Opinion

A është krimbi kafshë?

NGA FATOS BAXHAKU

fatos_baxhaku-320x241Ndodhitë, ose sikurse u themi ne rëndom, lajmet, kanë nisur të kenë një jetë të tyren krejt të pavarur. Ato kanë nisur të bëhen gjithnjë e më të shkëputura si nga ata që i mësojnë apo dëgjojnë, si nga protagonistët e tyre, ashtu edhe nga vetë ata që i raportojnë. Duket tashmë se ka disa lajme, apo ndodhi, le t’i quajmë si të doni, për të cilat publiku i gjerë shfaq interes deri diku, por nuk çuditet më aspak. Kjo sepse në këtë vendin tonë shqisa e çudisë ka kohë që ka nisur të zvetënohet e të zëvendësohet gjithnjë e më tepër me shprehjen çarmatosëse “e ç’ë pastaj?”.

Le të marrim ndonjë shembull. E kush është çuditur, këtë javë që po shkon, kur Presidenti Nishani e ktheu mbrapsht ligjin për ndarjen e re territoriale? Po kur Kryeministri Rama tha se edhe shumica parlamentare do t’ia kthejë me të njëjtën monedhë Presidentit? Përgjigjja është pakkush. Madje as vetë protagonistët kishin ditë që ishin përgatitur se si do t’i përgjigjeshin njëri-tjetrit. Kush çuditet më me radhët e gjata në pikat tona të kalimit të kufirit kur gjithnjë pala jonë punon – kush e di se pse – me më shumë sportele sesa shteti fqinj? Pakkush, madje as ata që vuajnë me orë të tëra të djersitur në radhën e gjatë. Për fat të keq kjo mungesë çudie, apo ndonjë ndjenjë tjetër, sikurse mund të jetë revolta apo inati për shembull, na ka kapluar në këtë vapë edhe kur humbasin jetë njerëzish. Madje, në mënyrë fare absurde, sikurse janë mbytjet e shumta të pushuesve vetëm e vetëm sepse ende nuk është zgjidhur se cila nga pjesët e shtetit do të përgjigjet për mungesën totale në plazhet tona të rojeve të specializuara të plazhit. Në fillim jemi mërzitur për këto vdekje absurde, por më pas të gjithë bashkë, ose shumica jonë, kemi tundur kokën të nënshtruar: Kaq e kishin të shkruar! Një mënyrë shumë efikase për të hequr nga vetja çdo lloj përgjegjësie qytetare.

Ndryshe ndodh me disa ndodhi të tjera. Ato zakonisht janë të nënvlerësuara. Personazhet e tyre, në shumicën e rasteve, nuk përmenden me emra. Identiteti i tyre për publikun nuk përbën asnjë gjë me rëndësi. Ndryshe nga lajmet e rëndësishme, që vazhdojnë me seri për muaj e muaj, këto janë ndodhi vetëm me një seri. Flitet për to 2 minuta, shkruhen për to 10 radhë dhe kaq. E megjithatë këto ndodhi të largëta e të shkurtra ia dalin nganjëherë që të mposhtin edhe lajmin më hijerëndë. Janë të vetmet që kanë mbetur në këmbë për të mbajtur gjallë sadopak sensin tonë tashmë në zhdukje të çudisë. Meqë është praktikuar edhe gjetkë, dhe meqë jemi drejt fundit të sezonit të plazhit, le të zbavitemi ca duke u munduar që t’i rreshtojmë në një garë imagjinare tre prej lajmeve “të vogla” më kurioze të kësaj jave.

Vendi III

Dajak i rëndë mbi nusen

Nuk guxon njeriu të shkojë me pushime. Sapo ka rënë pak inteligjenca e organizatave të shumta joqeveritare që merren me dhunën ndaj grave kanë ngritur kryet menjëherë të dhunshmit. Afër fundjavës u raportua për një 29-vjeçare që pasi ishte rrahur mirë e mirë nga vjehrri kishte ngrënë edhe një dajak të dytë të paqëm nga vetë i shoqi, i cili normalisht duhet të ndërhynte për ta mbrojtur. Për nusen, që është ankuar në polici, është vendosur mbrojtja nga shteti, por sa pare bën, tashmë akti i shëmtuar kishte ndodhur. E gjithë kjo skenë e rëndë ka ndodhur në Shkodër, vend i muzikës, pikturës, luleve, “dashnisë”. Çfarë ka ndodhur me qytetin e stërlashtë? Atje ende thonë se “asht marre e madhe me vu dorë mbi gruen”. Ky lajm i vogël  e meriton plotësisht vendin e tretë, sepse vërtet është i rëndë dhe i shëmtuar, por ama është shumë i ngjashëm me të tjerë që vijnë nga qytete të tjera të vendit. Seç ka një lloj përsëritjeje në të.

Vendi II

Granata dhe plehraxhiu

Të gjithë i kemi parë çdo mëngjes kur hedhim mbeturinat në kazanët poshtë shtëpive. Ata mbërrijnë në heshtje dhe gërmojnë me durim mbi duhmën erëkeqe që del nga kazanët. Tani janë specializuar. Dikush kërkon vetëm hekurishtet, të tjerë mbledhin plastikë, dhe të tjerë akoma qelqin. Në një farë kuptimi bëjnë atë që shoqëria jonë nuk e ka realizuar akoma: përpunimin e diferencuar të plehrave. Pa këta njerëz, që i shohim përditë teksa dërsijnë mbi lloj-lloj mjetesh të çuditshme, pa këto “breshka njerëzore”, me siguri që qytetet tona do të ishin ku e ku më të ndyra. Në jetën e tyre ndodhin vetëm pak gjëra. Konsumi i qyteteve u ka garantuar atyre plehra me bollëk. Përditshmëria e tyre është si një pllakë e sheshtë. Zgjohesh në mëngjes, bën xhiron e zakonshme, dorëzon mallin që ke mbledhur, numëron paratë dhe shkon në shtëpi. Mirëpo nuk ka ndodhur kështu me njërin prej tyre në Tiranë. Ky, në fakt, është specialist i plastikës, mirëpo në një kazan i ka bërë përshtypje një gjë metalike, e rëndë. I zënë në mëdyshje plehraxhiu ynë e ka rrotulluar një copë herë të mirë në dorë, derisa ka tërhequr në mënyrë fatale një tel të vogël. Ishte siguresa e një granate. Bomba ka shpërthyer duke tronditur banorët dhe duke plagosur personazhin tonë. Nga raportimet dimë vetëm se ka shpëtuar gjallë. Detaje të tilla si emri, mosha, vendi ku ndodhi, shkalla e dëmtimeve e të tjera vogëlsira si këto, nuk u raportuan. Pikërisht andaj, mbase dhe ca me mik me thënë të drejtën, plehraxhiu trim, që shpëtoi për mrekulli, meriton vendin e II.

Vendi I

Krimbat pushtues

Nja 5 kilometra në Jugperëndim të qendrës së Elbasanit ndodhet lagjja (dikur fshati) Fushë-Mbret. Ky vend një herë e një kohë ka qenë pronë e Vërlacëve, bejlerëve të njohur. Kur Ahmet Zogu prishi fejesën me të bijën e Shefqet bej Vërlacit, kush e di se në çfarë rrethanash, ky vend u bë pronë e tij, dhe pikërisht prandaj, kur Ahmet Zogu u bë Mbreti Zogu I, vendi nisi të quhej Fushë-Mbret. Që nga fundi i viteve ’20 të shekullit të shkuar atje janë vendosur familje refugjatësh kosovarë të luftës. Është një zonë e paqtë e cila dallohet për frutat dhe për punimet e drurit. Që para ’90 – kohë kur nuk duhej zënë me gojë fjala Mbret – kësaj lagjeje i është dhënë emri më i lavdishëm i mundshëm: “Skënderbej”. Banorëve të Fushë-Mbretit as që ua ka pasur ndonjëherë ënda të dalin ndër lajme. Mirëpo që prej një muaji i ka zënë një hall i madh. Krejt lagjja është pushtuar nga tufa krimbash që kanë mbuluar çdo gjë, pemë, mure, avlli, rrugica, çati, madje edhe dhoma gjumi e kuzhina. Krimbat duket se janë të një lloji të veçantë. Përveçse shtohen në një mënyrë fantastiko-shkencore, ata janë edhe të rrezikshëm. Kontakti me ta shkakton flluska të këqija në lëkurë. Banorët e ngratë nuk kanë lënë ilaç pa përdorur, por më kot. Krimbat që pastrojnë ditën shfaqen edhe më të fuqishëm gjatë natës. Një lebeti e pamerituar ka përfshirë lagjen e qetë periferike. Nën zë thuhet edhe se nuk kanë pirë ujë as nuskat e fuqishme të një hoxhe aty pranë. Banorët e shkretë i janë drejtuar shumë herë shërbimit shëndetësor të bashkisë. Kur përgjigjja ka qenë “me këtë punë le të merret veterineri, ne jemi vetëm për njerëzit, ai është për kafshët”, ata janë hutuar fare. Teksa presin një zgjidhje thuhet se në fshat është hapur një debat i madh shkencor me temë “A është krimbi kafshë?”. Shumica ka qëndruar fort në idenë e parë se krimbi është thjesht krimb dhe o burra si t’ia bëjmë ta zhdukim, por më të maturit i kanë dhënë të drejtë bashkisë, duke sqaruar të tjerët se krimbi është një kafshë që bën pjesë te jovertebrorët prandaj u duhet veterineri dhe se derisa të vijë ai nuk duhet përhapur panik i kotë. Për nga veçanësia, dramaticiteti, serioziteti shkencor dhe ngjashmëritë me filmat e Hiçkokut, lajmi mbi krimbat pushtues në Fushë-Mbret e meriton plotësisht çmimin e parë të lajmeve të vogla të kësaj jave. Kanë thënë dikur jeta përbëhet nga kënaqësitë e vogla, mirëpo ja që u bëka edhe nga lajmet e vogla.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button