Opinion

A do të ketë prijës të rinj protesta e shqiptarëve?!

ALEKSANDËR ÇIPA

Aleksander Cipa

Cikli i protestave dhe i tubimeve të shqiptarëve gjatë këtij dhjetëditëshi në Maqedoni, të lë përshtypjen e një “lëvizjeje të pasionuar, pa udhëheqës”, siç do të shprehej analisti i përfshirë në listën e 100 intelektualëve me më tepër ndikim në botë, bullgari Ivan Krastev. Ndoshta edhe sepse munguan udhëheqësit, ato ishin aq shpërthyese dhe të ndiera në jehonën e tyre në gjithë hapësirën shqiptare dhe në kancelaritë euroatlantike. Ky cikël protestash nuk është mbyllur. Ato janë tashmë iniciativë e rinisë dhe qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë, që jo vetëm e kanë kuptuar se epoka e vendit me dy standarde ka përfunduar, por që mendojnë hapur se ekzistenca e kësaj republike përcaktohet nga shuarja e pabarazisë ndër shtetas. Kasta qeverisëse mikse e Shkupit duket se, qysh në ditët e para dhe gjer më tani, e ka nënvleftësuar këtë nisje. Qasja dhe reagimi zyrtar për të marrë në konsideratë me veprime dhe ndërhyrje politike kërkesat dhe motivin thelbësor të protestave të shqiptarëve, janë jo vetëm të vonuara, por dukshëm edhe të pamirëkuptuara. Mungon një drejtkuptim qysh në momentin kur ato shpërthyen dhe prej nga morën shkasin flagrant.

Procesi “Monstra” ka mjaftuar për të mësuar gjithë opinioni publik se në shtetin bietnik të Maqedonisë, gjyqësori i republikës qenka “monoetnik”. Ky “kampion” nuk ka sjellë asgjë të re në dijeninë publike për predominimin maqedonas në shtetin me dy njësi etnike bazë. Mirëpo ai ka ekspozuar në flagrancë mungesën e demokracisë bazë të një shteti që ka të përfshirë dhe sanksionuar në Kushtetutë se shtetasit janë të barabartë dhe mbrohen po në mënyrë të barabartë prej institucioneve ligjore dhe drejtësia e tij. Ata janë të baraspërfshirë në jetën aktive dhe përfaqësimin institucional të vendit. Vendimi i trupës gjykuese për të pandehurit e procesit “Monstra”, fatkeqësisht dhe turpësisht, pati për avokaturë prononcimin e Kryeministrit Gruevski se “drejtësia është e pavarur”. Mirëpo ky qeverisës dukshëm i njëanshëm, harroi se trupa që e dha verdiktin, i përket e gjitha një etnie tjetër dhe që ajo edhe për shkak të kësaj përbërjeje homogjene, mbart një konflikt interesi në cilësinë e saj gjykuese ndaj gjashtë shtetasve me kombësi shqiptare. Ky “kampion” zbardhi para opinionit publik edhe Marrëveshjen e harruar të Ohrit dhe shtyllat bazë të saj, të lëna në fatin e paimplementueshmërisë.

Mirëpo ndërsa qytetarët dhe rinia shqiptare kanë fituar ndërgjegjen e daljes në shesh dhe nëpër rrugë, në mënyrën më europiane dhe falë patosit demokratik që i zotëron, kasta politike mbetet jo vetëm në paaftësinë reflektuese, por edhe në hutimin e vet veprues. Të “kapur” nga marrëveshja për bashkëqeverisjen me Kryeministrin megaloman, Gruevski, bashkëqeverisësi Ali Ahmeti i dalë dhe i ardhur në politikë si prijës i ish-UÇK-së, sot gjendet në pozitën e “revolucionarit tradhëtues”. Ndërkohë që opozitari i tij në krye të PDSH-së as ka mundësi protagonizmi, po aq më keq, nuk gjen dot shteg mësymjeje kundër BDI-së për të dalë në pozitën e një kandidati për aleancë të re qeverisëse me zgjedhje të kohshme apo edhe të parakohshme.

Ajo që kërkohet prej kohës dhe stadit në të cilën gjendet Maqedonia e vetëkërcënuar është shumë herë më themelore nga sa perceptohet apo komentohet prej partive, politikës dhe veprimit institucional në Maqedoni.

Shqiptarët janë në një akt paraprirës për ndryshimin e statusit aktual, por edhe të demokracisë ndërqytetare brenda Maqedonisë. Perceptimi dhe kuptimi drejt i saj, vlen të fitojë vëmendjen e inteligjencies së munguar deri diku ose edhe të pjesës tjetër të shoqërisë maqedonase të këtij vendi. Kjo është çështje që lidhet me një dinamikë politike të demokracisë në këtë vend. Është zëri i qytetarëve që del i bashkuar jo si rebelim apo si kryengritje, por si substancë e pastër e së drejtës qytetare për demokraci dhe barazi në gjithë kuptimin e fjalës. Dy kahet jetike për ekzistencën e shtetit dhe demokracisë në këtë vend lidhen me balancën etnike dhe barazinë ndaj ligjit, me barazinë në përfshirje dhe atë në administrim. Këto kritere nuk janë mishëruar kurrë realisht dhe objektivisht në këtë vend.

Për këtë arsye, lëvizja e tanishme e shtetasve shqiptarë në Maqedoni, antagonizmin e parë dhe të plotë, e ka me burokracinë aktuale politike të vendit. Mes kësaj burokracie përgjegjësia e parë është e shefit maqedonas, Gruevski dhe e institucioneve që dominon ai, në Shkup. Njëkohësisht bashkëpërgjegjëse po evidentohen në gojën dhe thirrjet e protestuesve, edhe BDI, edhe PDSH. Qëndrimi i mëtejshëm në këtë bashkëpërgjegjësi i dy politikanëve kryesorë të shqiptarëve në Shkup e Tetovë, përkatësisht zotit Ahmeti dhe zotit Thaçi, nuk rrit kapacitetin e tyre për protagonizëm, por rrezikon qëndrueshmërinë e mëtejshme të tyre në politikë. Mes votuesve shqiptarë dhe tyre është shembur besimi. Kjo shembje është më e madhja ndër vite dhe për këtë, qytetarët e sidomos rinia, janë bërë më të ndërgjegjshëm se kurrë.

Por a do të lindë kjo lëvizje dhe ky ndërgjegjësim të rinjsh dhe qytetarësh shqiptarë, prijës të rinj e përfaqësim të ri?

Këtë dilemë apo kureshtje ditët e fundit po e ngrenë qëllimisht si çështje të parë disa intelektualë dhe zëra publikë ndër shqiptarët e Maqedonisë. Në politologji thuhet se prijësit lindin dhe dalin prej lëvizjeve ndryshuese ose edhe prej rotacionit zgjedhor në subjektet politike. Aty ku ngjet ndryshimi, shfaqet e fitohet edhe prijësi i ri. Në raport me protestat e shqiptarëve këto ditë në Maqedoni, çështja e parë nuk është lindja e prijësve të rinj politikë. Thelbi është i lidhur me nevojën për të fituar të gjithë qytetarët shqiptarë statusin e shtetasve të barabartë. Të iket prej partneritetit në një kuotë më të cilësishme, atë të paritetit dhe reciprocitetit, të shuhet keqbindja maqedonase se shqiptarët, sipas tyre “si pakicë” janë në fat minoritarësh. Të rrënjoset bindja prosperuese se barazia ekonomike dhe sociale ndër shtetas të etnive të ndryshme, çimenton demokracinë dhe mishëron shtetin e së drejtës në shërbim të qytetarit pa dallim. Të respektohet dhe investohet për arsimin dhe kulturën e shtetasve shqiptarë jo sipas formulës dhe platformës së vitit 2001, por sipas platformës së një diskriminimi pozitiv që imponon standardi i kërkuar europian, në ditët dhe kohën e 2014-s. Kjo platformë e re me tekst kërkesash të vjetra, kësaj here nuk ka lidhje me sjelljen dhe trajtimin e vjetër. Prej këtij gabimi nevojitet të mërgojë i pari Ali Ahmeti dhe gjithë pjesa e shqiptarëve të përfshirë në politikë apo në përfaqësimin institucional të Maqedonisë. Kjo nuk është kërkesë e protestuesve, ky është imperativ jetik për të. Fjala është për ta zëvendësuar sjelljen dhe mandatin politik jo për demagogji dhe oportunizëm dëmsjellës, por me një kulturë dhe ndërgjegje realpolitike në favor dhe dobi të bashkëkombësve -shtetas të tu.

Protestuesit po tejkalojnë çdo mundësi keqpërdorimi apo edhe përfitimi prej protestave të tyre, nga klasa apo kasta politike e Shkupit. Mundësia për të shantazhuar brendinë apo produktin e pritshëm të këtyre protestave është më e paktë se kurrë. Kjo nuk ngjet, sepse mes tyre nuk janë shfaqur prijësit e rinj, por mirëpranohen artikuluesit e qashtër të platformës së re. Kjo platformë europianiste shqiptarësh është e ngjizur në shpirtin dhe pasionin e qytetarëve të “pasionuar, pa udhëheqës”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button