Opinion

A po na përsëritet historia e lapidarit?

Nga Shaip Kamberi

Ditë më parë, kryetari i KKSh-së, Jonuz Musliu, ka dalë me iniciativë për mbledhjen e një seance të Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës, një mekanizëm politik ky që ishte themeluar për të koordinuar veprimet politike të partive shqiptare në Luginë të Preshevës.

Për gati katër vjet me radhë, sa e kishin shumicën në këtë trup politik partitë që, bashkë me Jonuz Musliun (LPD e Jonuz Musliut ka vetëm një nga 15 këshilltarët e KKSH-së) po qeverisin Preshevën dhe Bujanocin dhe me KKSH-në, Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të PMB-së, ishte në gjendje kome.

Vetëm tash, pas nënshkrimit të katër marrëveshjeve mes Prishtinës dhe Beogradit në mesin e të cilave edhe ajo e krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe në veri të Kosovës, një iniciativë e dalë nga kryetari i KKSh-së, Jonuz Musliu, që të mbahet një seancë e këtij trupi politik ka grumbulluar krerët e subjekteve politike në Luginë të Preshevës “për të bashkëvepruar për në reciprocitet me serbët e Kosovës”.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk ka dilemë se kanë nevojë për një mekanizëm politik të koordinimit të veprimeve të tyre politike, por, shtrohet pyetja se sa është serioze tentativa e “ringjalljes” së Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë nga ata që me vetëdëshirë, për interesa të ngushta grupore e klanore, “vranë” Kuvendin në këto subjekte që po qeverisin me këto komuna, dhe sa është serioze që të mbahet Kuvendi “për të përcaktuar hapat e mëtutjeshëm të subjekteve politike” pa u marrë edhe me të shkuarën e këtyre katër viteve në Luginë të Preshevës.

Çështja e parë e cila duhet diskutuar, siç e ka thënë edhe në takimin e djeshëm kryetari i PVD-së, Riza Halimi, është analiza e realizimit të Planit 7-pikësh, edhe atë në dritën e vizitës së Kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, në Preshevë e Bujanoc, pak kohë më parë, të analizohet si janë qeverisur komunat në këto katër vitet e kaluara. Si do të funksionojë pushteti multietnik në Bujanoc mes partive shqiptare dhe atyre serbe? Sa janë të gatshme partitë shqiptare qeverisëse në Bujanoc që të “investojnë” në “çështjen e përgjithshme” apo do ta vazhdojnë avazin e vjetër “mos e përzini pushtetin lokal me politikën”.

Në pushtet lokal ne mund të përjashtojmë shqiptarë nga puna, por, mos e përzieni këtë me politikën kombëtare. Në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc mund të marrin vendime punësimi tre serbë (prej të cilëve dy mjekë) dhe vetëm një motër medicinale shqiptare (e cila rastësisht është familjare e kryetarit të komunës së Bujanocit) kur atje numri i të punësuarve shqiptarë është dukshëm në disfavor të shqiptarëve.

Nëse nuk ka gatishmëri që këto tema të diskutohen në mënyrën më serioze, mbajtja e Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë me detyrë vetëm të “përcaktojë veprimet e ardhshme” mund të konsiderohet farsë që në këtë moment.

Kjo për arsye se edhe nëse shqiptarët vendosin që të veprojnë me reciprocitet dhe të krijojnë asociacion të komunave, kjo çështje duhet të diskutohet edhe nëpër Kuvendet komunale. Fundja çfarëdo vendimi serioz lidhur me qëndrimet e ardhshme të subjekteve politike pashmangshëm nënkupton edhe qëndrimin e qartë rreth pushtetit lokal në Buajnoc. Logjika se në pushtet lokal me SNS-në dhe SPS-në e për çështjet e përgjithshme me shqiptarët nuk mund të vazhdojë më tutje. Asociacioni apo diçka e ngjashme është bashkësi e komunave jo e partive politike, prandaj, do të duhet që edhe Kuvendet e këtyre komunave të marrin vendime lidhur me këtë çështje.

Nuk mund të veprojmë bashkërisht me metodën e marrëzive politike si në kohën e krizës së lapidarit në Preshevë. “Do ta mbrojmë lapidarin”, “le të vijë Daçiçi ta heqë”, “do të jap dorëheqje nëse e heqin” dhe kur të gjitha këto ndodhën, askush nuk deshi as të dëgjojë për përgjegjësi politike. Gjithë çështja u la prapa shpine, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Krijohet përshtypja se edhe kjo iniciativë e fundit e dalë nga kuzhina e partive që po qeverisin me komunat dhe KKSH-në, nuk ka qëllim tjetër. Sepse tendenca që të mbahet Kuvendi me të vetmen detyrë “për hapat e mëtutjeshme” është tendencë për të harruar premtimet e djeshme. Është premtuar se do të sillen librat nga Kosova më 1 shtator, janë premtuar 2 mijë vende pune, janë dhënë premtime nga më të ndryshmet, dhe tash, kur po flitet se mund të mbahen zgjedhjet lokale, mënyra më e mirë për të harruar se çfarë është premtuar, janë idetë e mëdha.

Të mos harrojmë, po flitet se në Preshevë është në përgatitje e sipër protesta gjithëpopullore për pakënaqësitë në këtë komunë.

Të shpresojmë se iniciativa për mbajtjen e Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë nuk ka për qëllim të na bëjë që t’i harrojmë të gjitha këto.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button