Ekonomia

A ka ndikim Brexit në ekonominë shqiptare?

Në një analizë të posacme se si Brexit mund të ndikojë negativisht ekonominë shqiptare, Banka e Shqipërisë referon se efektet negative indirekte mund të materializohen edhe për Shqipërinë…

Së pari një recension ekonomik në Eurozonë, si pasojë e rritjes së skajshme të pasigurisë.

Ky skenar do të kishte pasoja negative për ekonominë shqiptare, duke ndikuar negativisht eksportet tona, IHD-të hyrëse dhe rritjen e pasigurisë në vend.

Së dyti një krizë të re në sistemin bankar e financiar evropian.

Ky skenar do të sillte probleme likuiditeti e kapitalizimi në bankat mëma. Në varësi të intensitetit, pasojat mund të shkonin nga një ulje e oreksit për zgjerim në Shqipëri, në një deleverage apo reduktim të ekspozimit ndaj ekonomisë shqiptare.

Gjithsesi, duhet theksuar se sistemi bankar shqiptar nuk do të prekej direkt nga tërheqja e fondeve, për arsye se depozitat e gjeneruara lokalisht janë më shumë se të mjaftueshme për të mbuluar kreditë dhe letrat me vlerë të qeverisë në aktivin e sistemit bankar.

Së treti një nënçmim të fortë të euros ndaj dollarit amerikan do të ndikojë.

Proporcionalisht, eksportet tona shfaqen më shumë të orientuara drejt euros (rreth 85%) në raport me importet (rreth 70%). Kjo do të thotë që, në rast të nënçmimit të kursit të euros ndaj dollarit: (a) fatura e eksporteve do të bjerë më shpejt se fatura e importeve; por, (b) bilanci tregtar do të përmirësohet, sepse importet në vlerë janë ndjeshëm më të larta se eksportet.

Shkëmbimet tregtare me MB-në zënë një peshë të vogël të totalit të aktivitetit tregtar të Shqipërisë. Pesha e importeve dhe e eksporteve me MB-në ndaj totaleve përkatëse janë respektivisht rreth 0.8% dhe 0.2%. Frenimi i eksporteve shqiptare drejt MB-së do të kishte një efekt fare marzhinal për ekonominë shqiptare.

Stoku i investimeve të huaja direkte me origjinë nga MB-ja vlerësohej në 19.8 milionë euro në vitin 20141. Ky stok investimesh vlerësohet në 0.44% ndaj totalit të stokut të investimeve direkte në Shqipëri dhe në rreth 0.2% të PBB-së në vitin 2014. Tërheqja e këtyre investimeve apo frenimi i fluksit hyrës të tyre, do të kishte një efekt të pandjeshëm për ekonominë shqiptare.

Informacioni më i fundit i plotë i peshës së dërgesave të emigrantëve rezidentë në MB i përket gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015.

Vlerësimet tregojnë se pesha e remitancave nga MB drejt Shqipërisë është rreth 11% për periudhën referuese, duke përfaqësuar një vlerë transfertash prej 32.3 milionë eurosh apo 0.6% ndaj PBB-së nominale. Ndalimi tërësor i remitancave është një ngjarje me probabilitet të ulët.

Ndërkohë, reduktimi i tyre mund të kishte efekte marzhinale në nivelin e konsumit dhe në ritmin e rritjes ekonomike.

Brexit është shoqëruar me tendenca të forta nënçmuese të paundit britanik (9.3% kundrejt euros). Teorikisht, këto tendenca lehtësojnë barrën e kredimarrësve në GBP dhe zbehin vlerën e kursimeve (depozitave) në GBP.

Nisur nga pesha e tyre në vëllimet totale të depozitave e kredive të sistemit bankar shqiptar, intensiteti i veprimit të këtij kanali duket i neglizhueshëm. Depozitat dhe kreditë në GBP, përbëjnë përkatësisht, 1.17% dhe 0.002% të totaleve përkatëse, sipas të dhënave të muajit prill 2016.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button