Ekonomia

Ahmetaj i përgjigjet Vasilit, qeveria nisma mbështetëse për fermerët shqiptarë

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj i përgjigjet shqetësimeve të ngritura një ditë më parë nga kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. Përmes një letre, bërë publike nga zyra e shtypit e ministrisë së Financave, Ahmetaj siguron Vasilin se gjatë këtyre dy viteve qeveria ka ndërmarrë nisma dhe reforma konkrete që synojnë krijimin e një klime të favorshme dhe incentivuese për biznesin në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë për fermerët shqiptarë.

Për këtë ai sjell në vëmendje Fondin e Garancisë për fermerët në bashkëpunim me BERZH, që Ahmetaj e konsideron si një nga instrumentet më inovative të mbështetjes. “Rritja e eksporteve bujqësore është shprehje e drejtpërdrejtë e nismave mbështetëse dhe reformave të ndërmarra nga qeveria në dy vite e gjysëm”, shprehet Ahmetaj.

Në lidhje me shkëmbimet tregtare me Maqedoninë dhe problemet që iu krijohen eksportuesve shqiptarë të produkteve bujqësore nga strukturat përgjegjëse të vendit fqinj, Ahmetaj sqaron se dhe më parë, në detyrën e ministrit të Ekonomisë ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me homologun maqedonas për të transmetuar çdo shqetësim që fermerët dhe eksportuesit shqiptarë kanë hasur në kufi. Shpesh, sipas Ahmetaj, shqetësimet janë burokratike për të frenuar konkurrencën e lirë dhe mbrojtjen e prodhimit vendas në kundërshtim të hapur me parimet e CEFTA-s.

Me të njëjtin angazhim, vijon letrën Ahmetaj, po punoj për të adresuar problemet me palën maqedonase me qëllim heqjen e pengesave artificiale dhe barrierave joligjore ndaj eksportuesve shqiptarë. Ahmetaj shprehet se problematika në rastin konkret ka të bëjë me zgjatjen e afatit kohor të AKU-së maqedonase për kryerjen e analizave, ndërsa shpreh bindjen se autoritetet shqiptare, konkretisht ministria e Bujqësisë dhe AKU po ndjekin situatën.

Sa i takon moslejimit të pagesave në ‘cash’, Ahmetaj shprehet se është një nismë e ndërmarrë në kuadrin e përpjekjeve tona për reduktimin e informalitetit në ekonomi. Ai siguron po ashtu, se shërbimi doganor shqiptar do të jetë në dispozicion të eksportuesve pa krijuar as pengesën më të vogël artificiale për ta. “Ky shërbim është urdhëruar nga ana ime në detyrën e ministrit të Financave që të jetë 24 orë në dispozicion të eksportuesve të produkteve bujqësore”, deklaroi Ahmetaj.

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Petrit Vasili iu drejtua sërish sot me një letër kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Financave, Arben Ahmetaj lidhur me çështjet e bujqësisë. Letra e dytë vjen gati dy javë pas asaj të parës për të cilën kreu i grupit të LSI-së nuk kishte marrë përgjigje.

Vasili kërkon zgjidhje urgjente të problemit, pasi po dëmtohen fermerët dhe grumbulluesit. Ai denoncon sjelljen e autoriteteve maqedonase ndaj produkteve shqiptare, duke penguar qëllimisht hyrjen e tyre. Gjithashtu, kreu i grupit parlamentar të LSI-së kërkon shitjet me para “cash”, që nuk parashihet aktualisht nga ligji, si dhe një shërbim doganor 24 orë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button