Haki Shatri, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, shprehet skeptik sa i përket rritjes së pagave për punonjësit e administratës shtetërore. Sipas tij, gjendja aktuale politike nuk i kontribuon një hapi të tillë.
“Ajo që është premtuar para zgjedhjeve për rritje të pagave prej 1 janarit, në asnjë mënyrë nuk mund të realizohet, derisa të krijohet një qeveri e re dhe derisa të përcaktohen kufijtë e shpenzimeve për vitin 2011”, thotë Shatri.
Shatri parasheh një periudhë më të gjatë të Kosovës pa institucione. Nëse një gjë e tillë ndodh në të vërtetë, sipas tij, do të pasonin komplikime të mëdha sa i përket pagesave të pagave.
“Rreziku më i madh është nëse nuk arrijmë t’i themelojmë organet e vendit deri në muajin mars, sepse nuk ka kush ta përgatisë draftin e buxhetit – duhet të ketë qeveri për ta përgatitur këtë dokument dhe ta procedojë në Kuvend”.
“Do të thotë, kushti i parë është të ketë qeveri, ndërsa kushti i dytë është të ketë kuvend që e miraton atë dokument. Në qoftë se këto dy institucione nuk mund të konsolidohen deri atëherë, me të vërtetë do të jemi në një situatë kritike”, pohon Shatri.
Por, Muharrem Shahini beson se deri në muajin mars do të formohen institucionet e reja. Sipas tij, hapi i parë i tyre pritet të jetë miratimi i buxhetit, me ç’rast do të shikohen edhe mundësitë për rritje të pagave.
“Sa i përket rritjes së pagave, ne nuk themi se nuk do të ketë rritje. Rritja e pagave do të ndodhë… Tash do të formohet qeveria e re, do të shikojmë prapë buxhetin, pasi i mbetet qeverisë së ardhshme që të shikojë buxhetin dhe të gjejë fonde për mënyrën e pagesave për rritje të pagave”, thotë Shahini.
Gjatë fushatës parazgjedhore, kryeministri në largim, Hashim Thaçi, ka premtuar rritje pagash për 40 për qind për pjesëtarët e policisë dhe 50 për qind për mësimdhënësit. Premtime të tilla ka pasur edhe për sektorë të tjerë publikë.