Kosova

AAK e Nisma: Së shpejti zgjerohet blloku opozitar

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën thonë se janë duke zhvilluar bisedime me parti politike për t’iu bashkuar boshtit opozitar të cilën e kanë nënshkruar më 18 prill të këtij viti, më qëllim të ndryshimit të qeverisë në zgjedhjet e ardhshme.

Zyrtarë të dy partive të cilat po kërkojnë më ngulm zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare madje që në pranverë, besojnë që shumë shpejtë do të ketë rezultate konkrete në zgjerim të bllokut opozitar, raporton lajmi.net.

Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë dhe zëdhënës i AAK-së, ka thënë se janë duke i shqyrtuar mundësitë se kush do mund të jenë partitë politike apo individë që mund t’u bashkohen.

“Ne po i  shohim mundësitë se cilat janë ato parti dhe ata individë, që mund të bashkohen rreth një platforme për Kosovën, e që do të krijonin një forcë të pakonkurrencë politike. Tash për tash është herët të flasim se cilat do të jenë ato parti që do të renditen në një koalicion të përbashkët me AAK-në, por dera do të jetë e hapur dhe ofertat po ashtu. Besoj se shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete në zgjerimin e këtij blloku politik”, ka thënë Nitaj për lajmi.net.

Nga ana tjetër sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi ka thënë se janë të hapur për bashkëpunim me forcat tjera politike dhe se janë duke zhvilluar bisedime më parti të cilat dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij fronti.

“Koalicioni AAK-NISMA është i hapur për bashkëpunim me forca tjera politike opozitare. Në funksion të kësaj ne bisedojmë me parti të cilat dëshirojnë të bëhen pjesë e një fronti opozitar që për synim do të ketë që në zgjedhjet e ardhshme të del forca e parë politike. Për marrëveshjet konkrete publiku do të njoftohet me kohë”, është shprehur Sherifi për lajmi.net.

Njëra ndër partitë që është folur se mund t’i bashkohet AAK-së e Nismës në koalicionin parazgjedhor ka qenë Aleanca Kosovare e Re e Behgjet Pacollit, i cili për një bashkim të tillë ka thënë se do ta shqyrtojnë ofertën se çfarë përmban.

Më 18 prill të këtij viti AAK e Nisma nënshkruan marrëveshje për një koalicion parazgjedhor pas prishjes më Vetëvendosjen, ku për 6 muaj rresht kishin kundërshtuar dy marrëveshjet e arritura nga koalicioni qeverisës PDK-LDK, atë për Asociacionin me shumicë të Komunave Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button