Kronika

Admir Murataj, grabitësi i bankave që u vra dje në Rinas: Si u arratis nga Trikalla me një grup shqiptarësh

Disa orë pas grabitjes së armatosur të rreth 10 milionë eurove në Aeroportin e Rinasit, familjarët identifikuan njërin nga grabitësit e vrarë. Grabitësi i vrarë nga policia gjatë shkëmbimit me armë zjarri gati 2 kilometra larg aereoportit është Admir Murataj, 42 vjeç, i njohur ndryshe pas arratisjes nga burgu i Trikallës si Admir Nikaj.

Murataj, megjithëse në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2013, u konsiderua si truri e organizatori i tre grabitjeve spektakolare në Tiranë të më shumë se 5 milionë eurove, por autoritetet dështuan të binin në gjurmët e tij gjatë këtyre 6 viteve. I hetuar në mungesë teksa bashkëpunëtorët e tij u dënuan me një shekull burgim, Admir Murataj u vra nga policia, ndërsa iu gjetën në trup dy kallëpe dinamiti, një granatë dhe një kallashnikov.

Mendohet që pas largimit nga pista, Murataj ka qëlluar ndaj policisë në përpjekje për të përfituar kohë derisa shokët e tij të braktisnin makinën e krimit. Por, i vëllai i tij nuk e shikon Admir Muratajn si njeriun kryesor të grabitjes më të fundit.

Në tentativat për të zbardhur në kohë grabitjen e radhës, çështja i ka kaluar Krimeve të Rënda për grup të strukturuar kriminal, të njëjtës prokurori e cila më herët hetoi edhe dy grabitjet në Rinas, ngjarje në të cilat në grupin e Muratajt ishin angazhuar edhe ish-ushtarakë.

Prokuroria ka sekuestruar mbi 20 kamera në Aeroportin e Rinasit në vazhdën e provave që po mblidhen dhe që tregojnë se si në mesditë në vendin që duhet të ishte më i sigurti në vend, 4 grabitës hynë me makinë në pistë, grabitën në kargo miliona euro dhe u larguan sipas një plani që tregon se gjithçka ishte mirëmenduar dhe studiuar.

Admir Murataj është një prej 11 të burgosurve shqiptarë që u arratisën nga burgu i Trikallës, në 23 mars të vitit 2013.

Ai ishte pjesë e arratisjes së bujshme që u krye në bashkëpunim me një grup të armatosur nga jashtë burgut, i cili në koordinim të plotë me 11 të burgosurit shqiptarë sulmuan me armë zjarri rojet, duke lënë të plagosur edhe dy prej tyre dhe mundën të largohen.

Madje, personat e armatosur kanë përdorur në përleshjen me forcat policore edhe granata difensive. Pak orë më vonë, ndërsa Ministria Greke e Drejtësisë deklaronte se bëhej fjalë për persona tepër të rrezikshëm të dënuar për grabitje të armatosura, trafik armësh dhe vjedhje, dy prej të arratisurve u vranë në përpjekje me forcat speciale.

Murataj thuhet se ka shpëtuar pas një beteje të vërtetë në zonën Koniska të prefekturës së Etoloakarnanias, ku të vrarët ishin Edison Lika dhe xhaxhai i tij.
Ai ka qenë i dënuar për një vjedhje me armë në një bankë në Lamia, kur me një bashkëpunëtor kanë mundur të rrëmbejnë 1 milion euro.

Edhe pasi u arrestua dhe u çua në burgun e Trikallës, paratë nuk u gjetën kurrë. Pas arratisjes, Murataj thuhet se u largua në Kosovë. Ndjekja e të arratisurve ka vazhduar për më se një muaj dhe gjatë operacionit janë vrarë nga të arratisurit, një grua e re në Korinth dhe një oficer policie. Kurorëzimi i operacionit të forcave speciale greke ka qenë ndjekja dhe asgjësimi i Marian Kolës pranë kufirit shqiptar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button