Ekspozita

A është fotoja e parë shqiptare vërtet e vitit 1858?

Datimi më 1858 i fotografisë së parë me temë shqiptare të realizuar nga Pjetër Marubi (1934-1903), është një ngjarje që përgjithësisht është pranuar pa iu nënshtruar një lloj analize që të na bindte plotësisht për vërtetësinë e saj.

Po aq me interes paraqitet edhe një vështrim më nga afër i personalitetit të autorit të saj. Dihet pak a shumë me siguri se P. Marubi lindi më 1834 dhe si vendlindje e tij shënohet të jetë Piaçenca e Italisë. Një lokalitet fare i vogël me emrin Marubbi, rreth 40 kilometra në jugperëndim të këtij qyteti, nuk duket të jetë fare pa lidhje me mbiemrin e fotografit që do të bëhet aq i njohur në Shqipëri.

Një përllogaritje e thjeshtë tregon se Marubi do të jetë shfaqur në Shkodër diku nga mosha tetëmbëdhjetëvjeçare. Por, sipas të dhënave të tjera, ai do ta ketë braktisur vendin e tij rreth dy vjet më parë. Fillimisht është strehuar në Korfuz, ku mendohet se e kanë informuar se një komunitet i rëndësishëm katolik gjendet në veri të Shqipërisë.

Vendimi është me të vërtetë i guximshëm, sepse jo vetëm jashtë, por edhe brenda Perandorisë Osmane emërtimin apo caktimi me punë në viset e Shqipërisë nuk është parë ndonjëherë si shenjë dashamirësie. Megjithatë, fenomeni i gjetjes strehim në territoret e saj, duket se është gjësendi jo e panjohur për kohën. Shumë sansimonistë dhe revolucionarë evropianë të rrymave të ndryshme, perandorinë turke e kishin si vend të sigurt strehimi politik. Në çaste të veçanta edhe vetë Xh. Garibaldi nuk ka munguar të kalojë kohë të qeta aty. Por, vetë Shkodra duhet të ketë pasur një status të veçantë, që mbase sot nuk e njohim edhe aq mirë. Sipas disa të dhënave, që kam pasur rast të mbledh dhe botoj shumë vite më parë, disa kohë përpara P. Marubit ishte Domenik Mauro (mik rinie i poetit Jeronim De Rada), një nga nxitësit kryesorë të revoltës kundër dinastisë Burbone të dy Sicilive, që gjeti strehim pikërisht në Shkodër, pas dështimit të revolucionit të famshëm të vitit 1848.

Gjithsesi, sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, të dhënat e të cilit më pas janë rimarrë nga autorë të shumtë, si shkak i largimit të Marubit nga vendlindja shihet veprimtaria e tij si garibaldist. Në të vërtetë, në atë periudhë Garibaldi është i njohur, por jo me atë përmasë që do të ketë kur ndërmori ekspeditën e të njëmijtëve më 1861, pra rreth dhjetë vjet pasi djaloshi Pietro Marubi kishte vënë në jetë projektin e tij shqiptar. Afërsisht në kohën kur Marubi ka zbarkuar në Shqipëri, Garibaldi vetë punon si mekanik në një uzinë njujorkeze, pas një përpjekje të dështuar për të shkëputur Romën nga duart e papatit.

Në disa shënime të shkëputura, por pa referenca historike, jepet një detaj, sipas të cilit P. Marubi u detyrua të largohet për shkak të ngatërrimit të tij në vrasjen e kryebashkiakut të qytetit të vendlindjes së tij. Edhe këtu mbetet për t’u kërkuar më tej, sepse në përgjithësi dukati i Parmës dhe Piaçencës nuk njihet si vatër përpjekjesh të dhunshme për t’u shkëputur nga sundimi austriak. Piaçenca iu bashkua shtëpisë mbretërore të Savojës, jo me luftë, por nëpërmjet një referendumi që u mbajt më 10 maj 1848.

Siç shihet, jemi ende në atë periudhë të historisë së Italisë e cila njihet si Lufta e Parë e Pavarësisë dhe pak kohë më pas, Karlo Alberti i Savojës do të pësojë një humbje të rëndë nga austriakët. Kështu ndodhi që këta të fundit do të kthehen përsëri në Piaçencë. Dhe, këtu kemi një zhvillim interesant. Sipas një marrëveshjeje të mëparshme, dukati i Parmës dhe Piaçencës i kalonte Burbonëve dhe pikërisht Karlit të Dytë të Burbonëve, i cili nga ana e tij ia la trashëgim të birit, Karlit të Tretë. Për shkak të karakterit të tij të prapë dhe dhunës që ushtroi, ndodhi që midis shtresave të ndryshme të popullsisë (me pjesëmarrjen e aristokracisë dhe të vetë gruas së tij), kundër Karlit të Tretë u organizua një përbetim i fuqishëm. Për pasojë, ai do të vritet më 26 mars 1854. A mund të hamendësohet që P. Marubi është pjesë e këtij përbetimi dhe gabimisht është folur për vrasjen e një kryebashkiaku? Kjo mbetet për t’u parë. Dihet se ai do të hapë atelienë e tij të famshme në Shkodër më 1855-n, por nuk duhet harruar se nga Piaçenca është larguar rreth dy vjet më parë, gjë që na shtyn të tregohemi të kujdesshëm ndaj çdo deklarate të tepruar për zellin e tij revolucionar.

Ajo që mund të thuhet me siguri është se çlirimi përfundimtar i vendlindjes së Marubit, nga vullnetarët vendas dhe trupat piemontezë (të përkrahur edhe nga francezët), do të ndodhë më 10 qershor 1859. Por, tashmë gjithçka tregon se Marubi nuk ka marrë pjesë në to. Ai prej vitesh ndodhej në bregun tjetër të Adriatikut.

Më tej, ndryshe nga sa ndodhte me revolucionarët e tjerë, që ktheheshin në Itali për të vazhduar luftën e ndërprerë për bashkimin e saj, P. Marubi do të mbajë lidhje me vendlindjen, kryesisht duke blerë materiale e pajisje të ndryshme, që do t’i shërbenin për projektet e tij të ardhshme. Atëherë kemi të bëjmë me një “luftëtar të paepur garibaldist”, apo me një të ri vetmitar e me shpirt praktik? E sigurt është që ai do të jetë lidhur me një dashuri të veçantë me qytetin e Shkodrës për të kapërcyer vështirësitë e para që duhet të kenë qenë të shumta. Eduard Lear, pasi hyri në Shkodër (disa vjet para Marubit) thotë se sapo na shihnin kalamajtë, nisnin e na gjuanin me gurë, si të huaj që ishin. Shkodranët janë të njohur për egërsinë e tyre dhe turbullirat që shkaktojnë, thotë ai, por bën një dallim midis myslimanëve dhe të krishterëve. Këta të dytët i duken më të butë. (Journals of a Landscape Painter in Albania, &co. – Eduard Lear, botim i vitit 1851, faqe 141).

Gjëja e parë që tërheq vëmendjen duke shfletuar punimet me vlerë të Marubit senior, është përkujdesja për të mos dhënë me saktësi të plotë datën e realizimit të punimeve të ndryshme. Në shumë prej tyre lihet një hapësirë kohore prej dhjetë, njëzet e madje dyzetvjeçare. P.sh., duke shfletuar albumet më serioze nuk është e rrallë që në anë të fotografisë të shënohet: Çift malësorësh (midis 1860-1900). Më tej, ky problem do të dalë edhe me disa nga punimet e Kel Marubit. Në ndonjë prej tyre shënohet: midis 1890-s dhe 1915-s.

Këto toleranca në vënien e datave jemi të prirur t’i shohim si një përkujdesje profesionale për ato raste kur mungojnë elemente të sigurisë së plotë në datimin e tyre të saktë. Por, çuditërisht, ky problem nuk ngrihet për fotografinë e parë shqiptare, për atë më të hershmen. Viti i realizimit të saj shënohet me siguri të plotë: 1858.

Edhe pse nuk ka gjësendi të shkruar për kriteret e datimit e arkivimit, interesimi në Shkodër, këtu e shumë vjet më parë për këtë problem, na dha të kuptojmë se datimi ishte bërë nisur nga prania e personit të fotografuar, që në të vërtetë nuk është thjesht një person, por një personalitet i njohur në Shkodër: Hamzë Kazazi. Disa nuk ngurrojnë ta paraqesin atë si luftëtar të pavarësisë, gjë që nuk është e vërtetë, sepse do të duhet edhe një gjysmë shekulli që rilindësit të përpunojnë idenë e pavarësisë kombëtare, por, nga ana tjetër, ai nuk ka qenë as edhe një kaçak i thjeshtë, siç shihet që e emërtojnë pa kursim gazetat shqiptare. Dihet se ai ka vdekur në vitin 1859. Më tej mësohet se gjatë procesit të arkivimit, për të shmangur abuzimet e mundshme, është parë e arsyeshme që fotografisë t’i vihet viti i mëparshëm i vdekjes së tij, pra viti 1858. Kjo të lë të mësosh e kuptosh diçka mbi natyrën e kritereve të përdorura, por në vetvete ka edhe diçka ngushëlluese: fotografia mund të datohej edhe dy, tre ose pesë vjet më parë. Kjo nuk ka ndodhur, por edhe po të kishte ndodhur, cili do të ishte në gjendje ta kundërshtonte?

Dihet tashmë se një regjistër për fotografitë e realizuara në studion ‘Marubi’ ka filluar të mbahet diku nga viti 1919, ndërsa puna për arkivimin tërësor të fondit ka nisur rreth një shekull pasi qenë realizuar punimet e para. Në këto kushte është e pamundur të shmangim një sërë pyetjesh, të cilave ka ardhur koha t’u gjendet një përgjigje. Më e rëndësishmja prej tyre mund të formulohet kështu: A është vërtet Hamzë Kazazi personi i paraqitur në fotografinë e parë me subjekt shqiptar?

Së voni mësoj se dyshimin për identitetin e tij e kanë hedhur para meje edhe studiues të njohur si P. Naçe e Z. Shkodra, por pa hyrë në analiza të detajuara. Më tej kur pata rast ta ngre këtë problem në seminarin e Universitetit të Çikagos në Paris mbi fotografinë shqiptare (4 shkurt 2009), njohësi i shkëlqyer dhe propaganduesi pasionant i veprës së Marubit, Loic Chovin, shprehu mendimin se për një gjë të tillë mund na siguron krahasimi i mundshëm me portrete të H. Kazazit, realizuar para ose pas fotografisë në fjalë. Personalisht nuk njoh portrete të tilla, madje as paraqitjen e Hamzë Kazazit në grup. Fatkeqësisht ai nuk pati shansin e Ali Pashës të takonte një piktor si Louis Dupré që bëri portretin e tij të famshëm. As E. Lear që e vizitoi Shkodrën dhjetë vjet para vdekjes së H. Kazazit, nuk ka lënë ndonjë skicë e as ndonjë shënim për të. Për të thënë gjithçka, përveç portretit të zonjushës Bonatti, E. Lear flet edhe për portretin që i bëri një luftëtari vendas, gjatë atyre katër ditëve të famshme që qëndroi në Shkodër më 1848-n, por thotë se ai quhej Abdullah Bej (faqe 146 e botimit të vitit 1851).

Ndërkohë, nuk gjejmë asnjë shenjë, që në anë të pllakave të origjinalit të jetë vendosur emri i personit të fotografuar, madje një gjë e tillë nuk ekziston edhe në fotot e kryera në fillim të shekullit XX. Më tej mund të thuhet se në kohën kur z. Gegë Marubi ndërmori punën titanike të arkivimit, ishte e vështirë të gjendeshin ende bashkëkohës të gjallë të H. Kazazit, që të mund të vinin dorën në zjarr për identitetin e personit të fiksuar në foton e famshme, të datuar si e vitit 1858.

Gjithsesi, edhe një analizë e sipërfaqshme e teknikës dhe materialit të përdorur shton pikëpyetjet në lidhje me vitin e realizimit të fotografisë së parë me subjekt shqiptar. Së pari vërehet se P. Marubi nuk ka punuar me teknikën e dagerrotipisë, që në pikëpamje historike do të ishte diçka me shumë vlerë, por në vështrim arkival kishte të metën e madhe, sepse fotoja prodhohej në një kopje të vetme (drejtpërdrejt mbi fletë bakri në pozitiv) gjë që normalisht i përkiste porositësit. As nuk ka shenja që ai të ketë përdorur kalotipinë e Talbotit, që hapi epokën e shumëfishimit mbi negativ. Këto dy teknika, që e nxorën fotografinë nga laboratorët e errët kërkimorë dhe e afruan me publikun, duket nuk janë njohur ose parapëlqyer nga P. Marubi. Ai ka përdorur procesin e kolodionit, që u zbulua nga Le Gray dhe u vu në jetë nga Archer, proces që kishte meritën historike të bashkonte imazhin e pastër të dagerrotipisë me cilësinë e tirazhit në shumë kopje të kalotipisë.

Kjo teknikë, që ka në origjinë zbulimin e nitrocelulozës, në vitet e ardhshme do të zërë kryet e vendit, sepse Archer-i e la krejt të lirë nga të drejtat e autorit, por teknikat e sipërpërmendura, si dhe ato të ambrotipisë, ferrotipisë, cianotipisë etj., do të vazhdojnë të përdoren edhe për shumë vite. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në vende të tjera si Italia, Gjermania, Austria, dagerrotipia ushtrohej në mënyrë masive. Akoma më shumë kjo mund thuhet edhe për kalotipinë. Në këto kushte mbetet një enigmë e vërtetë përse Marubi që në fillim zgjodhi një teknikë të tillë, ndërkohë që pikërisht në vitin 1855, viti kur përgjithësisht mendohet se ai hapi studion e tij, do të çelet edhe Ekspozita Universale e Parisit, e cila shënon kufirin kohor të fillimit të përhapjes masive së teknikës së kolodionit të lëngët (e cila ç’është e vërteta në formë eksperimentale është njohur shumë më parë). Enigma qëndron në faktin se në vendfurnizimin e materialeve të Marubit, në Itali, punohet intensivisht me një nga teknikat pararendëse të kolodionit, ndërkohë që mungojnë shenjat që në atë kohë ai të jetë furnizuar drejtpërdrejt nga Parisi ose Londra.

Të gjitha historitë e fotografisë shpjegojnë qartë se në fillimet e veta, teknika e kolodionit të lëngët njihej vetëm nga një numër fare i kufizuar fotografësh në Paris e në Londër. Flitet për njohjen e saj jo të keqe në Vjenë e Berlin, por ka pak shenja për përdorimin e saj masiv në Romë e aq më pak në qytetet e tjera të Italisë. Gjithsesi, Giacomo Caneva (1813-1865) dhe konti Flacheron (Jean-François Charles André 1813-1883), që janë regjistruar në dokumentet e Café del Greco-s në Romë, punojnë me teknikën e kalotipisë së Talbotit, pra përdorin letër albuminë ose letër të përpunuar me kripëra të ndryshme. Po ashtu veprojnë edhe vëllezërit Alinari në Firence. Për shkak të kohës së gjatë të ekspozimit (të paktën një minutë), ata kanë lënë kryesisht foto të monumenteve arkitekturalë, pra objekte që nuk lëviznin. Edhe një fotograf i madh italian si A. Duroni (nga i cili kemi trashëguar portretet e Karlo Albertit, Garibaldit etj.) përdor teknikën e kalotipisë edhe në veprat të realizuara më 1859-n e më tej. Këta fotografë të mëdhenj shmangin portretet në këmbë, se nuk ka asnjë garanci për shtangësinë e personit para objektivit, ndërkohë që çuditërisht kjo nuk ndodh me Marubin. Më 1858-n ai fotografon portrete më këmbë.

Vërehet po ashtu, se Marubi nuk ka përdorur as procedurën e fazës foshnjore të futjes në përdorim të pllakave të xhamit, atë të zbuluar nga Abel Niépce de Saint-Victor, i cili më 1847-ën demonstroi për herë të para Akademisë franceze procesin e krijimit të negativit në pllaka xhami, duke përdorur albuminën e vezëve, në të cilën kishte tretur jodur potasi. Me gjithë finesën e imazheve që fitohej nga kjo metodë e re, ajo gjeti pak përdorim, sepse zgjaste tmerrësisht shumë kohën e ekspozimit. As që mund të përfytyrohet që Marubi të ketë realizuar portrete në këmbë me këtë metodë. Duhet pritur edhe disa vite që të bëhet i mundur zëvendësimi i albuminës me kolodionin, gjë që do të sjellë edhe një ulje të ndjeshme të kohës së ekspozimit.

Thuhet se në fillim Marubi nisi të merrej me fotografinë në mënyrë amatore. Në të vërtetë ajo periudhë e parë e fotografisë nuk e njeh amatorizmin, në atë kuptim që kemi sot për të. Jemi ende larg revolucionit që solli viti 1880 me minaturizimin e aparateve fotografikë dhe uljen e kostos së tyre. Nuk jemi as në vitin 1865, kur u hodh në treg ajo që njihet si “fotografi xhepi”, pra aparati Dubron, që shitej bashkë me një lloj laboratori dhe që i jepte mundësi një mase më të madhe njerëzish të ushtronte artin e fotografisë. Jemi në një kohë kur materialet kushtojnë ende shtrenjtë. Në të shumtën e rasteve atelieja e fotografit i përkiste një shoqërie aksionare dhe vetë fotografi nuk ishte veçse një i punësuar në të. Që një studio e denjë për emrin e saj të ishte funksionale kërkohej të paktën pajisje që peshonin rreth 250 kg. Fotografit vjenez, doktor Josef Szekely, që shoqëronte G. Von Hahn-in, në Shqipëri më 1863-shin, iu desh jo pak herë të hiqte dorë nga lëvizjet në itinerarin e përcaktuar për të mbërritur në krahun lindor të viseve shqiptare, për shkak të peshës së rëndë të materialeve. Pra, gjithçka të lë të kuptosh se jemi ende në një kohë kur me atë art të ri merren njerëz që i kanë mundësitë financiare, njerëz që financohen nga institucione të fuqishme mbretërore (rasti i Szekely) ose ata që investojnë shuma të cilësueshme e që kanë projekte të qarta biznesi në kokë për të rentabilizuar investimin. Mendoj se Marubi bën pjesë te këta të dytët.

Natyrisht atij diku i është dashur të bëjë edhe ndonjë lloj stazhi dhe investimi kohor. Asgjë nuk është e thjeshtë në botën e fotografisë së asaj kohe. Vetëm akti i thjeshtë i realizimit të negativit kërkonte rreth dhjetë operacione, siç ishin përgatitja dhe shtrirja e kolodionit (që në vetvete nuk ishte tjetër veç nitrat celuloze e tretur në një përzierje alkooli dhe eteri), futja në enë me nitrat argjendi për ta bërë të ndjeshme, ekspozimi pastaj zhvillimi dhe së fundi fiksimi i imazhit të përftuar në negativ (tiosfat sodiumi ose cianur potasiumi) dhe ky proces mbyllej me lyerjen me një lloj fiksuesi që kishte për qëllim të mbronte shtresën e hollë të kolodionit, e cila dëmtohej shumë shpejt. Edhe procesi tjetër i realizimit të fotografisë në letër, nuk ishte më pak i ndërlikuar. Kërkohej përgatitja e letrës së ndjeshme, shpesh mbi një kornizë dërrase, vijonte me ekspozimin në dritën e diellit, përpunimin në solucion për të marrë nuancat e duhura, fiksimi dhe së fundi një lloj satinimi për t’i dhënë shkëlqim fotografisë. Në shumicën e rasteve këto operacione duhet të bëheshin në vazhdimësi. Përdorimi i atij që njihet si “kolodion i lëngët” kërkonte që negativi të sensibilizohej, ekspozohej dhe zhvillohej pa humbur shumë kohë, si një proces i pandarë, zinxhir, gjë që e detyronte fotografin të kishte pranë vetes një laborator të vërtetë. Shpikja më 1855-n e procesit të njohur si kolodion i thatë, krijoi mundësi që pllakat të përgatiteshin që më përpara dhe mund të ruheshin me javë të tëra, por ai rriti në mënyrë të ndjeshme kohën e ekspozimit dhe për pasojë nuk gjeti shumë përdorim.

Në pikëpamje të tjera kushtet nuk ishin të këqija për Marubin. Ai nuk kishte asnjë konkurrent në qytetin ku ishte vendosur, por kjo e bën edhe më shqetësuese ekzistencën e një numri të paktë fotografish në vitet e para. Pikëpamjet e tjera se njerëzit ishin fanatikë dhe kishin frikë nga paraqitja e imazheve njerëzore, për shkak të bindjeve fetare, nuk qëndrojnë në tërësinë e tyre. Për hir të së vërtetës duhet thënë se fobi të tilla ekzistonin në Shqipëri, por Eduard Lear ato i ka ndeshur vetëm në rrethet e dervishëve të paditur e fanatikë. Populli dukej i hapur ndaj shpikjeve të tilla të çuditshme. Natyrisht moskuptim kishte kudo në botë edhe midis mendjeve më të ndritura. Në Paris, G. Floberi nuk e fshehu zemërimin e tij kur një fotograf (M. du Camp), u nderua me Urdhrin e Legjionit të Nderit. Legjion nderi për një fotograf, ulëriu ai! Ndërkohë që në jugun e Italisë, mbreti i Napolit e ndaloi krejtësisht përdorimin e aparateve fotografikë, se i cilësonte si “sy i keq”. Për të vështruar më me realizëm duhet thënë se është ende një kohë kur fotografi edhe në Evropë shihet si një individ i dyshimtë dhe në rastin më të mirë si një artist (piktor) i dështuar, thotë historiani i fotografisë, Q. Bajac.

Më tej, portreti i Hamzë Kazazit në këmbë, është një çështje tjetër që duhet parë vërtet nga afër. Me gjithë përparimet që solli procedura e kolodionit, përsëri koha e ekspozimit mbetet midis dhjetë e tridhjetë sekonda. Për këtë arsye, në studiot më të mëdha botërore të asaj periudhe, realizohen kryesisht portrete njerëzish ndenjur ose të paktën të mbështetur diku në ndonjë tavolinë, kolonë dekorative etj. Kjo ulte ndjeshëm rrezikun e lëvizjes e për pasojë të flusë. Kryesisht fotografohen njerëz të ulur në karrige (dhe në të shumtën e rasteve, nga pas karriges ishin instaluar pajisje ku ata mbështesnin kokën, që të mos u dridhej).

Të fotografoje dikë në këmbë, në studiot e mëdha nuk qe gjësendi krejt e pamundur edhe në atë kohë, por që të kthehet në një veprim të rëndomtë duhet pritur edhe ca kohë, kur u zbuluan solucione të reja, që rrisnin ndjeshmërinë e pllakave fotografike. Është e vështirë të besohet se tashmë ato i kishte në përdorim P. Marubi, kur ende nuk ka një tregtim masiv të tyre në Itali.

Kjo është arsyeja që na shtyn të mendojmë se fotografitë e para në teknikën e kolodionit të lëngët nuk mund të jenë realizuar në Shqipëri aq herët sa është menduar deri tani. Përcaktimi i datës së tyre të saktë nuk është i pamundur, por nënkupton kërkime të mëtejshme arkivore dhe analizë të materialeve të përdorura.

Është mjaft interesant fakti që albanologu i madh, G. Von Hahn, i cili qëndroi disa ditë në Shkodër (gusht-shtator 1863), në shoqëri të fotografit dr. Szekely, nuk ka lënë asnjë shënim për ekzistencën e një studioje fotografike në atë qytet. Dhe është fjala për dikë, i cili pasi përshkruan sipërfaqen e liqeneve e lumenjve tregon imtësisht edhe çfarë ka nën ujë, që pasi përshkruan relievin e vendit shkruan imtësisht edhe se çfarë ka në nëntokën shqiptare. Kjo duket e ka shtyrë edhe studiuesin R. Eslie të thotë se nuk ka asnjë shenjë të takimit të P. Marubit me fotografin, Jozef Szekely, që, siç thamë, shoqëronte albanologun G. von Hahn.

Natyrisht, nuk mjafton vetëm një fakt i tillë për të datuar fotografitë e para të Marubit si të realizuara pas vitit 1863, por mbetet domethënës fakti se korpusi kryesor i punimeve të tij janë pas këtij viti, ndërkohë që një foto e vetme, ajo e Hamzë Kazazit, shënohet të jetë e vitit 1858.

Problemi i mësipërm mbase nuk do të shtrohej kurrë po qe se nuk do të na linte një ndjenjë të fortë mëdyshjeje vetë portreti i Hamzë Kazazit, mosha e tij e pandehur në çastin e fotografimit. Në të vërtetë duhet thënë që në fillim se nuk dihet me saktësi viti i tij i lindjes. Ka një dyshim, që për mendimin tim ka shtyrë historianë të ndryshëm ta lënë çështjen të hapur për të shmangur gabimin që shkon nga një deri në tre vjet. Por, gjithsesi, dihet me siguri se kur hyri në vargjet e këngës, që i bënte jehonë kryengritjes së famshme të vitit 1835, ai ishte tashmë një burrë në moshë mjaft të pjekur. Por fakti që nuk është saktësuar viti i lindjes së Hamzë Kazazit nuk mund të shërbejë si argument për të hedhur poshtë arsyet e mjaft autorëve, që në mënyrë të përsëritur shprehen se ai ka vdekur në moshën 79-vjeçare. Pra, në këtë punim të parë të fotografisë shqiptare të ruajtur deri më sot, ne kemi portretin e një 78-vjeçari. Për arsyetimin e mëposhtëm nuk ndryshon asgjë, edhe po qe se ai do të kishte ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.

Për të vazhduar më tej, kërkohet vetëm pak vëmendje në shqyrtimin e portretit të tij të famshëm. Nuk ka fare arsye të kesh një përgatitje prej fizionomisti për të kuptuar se personazhi që kemi përpara paraqitet me një vitalitet të pashem bullt, në një kohë kur jetëgjatësia mesatare e shqiptarëve nuk i kalon të 42-45 vjet. Ai ka mustaqe të plota e të shndritshme. Thinjat janë ende të pakta. Në fytyrë nuk i shihet asnjë rrudhë. Nuk ka asnjë shenjë të lëshimit të lëkurës në tërësi. Dhe bilanci është mjaft pozitiv kur hyjmë në detaje. Zhubravitja e moshës në anë të syve dhe muskujve anësorë që rrethojnë buzët është diçka e panjohur për portretin e tij. Faqet i ka të plota, madje të rrumbullakëta. Në vijën fundore të nofullës së poshtme nuk ka asnjë shenjë lakimi a varjeje, që në mënyrë të padiskutueshme fillon te çdo person që u afrohet të pesëdhjetave. Nuk ka asnjë shenjë të hollimit të muskujve dhe të shfaqjes së pejzave të gushës, as edhe një shenjë të gropëzës së thellë që krijohet nën mollën e Adamit, në një moshë të caktuar. Me vështrimin e tij të perënduar dhe buzët e plota e të fryra, personi në këtë foto të lë përshtypjen e dikujt që gëzon shëndet të mirë dhe mbase ka edhe pak pasion për lëngun e distiluar të frutave të ndryshme, veçanërisht rrushit. Por duhet shtuar menjëherë se ai rrezaton virilitin e pashembullt të një playboy të vërtetë, ka një energji shpërthyese prej, që mezi e përmban. Në kurriz ai mban një qyrk vojvode, jo fort i zakonshëm, ndërsa në dorën e majtë ai nuk shtrëngon një bastun, por një lloj skeptri, shenjë e një rangu të përfillshëm shoqëror.

Përfundimisht, me pak zemërgjerësi, këtë personazh mund ta vlerësojmë midis moshës 45 – 50-vjeçare, por asnjë vit më shumë.

Për të saktësuar datën e fotografisë së parë me temë shqiptare, mbase nuk duhet ngurruar të kërkohet brenda vetë fotografive. Gjithnjë më ka intriguar një numër in verso në anë të djathtë, poshtë fotografisë së parë të Marubit. Nëse pranojmë se numri tjetër, në të majtë të fotos, është një numër i thjeshtë inventari, ai i pari mbase përfaqëson një vit, sipas kalendarit të hixhrit. Por mund të kërkohet edhe më tej për të hedhur dritë në këtë ngjarje. Në foton e famshme të Hamzë Kazazit tërheqin vëmendjen dy objekte të tjera. I pari është qilimi, që shtrihet në këmbët e tij dhe e dyta, një karrige e harruar në të majtë të fotografisë. Ekzistenca e kësaj të fundit tregon se Marubi jo vetëm që ai tashmë e zotëron mirë artin e fotografisë, por edhe se ka një prodhim seri të tyre, se “klientët” mund të zgjedhin të fotografohen qoftë në këmbë, por edhe ulur. Këtë gjë me sa duket ia mundëson edhe zhvillimi i vetë teknikës së fotografisë, pra tashmë duhet të pranojmë se nuk jemi më në fillimet e kolodionit. Se po të ishte vërtet e para fotografi historike që realizonte, a do të guxonte vërtet të rrezikonte duke vënë përpara kamerës një personalitet si Hamzë Kazazi?

Mund të mendohet edhe se ai ose nuk duhet të ketë pasur ende ndihmës, ose ndihmësi nuk është kujdesur të largojë me kohë karrigen nga fusha e fotografimit. A është e njëjta karrige të cilën e shohim të shfaqet edhe në disa fotografi të viteve të mëvonshme?

Për sa i përket qilimit, duhet thënë se në fotot e tij gjejmë disa lloje qilimash, por veçanërisht njëri tërheq më shumë vëmendjen, ai që shtrihet në këmbët e Hamzë Kazazit. Është një qilim me punim të ngjeshur, ku bien në sy radhët e rombeve të bardhë brenda të cilëve gjendet një lloj imazhi në trajtë të një zogu të stilizuar krahëhapur, me një lloj luleje të bardhë në anë. Duhet të jetë një qilim veçanërisht jetëgjatë, sepse përveç se te këmbët e H. Kazazit, vazhdojmë ta gjejmë te kompozimi me një rapsod në mes, te fotoja e Myrto Danit me fustanellë (1900-1919), por edhe te këmbët e Fishtës së ri, po ashtu në një foto të datuar si midis viteve 1900-1915, te këmbët e princeshës së Mirditës, në një foto të Kelit, më 1917-n, për t’u zhdukur më 1938-n nga këmbët e fotos së famshme të Poradecit, Koliqit, Fishtës e Drenovës, ku gjejmë një qilim me motive të tjera.

Është intrigues fakti se ai mungon te këmbët e ‘Vajzës malësore me xhubletë’, një fotografi e mrekullueshme, që datohet midis viteve 1865-1890. Aty duket se kemi një qilim që shfaqet vetëm një herë dhe zhduket përgjithnjë. Logjikisht, ai duhet të jetë mjaft më i hershëm dhe ka gjasa të jetë përdorur në një fazë të parë në dhomën ku fotografonte Marubi, ndryshe do të na shfaqej edhe më pas. Për këtë arsye jemi të prirur ta shohim atë si nga më të vjetrat fotografi që kemi trashëguar. Por, natyrisht, gjithkush mund të pyesë mbi çfarë kriteri arkivistët shkodranë kanë cilësuar vitin 1865 si kufirin më të hershëm të realizimit të saj? Nuk ka asnjë kriter. Nëse do të kishte, do ta kishim mësuar deri më sot.

Në këto kushte, duke mos përjashtuar ekzistencën e punimeve të tjera që sot janë zhdukur ose presin të zbulohen, duam të besojmë se fotografitë e para që kemi trashëguar i përkasin kufirit kohor midis vitit 1863, viti i vizitës së G. Von Hahn-it në Shkodër dhe vitit që pritet të saktësohet i realizimit të punimit të ‘Vajzës malësore me xhubletë’.

Nuk ekziston asnjë e dhënë tjetër e drejtpërdrejtë apo e tërthortë për të besuar se kemi një fotografi të Hamzë Kazazit e aq më pak që portreti i tij i pandehur, të jetë realizuar në vitin 1858.

Nga: Dashnor Kokonozi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button