Ademi motivon Dardanët U21 para duelit me Rumaninë
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka vizituar sonte kampin e Kombëtares së Kosovës U21, e cila po vijon përgatitjet për ndeshjen e rëndësishme kundër Rumanisë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2027.
Gjatë kësaj vizite, presidenti Ademi uroi futbollistët dhe stafin në krye me Hekuran Kryeziun për punën dhe përkushtimin e treguar, duke theksuar besimin e plotë në potencialin e kësaj gjenerate të re.
Ai vlerësoi lart talentin dhe cilësinë që posedon ekipi, duke nënvizuar se dera e ekipit të parë mbetet gjithmonë e hapur për ata që punojnë dhe dëshmojnë vlerat e tyre në fushën e blertë.
“Në ekipin e parë mund të përfshihet secili prej jush. Nëse dikush nuk është në formën më të mirë, gjithmonë ka hapësirë për të tjerët që me punë dhe përkushtim të zënë vendin e tyre.”
Ai vlerësoi potencialin e madh që ka kjo gjeneratë, duke u shprehur krenar për talentin që posedon futbolli kosovar:
“Ne si Kosovë jemi me fat dhe krenar sepse kemi shumë talente të rinj. Kemi futbollistë shumë premtues, si në Kosovë ashtu edhe në Diasporë”, tha presidenti Ademi.
Ai gjithashtu foli për pritshmëritë dhe përgjegjësinë që mbart fanella e Kosovës.
“Përfaqësimi i Kosovës është privilegj dhe përgjegjësi. Duhet të jepni maksimumin në çdo moment dhe të jeni të vetëdijshëm për peshën e kësaj fanelle”, shtoi kreu i FFK-së
Në prag të ndeshjes së rëndësishme ndaj Rumanisë, ai theksoi objektivin e qartë të ekipit:
“Qëllimi ynë është të bëjmë maksimumin për t’u kualifikuar. Rruga nuk është e lehtë, por në futboll asgjë nuk është e pamundur”, tha Ademi.
Në fund, presidenti Ademi vuri në pah rëndësinë e unitetit në arritjen e suksesit:
“Suksesi nuk arrihet individualisht. Vetëm si ekip i bashkuar mund të arrini objektivat dhe të bëni gjëra të mëdha për Kosovën. Prandaj, jepni 120 përqindshin dhe bëjeni të mundur që flamuri i Kosovës të valojë në Euro 2027”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.