A kemi rend me kaq policira e policë?
Jo më në Evropë, po rrezik as në Ballkan, madje as në shtetet arabe dhe as në ato diktatoriale të Amerikës Latine, nuk besoj se gjendet një vend i dytë, i ngjashëm që, në krahasim me numrin e popullsisë të ketë kaq shumë badigardë, roje, policë dhe turlilloj struktura policore me licencë e uniformë “zyrtare”. Edhe në këtë drejtim, – por jo si për rritjen ekonomike, – ne pa dyshim që zëmë vend të parë në botë.
Nga KICO BLUSHI
Nuk ka qendër e periferi ku nuk sheh policë rrugorë me fletë gjobash nëpër duar (si shpjegohet që në asnjë vend të Evropës nuk të zë syri kurrë policë?) që presin me durim, në vapë e në shi, nëpër kryqëzime e kthesa “të të zënë mat”, ose dhe kot së koti. Nuk ka derë institucioni, banke e kompanie private, para hyrjes së të cilave të mos vigjilojnë ca uniforma të lerosura, dalëboje, zakonisht barkmëdhenj, që shullehen në diell, ose me ndonjë kallash, ose me ndonjë radio dore… Përshtypjen më të keqe e japin policët në pikat kufitare, aty ku i huaji dhe emigranti i mallosur, i kthyer pas vitesh në atdhe, ballafaqohet më së pari me fytyrën e vërtetë të shtetit tonë “demokratik”. Pas tyre vijnë “rrugorët” e nëpunësit e vegjël, të cilët, edhe këta janë stërvitur me psikozën kolektiv, gjithëpërfshirëse: rrëmbe sa të mundësh se mund të të heqin”, i mbajnë sytë, si shpendët grabitqarë, te portofoli, te ryshfeti, te qelepiri.
Një video amatore që na rrëfeu Gruevskin teksa bënte shëtitje me vajzën në një pazar të Turqisë, i rrethuar nga dhjetëra badigardë (si shpura e Berishës para disa vitesh!) mjafton për të kuptuar se ç’është e si është Maqedonia e sotme. Bajraktarët e rinj të demokracisë, shtetarët e të fortët këtejpari rrethohen nga badigardë; institucionet dhe argjendaritë, bankat dhe biznesmenët, ndonjëherë edhe bunkerët e privatizuar kanë roje “speciale”, “private”… Këtë “fat” nuk e kanë pyjet, ujërat, udhët, tokat dhe pronat publike. E gjitha kjo larushi me policë e badigardë të kudondodhur nuk shërben për të shtuar sigurinë e jetës, por thellë-thellë dëshmon për natyrën prej bejlurçine të krerëve të politikës e të biznesit: shikoni kush jam unë!
Në të vërtetë, e gjitha kjo mbushullimë afendikonjsh, hyzmeqarësh e mercenarësh, demokratësh e socialistësh, policësh e badigardësh, kaposh dhe vartësish, natyrisht jo për faj të tyre, u ngjan më shumë dordolecëve që katundarët i vënë në mes të fushave për të trembur zogjtë, sesa udhëheqësve e policëve të aftë e të specializuar për t’u përballur me problemet e shoqërisë, korrupsionin apo me krimin. Nëse uniformat e tyre të yndyrosura dalëboje dëshmojnë për rrogat, sjellja dhe fjalori, zakonisht rural, rrëfen bukurfort për origjinën, mendësinë dhe kulturën e tyre të cungët ku e ku më mirë se CV-të apo gradat e tyre zyrtare.
Por ne nuk “e meritojmë” të quhemi shtet policor. Aktualisht mund të cilësohemi shtet badigardësh dhe bejlurçinash të ngrefosur e të dehur prej fuqisë dhe tahmasë së pushtetit (ose pasurisë) të pakufizuar. Shtet me qytetarë të dobët e të pafuqishëm, por me zyrtarë të plotfuqishëm. Shtet me media të lira, po me opinion publik pa gjuhë. Nuk jemi bërë ende shtet ligjor; aq më pak shtet i së drejtës. Ndaj kemi frikë dhe mbrohemi nga njëri-tjetri. Ndaj nuk kemi besim te bashkësia. Aq më pak te ligjet, te përfaqësuesit dhe institucionet e shtetit, këtij rregullatori suprem që presupozohet i paanshëm e i drejtë.
Fatkeqësisht figura e policit, më shumë se ajo e deputetit dhe e ministrit e, pse jo, edhe e kryeministrit, e pasqyron sinqerisht këtë të vërtetë të hidhët. Andaj, më shumë e më kollaj e kupton gjendjen reale dhe nivelin moral e material të shoqërisë pas kontaktit pesëminutësh me një polic, sesa duke dëgjuar të gjitha fjalimet e presidentit apo të kryeministrit…
***
Asnjë mekanizëm shtetëror nuk është “liberalizuar” dhe “decentralizuar” (kupto: hallakatur), sigurisht jo pa qëllim, si shërbimi policor, ky institucion i domosdoshëm, i shpikur bashkë me shtetin për të mbrojtur qytetarin, bashkëjetesën, komunitetin, harmoninë, pronën private e publike nga keqbërësit, abuzuesit dhe kriminelët. Por ne si qytetarë ndihemi të pambrojtur e të pasigurt, edhe pse, përveç Policisë së Shtetit, policisë rrugore, policisë ushtarake, policisë gjyqësore, gardianëve të burgjeve, atyre të SHISH-it (për shkak të specifikës së detyrës këta janë pa uniformë, d.m.th. të paidentifikueshëm…) etj., etj. Aktualisht ne kemi edhe polici të ndërtimit (INUK), të mjedisit, të pyjores, të ushqimit, të mbrojtjes së monumenteve dhe institucioneve… etj., pa përmendur dhjetëra e dhjetëra firma policish private që rrëmbushin tejembanë mjedisin tonë… Edhe në Orikum, në katin e dytë të një pallati në rrugën kryesore, ka një tabelë, logoja e së cilës reklamon shërbimet e një policie private. Po a e shtojnë dhe garantojnë, apo në të kundërt e mpakin dhe e vdjerin sigurinë tonë gjithë këto policira?
Do të ishte me interes sikur INSTAT-t të kryente një studim për të bërë të ditur se sa harxhon shoqëria në vit për mbajtjen e gjithë kësaj aradhe policësh, gardianësh, badigardësh, rojesh, komisariatesh e burgjesh. Prej kësaj shifre do të dilte edhe masa e dobisë dhe vlefshmërisë së tyre. Por pyetjet retorike do të ishin akoma më të thjeshta: a kemi rend, siguri, qetësi me gjithë këtë ushtri të panumërt rojesh, badigardësh e policë gjithfarësh? Sa ndikon kjo shifër në mirëqenie dhe në sigurinë e jetës? Dhe më pas: përse është degraduar figura e policit, duke u tjetërsuar, nga burim anekdotash në burim gjobash, ca të ligjshme, po më së tepërmi të padrejta e të paligjshme? Përse shpjegimi më i shpeshtë nëpër kronikat e zeza, pas ngjarjeve tragjike, shoqërohet përherë me frazën bajate, që e bën krimin dhe lajmin e zi edhe më të kobshëm: Hajduti/ vrasësi/ keqbërësi/ krimineli “iku në drejtim të paditur” dhe më pas: “Policia po zbardh ngjarjen…”, fjali që nënkupton se e vërteta dhe fajtori nuk kanë për t’u zbuluar kurrë?
Partitë dhe krerët e tyre, si në pushtet, si në opozitë, nuk e vrasin mendjen e nuk hakaten të gjejnë përgjigje për këto pyetje, përkundrazi, kanë bërë të pamundurën e të pabërën ta kthejnë policinë në sejmen, në pisqollë, në roje të pushtetit të tyre.
***
Atentati i parë politik kundër Policisë së Shtetit u bë më 2 prill në Shkodër dhe e fundit më 21 janar, mu para dyerve të Kryeministrisë. Kurse “rrjepja e lëkurës”, d.m.th. degradimi, është kryer gradualisht e sistematikisht, nga të dy krahët e politikës, nëpërmjet transformimit të policisë në një biçim “reparti të gatshëm”, të rrëmbushur me mercenarë, të cilët nuk janë më të aftë se qehallarët e dikurshëm. Identifikimi i policisë me kalecët, me sigurimin e djeshëm, me spiunët e diktaturës ka bërë punën e vet… Qytetari ka frikë të denoncojë në polici edhe kur e di kush është keqbërësi apo krimineli i familjes së tij.
Por kur e keqja i ndodh tjetrit, themi: “As kam parë dhe as kam dëgjuar gjë… Ç’ne me lazëm?”…. Shifrat marramendëse që jepen herë pas here si shpërblim për denoncuesit dhe informatorët asnjëherë nuk kanë dhënë rezultat, pasi nuk ka qytetar të mos ketë frikë edhe nga policia, e cila mund t’i dekonspirojë te kriminelët dhe keqbërësit kush janë e pastaj… “gjej vrimë e futu!”… Prandaj shumica e krimeve burimin e kanë te vetëgjyqësia. Vrasjet për Kanun, për nder e “për motive të dobëta”, si dhe vjedhjet për të përballuar mbijetesën bëhen jashtë syve të policisë kryesisht prej mosbesimit të qytetarit te shteti (te policia e te Drejtësia). Nëse Drejtësia nuk funksionon pa dëshmitarë, policia mbetet e paralizuar pa informatorë dhe denoncues te 129-ta, kurse shoqëria bie në kaos e teposhtësi. Këtij rregulli nuk i shpëtojmë dot ne, shqiptarët.
***
Sot quhet fat po të kesh një mik “të fortë” të të gjejë një vend pune të sigurt, por edhe “me bereqet”, në këto “policira” të cilat kanë zëvendësuar punësimin në veprimtari prodhuese. Fakti që rendi, siguria, mbrojtja e mjedisit dhe e pronës, si dhe e jetës së qytetarit, nga viti në vit kanë ardhur duke u përkeqësuar, edhe duke qenë në përpjekim të zhdrejtë me numrin e policëve, policive dhe badigardëve. Nuk di të them e të provoj nëse zyrtarët e lartë në këto vite kanë imituar ndonjë model nga Perëndimi për “decentralizmin” e shfytyrimin e kësollojtë të policisë. Por, pas kaq vitesh me trajnime nga ndërkombëtarët (Pameka), pavarësisht kush ka qenë në pushtet, të djathtët a të majtët, kam përshtypjen se ky lloj “decentralizimi” është bërë ose nga padija, për të hequr përgjegjësinë nga vetja, ose qëllimisht, për të pasur më shumë pushtet dhe mundësi për abuzime e vjedhje, paçka se kësisoj është rrënuar e telendisur vendi dhe shoqëria… Rrezik të jenë të gjitha arsyet bashkë.
Kështu INUK, policia e ndërtimit, është ngritur dhe ka funksionuar deri tash kryesisht për të prishur, sesa për të parandaluar ndërtimet pa leje. Sa herë shoh buldozerë të INUK-ut që mësyjnë të prishin, përmes konfliktesh të ashpra, ndërtime pa leje në bregdet, në periferi të Tiranës, apo kudo qoftë e të kujtdo qofshin (madje edhe për ato që ishin buzë Lanës dhe në Parkun Rinia, të cilat e kishin katandisur kryeqytetin në një kanal të hapur të ujërave të zeza), ndjej edhe gëzim edhe trishtim, një nakatosje e pështjellim të cilit nuk i vë dot emër. Asnjëherë nuk kemi dëgjuar të mbajnë përgjegjësi gjithë ato organizma lokalë e qendrorë si dhe policira që i kanë lejuar e toleruar këto ndërtime-monstra, të cilat kanë shkatërruar mjedisin, pasuritë e përbashkëta, bashkëjetesën, si dhe miliarda fonde private e shtetërore. Maks Velo thoshte para ca ditësh në një shkrim, se Korça, kur është ndërtuar, para dy a tri shekujsh, ka respektuar mrekullisht e saktësisht urbanistikën, pronën e tjetrit, bashkësinë, distancat, lartësitë… edhe pse asokohe nuk kishte as arkitektë, as urbanistë, as shtet dhe as policira…
Kurse sot shteti, ashtu si të lë të vritesh, të vetëvritesh, të vrasësh, të vjedhësh, të abuzosh, ca më shumë të lë të sillesh me mjedisin e pronën publike si të duash. Është bërë normale që, pasi e ke ngritur pallatin, vilën apo kasollen për të futur kokën, shfaqet shteti dhe vjen ta shkatërrojë, pa një, pa dy…. Dhe pastaj “ikën në drejtim të paditur”, pa e parë të nevojshme që “policia të zbardhë rrethanat e ngjarjes”… Si shpjegohet që asnjë strukturë shtetërore dhe asnjë zyrtar nuk ka mbajtur, deri më sot, përgjegjësi për këtë katrahurë urbanistike, mjedisore e pasurore? Injoranca dhe tahmaja e qytetarit të zakontë është hiçmosgjë para babëzisë dhe papërgjegjshmërisë ligjore të organeve e përfaqësuesve shtetërorë. Fatkeqësisht ne kemi pasur një shtet, – pavarësisht nga sistemet, – që tundohet më shumë nga dëshira, nepsi e vullneti të shkatërrojë, të prishë, sesa të ndërtojë. Ky lloj shteti nuk mban dhe nuk merr asnjë përgjegjësi. Halli e qederi i kanë mbetur, tejemot, si kopili në derë, qytetarit, fakirfukarait. Ndaj mosbesimi i qytetarëve te shteti dhe organizmat e tij, sidomos te policia dhe Drejtësia, kanë qenë dhe kanë mbetur më të flashkëtat. Mjerisht edhe në demokraci.
Nuk ka hall më të madh se t’i prishësh njeriut shtëpinë e katandinë, apo biznesin e ngritur me aq mund dhe sakrificë. Kushedi se sa miliard euro kanë përfunduar në inerte, pa përmendur rropatjen dhe djersën që i pat grumbulluar ato para. Sikur ky investim të ishte bërë me rregull, me leje, në mënyrë të qëndrueshme, është e sigurt që nuk do të ishim këta që jemi sot… Po të llogaritësh edhe dëmin e pandreqshëm ndaj mjedisit, tokave të bukës, pyjeve, ujërave të lumenjve dhe deteve, trashëgimisë, dëm që nuk i është bërë Shqipërisë as në kohë invazionesh, e ardhmja jonë do të duket edhe më e pasigurt, për të mos thënë edhe e frikshme.
Për këtë rropamë paguan “qimet e kokës” individi, qytetari, bashkësia, po jo ata që zgjidhen e paguhen nga ne për të na mbrojtur. Ky është problemi. Prej kësaj mbrapshtie vijnë të gjitha zezonat e përkeqësitë tona sociale, kombëtare dhe vetjake. Sigurisht që, vendimi i fundit për të shkrirë INUK-un me Policinë e Shtetit synon të shtojë përgjegjësinë, të shmangë abuzimet, të përqendrojë fuqinë e adresimit të ankesës në një pikë, por kjo nismë do të jetë e pamjaftueshme dhe e mangët e dështake po qe se nuk do të rritet besimi i ndërsjellë qytetar-shtet.
Ky besim i munguar nuk ngjallet e nuk vjen duke shtuar policët dhe policitë, as duke përmirësuar armët dhe uniformat, duke ndërruar shefat dhe ministrat… Se, deri më sot, policitë kanë shërbyer më së tepërmi për të na hasmosur me shtetin, për shkak të dhunës dhe padrejtësive, sesa për të na e shtuar besimin te shteti. Ndaj, afërmendsh, besimi mund të vijë vetëm pas provash konkrete që do të duhet të japin politika dhe strukturat e shtetit, se të gjithë qytetarët janë përnjëmend të barabartë, njëlloj të mbrojtur, pavarësisht nga pushteti dhe pasuritë që disponojnë.
Kjo do të ishte reformë. Ku “operacioni” i vështirë do ta fuste shoqërinë në udhën e sigurt e të shumëpritur të demokracisë.